Vous êtes sur la page 1sur 34

Abdi Baleta

"KËSHILLA DJALLI"... MIKUN BËJENI ARMIK

Nga "shkrimet e shenjta" kemi mësuar se "prindërit e njerëzimit", Adami dhe Eva, "mëkatin e
parë" e bënë të nxitur nga "këshilla e Djallit". Mëkatet qysh nga ajo kohë vazhdojnë pa mbarim. Po
ashtu "këshillat e Djallit" nuk kanë të pushuar. Dikur kureshtjen prej fëmije për të ditur se ku rri
Djalli të rriturit na e shuanin me fjalët " ka hyrë në barkun e insanit (njeriut)". Tani që jemi të rritur
e kuptojmë se Djalli në barkun e insanit nuk ka çfarë bën, por nuk mund të themi se në mendjen e
njeriut ai nuk gjen vend.
Nga shkrimet njerëzore kemi mësuar se ka shkrimtarë, studiues, shkrues me zanate nga më të
ndryshmit që zbulojnë e propagandojnë se "mëkati i parë" historik i shqiptarëve është pranimi
masiv i fesë myslimane dhe ndëshkimi më i rëndë e fatkeqësia më madhe për ta mbetet përfshirja e
tyre disa shekuj në gjirin e Perandorisë mesjetare Osmane. Në librin e vogël por me përmbajtje të
ngjeshur të Rexhep Hoxhës "Nuk është ashtu" (Gjakovë 1996) u është bërë një kritikë e rreptë dhe e
argumentuar mirë tezave të akademikut Zef Mirdita, të Engjëll Sedajt e të shkrimtarit Ismail
Kadare mbi këtë "mëkatin e parë" historik të shqiptarëve dhe hidhen poshtë këshillat e thirrjet e
tyre e të disa të tjerëve për një revanshizëm antiosman e antimysliman në kohën tonë, duke
braktisur Islamin e përqafuar masivisht katolicizmin.
Rreth temës së revanshizmit antiosman e antimysliman për të shpëtuar nga "mëkati fillestar" janë
bërë mjaft polemika gjatë 18 viteve të fundit. Më është dashur edhe mua të përfshihem në këto
polemika, sidomos në replikat ndaj Kiço Blushit në vitin 1992, ndaj Ismail Kadaresë në
vazhdimësi, ndaj një shkrimi të Neshat Tozajt në "ZP" më 10 Janar 1995 nën titullin "Shqipëria një
depo municioni islamik?" etj. Ky
titull ishte huazuar nga revista franceze "Historia jonë" dhe nga një pankartë me përmasa 40 x 50
centimetra të vendosur nëpër muret e Parisit. Aq përshtypje kishte bërë kjo parullë tek autori i
shkrimit të "ZP-së" sa në këtë gazetë propozohej që pa humbur asnjë minutë kohë të bëhej një
regjistrim popullsie në Shqipëri që shqiptarët të shkruheshin si të krishterë.
Nën efektet e parullës pariziane është kurdisur një propagandë e shfrenuar e pandërprerë në
Shqipëri për të fryrë rrezikun e fondamentalizmit e të terrorizmit islamik për shqiptarët e tërë
Europën nga territori shqiptar. Në vitin 2001 në këtë frymë doli një libër i tërë i titulluar "Nacional-
islamizmi shqiptar.... ". Në vitin 2005 vetë ish-kryetari i shtetit shqiptar shkoi e mbajti një ligjëratë
në Universitetin e Oksfordit (Angli) si pendesë për "mëkatin fillestar" të shqiptarëve dhe si
premtin se do të punohet për shlyerjen e këtij mëkati në Shqipëri e për rikthim të shqiptarëve në
"kohët e arta skënderbegiane" , pra në gjendjen paraosmane. Ligjërata në Oksford dukej si një
dekret presidencial për të zbatuar porosinë që jepte "ZP" në vitin 1995.
Kështu në andrrallat e tyre të përditëshme shqiptarët janë ndeshur shpesh me "këshilla e punë
Djalli" si thirrjet për revanshizëm antiosman e "rikonkuistë katolike". Por nuk janë ndjerë të
mundur e të humbur se Perëndia ka dhënë mendjen e arsyen, vullnetin e vendosmërinë për të mos
rënë pre e qoftëlargut, sepse çon dhe engjëj të drejtojnë njerëzit nga e mbara. Nuk kanë munguar
asnjëherë fjalët dhe këshillat e mira të njerëzve të arsyeshëm e të ditur për trajtimin e problemeve të
tilla. Shqiptarët krahas përkujdesjes hyjnore vazhdojnë të marrin mesazhe të urtë njerëzorë, si për
shembull ata që na ka dhënë historiani zviceran Aleksandër Lamber në intervistën e tij botuar në
"Panorama" më 30 Nëntor dhe 1 Dhjetor 2007 nën titujt shumë domethënës "Europa sabotoi
historinë tuaj në shekullin XIX kur Ilirinë e quajti Ballkan" dhe "Aleatët ia lanë Lindjes Shqipërinë
edhe pse e dinin se s’ishit sllavë". Lamber shpreh me gjuhën e tij të thjeshtë njerëzore atë që
shumica e shqiptarëve e quajnë "mrekulli hyjnore" lidhur me bombardimet e NATO-s mbi Serbi
për të shpëtuar Kosovën në vitin 1999: "Pas Luftës së Ftohtë, Europa nuk ka qenë në gjendje të
ndalojë gjenocidet dhe spastrimet etnike në kontinentin e vet. Po të mos kishin ndërhyrë më në
fund Shtetet e Bashkuara për të ndaluar masakrat në Bosnje e Kosovë, asgjë nuk do ta kishte
ndaluar regjimin e Milosheviçit të çonte deri në fund gjenocidin që bënte kundër popullsive
myslimane të Ballkanit". Megjithatë edhe pasi vijnë mesazhe të tillë ndodh që të gjejmë...
"Këshilla Djalli" edhe ... në një shkrim të Engjëllit
"Turqia i ka borxhe historike Kosovës", është titulli i këtij shkrimi të botuar në të përditëshmen
"Telegraf" më 5 janar 2008, sapo rinisën punën gazetat pas pushimeve festive (ribotuar më pas
edhe në "Ndryshe", e mbase në ndonjë gazetë tjetër). Siç ishte krejt e natyrshme dhe e kuptueshme
gazetat gjatë gjithë vitit që sapo u mbyll (2007), sidomos gjatë periudhës së bisedimeve shtesë 120
ditore për përcaktimin e statusit të Kosovës, kanë qenë të përqëndruara në intrigat e komplotet e
politikës thellësisht armiqësore serbo-ruse për të zvarritur, penguar e sabotuar procesin diplomatik
ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nuk pritej që qysh në ditët e para të janarit 2008 në gazetat e Tiranës të shfaqej një shkrim që
shtrembëron historinë dhe realitetin e zhvillimeve për çështjen e Kosovës, në të cilin si armiku më i
madh paraqitet miku më i mirë dhe më i sinqertë i shqiptarëve, kombi e shteti turk. Por pikërisht
kjo ka ndodhur me shkrimin e Engjëll Koliqit "Turqia i ka borxhe historike Kosovës". Nuk mund
të themi me siguri nëse gazetat që e kanë botuar kanë pasur një synim të tillë, apo e kanë hedhur në
publik pa e vrarë shumë mendjen për përmbajtjen dhe mesazhet e mbrapshtë të kësaj "kartolinë
urim-provokimi" , jo vetëm ndaj kombit e shtetit mik turk, por edhe ndaj gjithë shqiptarëve që
çmojnë e përshëndesin miqësinë tradicionale e vëllazërore shqiptaro-turke.
Pas një sërë interpretimesh të mbrapshtë për ngjarjet historike, autori me emrin Engjëll ka rreshtuar
disa direktiva që tigëllojnë si "këshilla Djalli" për organet udhëheqëse të Kosovës, të cilët pritet të
fillojnë së shpejti funksionet e qeverisjes së pavarur të shtetit sovran, të njohur ndërkombëtarisht.
Është këshillë e keqe të shkruash: "Duke pasur parasysh të gjitha këto që thamë më lart, e sidomos
marrëveshjet famëkëqija që Perandoria Osmane e më vonë Turqia ka bërë me Rusinë dhe me ish-
Jugosllavinë në dëm të shqiptarëve, institucionet shtetërore të Kosovës (Kuvendi, Qeveria dhe
Presidenca) duhet të kërkojnë nga qeveria e Turqisë në Ankara, që me akt zyrtar t’i shpallë të
pavlefshme respektivisht t’i anullojë këto marrëveshje dhe pëfundimisht të njohë identitetin
kombëtar të miliona shqiptarëve që jetojnë në Turqi, duke u dhënë atyre të drejtat që u takojnë me
konventa ndërkombëtare" . ("Telegraf" 5 janar 2008).
Në fakt këtu kemi të bëjmë me një provokim të hapur të dyfishtë: 1-kundër udhëheqësve dhe
opinionit publik shqiptar të Kosovës, të cilëve u kërkohet të mos përqëndrojnë më tej vëmendjen në
detyrën e tyre kryesore për përballimin e ofensivës më të egër armiqësore antishqiptare nga politika
e diplomacia serbo-ruse, por të hyjnë në sherre me Turqinë mike; 2- kundër udhëheqësve dhe
opinionit publik të Turqisë që vazhdimisht kanë dëshmuar ndjenja të simpatisë më të sinqertë për
shqiptarët dhe kanë mbështetur fuqimisht çështjen e Kosovës, duke i bezdisur ata sado pak me
mesazhe të "mosmirënjohjes shqiptare" (lexo engjëllkoliqase) .
Është veprim ngatërrestar t’u japësh udhëheqësve kosovarë "direktivën" politike që të hyjnë në
"luftë diplomatike " me Turqinë pikërisht në kohën e përballjes më të madhe dhe më të rreptë me
dinakëritë e komplotet e diplomacisë ruso-serbe kundër pavarësimit të Kosovës, siç dëshmuan edhe
fjalimet e serbit Tadiç e të rusit Çurkin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 16 janar 2008, kur
këmbëngulën se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës qenka e pavlefshme dhe Serbia e
Rusia kurrë nuk do ta njohin atë. Është jo vetëm paradoks, por dhe minim i luftës së vështirë që po
bën Kosova në frontin diplomatik kur10 ditë para këtyre deklaratave serbo-ruse të lëshohet në
shtypin e Tiranës, qoftë dhe në formën e një shkrimi të rëndomtë pa vlerë direktiva që udhëheqja
kosovare të hapë frontin e ri të luftës diplomatike kundër Turqisë si hakmarrje për "borxhet
historike" që i paska kjo qysh nga koha e Perëandorisë Osmane! Çfardo problemesh që të kenë
shqiptarët me kombe e shtete të tjerë, të mbetur nga historia apo të krijuar rishtas, fronti kryesor i
luftës politike dhe diplomatike ku duhen pëqëndruar të gjitha energjitë është ai përballë diplomacisë
serbo-ruse për Kosovën. Këshillat për të hapur fronte te reja lufte diplomatike kundër vendesh e
kombesh mike si Turqia që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë pa pushim të përballojmë
trysnitë e fqinjëve sllavë e grekë, janë djallëzore dhe tradhtare ndaj çështjes kombëtare shqiptare në
tërësi.
Për ta pasur pamjen të qartë për miqësinë e Turqisë mjafton të kujtojmë suksesin e madh të vizitës së
kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallit, në Ankara në fund të vitit 2007, ku ajo shkoi
të kërkonte mbështetjen e Turqisë që edhe Konferenca e Vendeve Islamike të njohë menjëherë pas
shpalljes pavarësinë e Kosovës. "Këshillat" e Koliqit tërthorazi janë një reagim negativ i mllefosur
kundër rezultateve të kësaj vizite. Ndërsa gazetat që i botuan ato si "kartolinë fyerjeje" ndaj
Turqisë mike për vitin e ri 2008 kanë dëshmuar mungesë nuhatjeje politike, nëse nuk kanë pasur
arsye tjetër më të papranueshme. Për ata që kanë marrë huqin e keq që punët e shtetit e të kombit
shqiptar t’i vështrojnë vetëm nëpërmjet syzeve të fanatizmit fetar antimysliman, antiosman e
antiturk duhet të përmendim se edhe Zonja Topalli, që gjeti në Turqi pritjen më të mirë dhe siguroi
mbështetjen e fuqishme për shqiptarët, është e besimit katolik, sikurse Engjëll Koliqi.
Të njëjtën gjë duhet ta themi edhe lidhur me vizitën e zonjës Topalli në krye të një delegacioni
parlamentar në disa vendet myslimane të Gjirit Persik në mesin e muajit Janar 2008. Kjo vizitë
duhet t’i ketë pezmatuar shumë ata që gjatë 16 vjetëve me radhë pas pranimit të Shqipërisë në
Konferencën e vendeve Islamike si anëtare me të drejta të plota (në vitin1992) nuk kanë lënë
fyerjeje pa bërë kundër mbështetësve të këtij anëtarësimi. Po tani a do ta kenë të njëjtën paturpësi që
edhe zonjat Jozefina Topalli e Valentina Leskaj t’i etiketojnë si fondamentaliste ekstremiste
islamike, meqenëse bënë vizitë zyrtare në vendet arabe?!Vizita e zonjës Topalli në vendet arabe
duke pasur në delegacion edhe kryetaren e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Leskaj, është
një shuplakë e fortë për politikën pa mend të drejtuesve të kësaj partie që me gojën e ministres së
tyre të jashtme, Arta Dade, vetëm pak kohë më parë bënë një zhurmë krejt të pahishme kundër
vizitës së kryeministrit Berisha në Egjipt ku kishte shkuar të siguronte mbështetje diplomatike për
Kosovën.
Politikanët, vëzhguesit e analistët shqiptarë e kanë për detyrë të sqarojnë sa më hollësisht opinionin
publik shqiptar se kush është armiku real i tij, se nga vjen rreziku i vërtetë, nga kush duhet të
ruhemi, kujt duhet t’i kundërvihemi, jo të krijojnë konfuzion duke paraqitur mikun si armik dhe
hasmin si dashamir të mundshëm. Gazetat shumëfaqëshe të Tiranës mund të bëjnë në këtë kohë një
punë të mirë duke pasqyruar e shtjelluar më tej faktet e shumta konkrete dhe vlerësimet që
përmban libri i ish-ambasadorit shqiptar në Moskë Shaqir Vukajt "Rusia dhe Kosova" (Tiranë
2007) për armiqësitë ruso-serbe ndaj shqiptarëve dhe të mos merren me shtrembërime historike e
thirrje patetike për revanshizëm diplomatik antiosman e antiturk. Eshtë absurde dhe provokuese
që, edhe pas botimit të librit "Rusia e Kosova", shkrues e botues shqiptarë të hiqen si të paditur
(apo të mbeten të paditur) dhe t’i ofrojnë opinionit publik "vlerësime shejtani" e "këshilla djalli" si
në shkrimin "Turqia i ka borxhe historike Kosovës".
E shkuara e përbashkët historike na afron me Turqinë e re
Turqia e sotme është një shtet i ri modern dhe jo thjesht një zëvendësuese e vazhdimësi e
Perandorisë së Sulltanëve Osmanë, siç ka mbetur Rusia e Jelcinit dhe e Putinit në raport me
Rusinë e Carëve; ose siç u pëpoq të imponohej si Serbi e Kralëve me luftra e gjenocid Serbia e
Milosheviçit në fazën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë , apo si pretendojnë sot Tadiçi, Koshtunica,
Nikoliçi e të tjerë shovinistë beogradas të qëndrojnë në Kosovë si kolonizues, vetëm se Serbia e
sotme kishte pushtuar Kosovën për disa dekada në shekullin XX dhe dinastitë e zhdukura serbe e
kontrollonin atë për njëfarë kohe në Mesjetë.
Shkasin në pasaktësi historike dhe lëshojnë frymë të keqe politike individët dhe mjediset e
caktuara shqiptare kur demonizojnë pa ndërprerje Perandorinë Osmane jashtë kontekstit të
zhvillimeve të sotme dhe përtej përmasave të gjykimit të shëndoshë shkencor historiografik për të
shkuarën. Dëshmojnë për vetëpërdhosje intelekti dhe pësojnë shpërfytyrim e shëmtim të
personalitetit intelektual e të figurës qytetare ata që shkruajnë si njëfarë avokati Gjetë Kola se:
"turqit kanë qenë dhe janë armiq shumë herë më të mëdhenj të kombit shqiptar se grekët dhe serbët
të marrë sëbashku" (shkrimi "Pushtimi serb e grek, pasojë e pushtimit turk", në gazetën
"Republika"26 shtator 2007).
Për të mos shkarë në të tillë marrëzi Gjet Kola, edhe nëse nuk di gjuhë të huaja, mund të kishte
lexuar diçka nga shkrimet e botuara në gjuhën shqipe të njerëzve të shquar nga Europa. Udhëtarja
e famshme angleze në fillim të shekullit XX, Edit Durham, ka shkruar: "Tani që serbët erdhën në
Ohër dhe grekët në Korçë fillova ta ndjeja veten fajtore pse dikur kisha uruar që turku të largohej
nga Europa. Sa ishte turku aty shpresat nuk ishin shuar. Ndërsa këta pushtues "të krishterë" ishin
njëqind herë më të këqinj" ( "Brenga e Ballkanit" Tiranë, 1990, fq, 399). Libri i studiuesit të njohur
britanik Noel Malkolm "Kosova, një histori e shkurtër" që u botua për herë të parë në anglisht në
vitin 1998 dhe ka ushtruar një ndikim të fuqishëm për një perceptim të ri, më të favorshëm për
shqiptarët e çështjes së Kosovës në sferat më të larta të politikës e diplomacisë perëndimore, vetëm
për Gjetë Kolën nuk paska vlerë. Në këtë libër Malkolmi ka analizuar se çfarë përfaqësonte
Perandoria Osmane në jetën e shqiptarëve. Xhybja e avokatit të rëndomtë me te cilën paraqitet
Gjeta edhe kur përrallis për historinë e për marrëdhëniet ndërkombëtare na bën të sjellim sërish
fjalët e Durhamit : " Nuk ka kostum që mund të të vijë në ndihmë kur je bosh e s’ke ç’të
thuash"(Po aty fq.354).
Është e kotë dhe "punë djalli" të mohohen përfitimet që kanë pasur shqiptarët si individë dhe si
komb në formim duke qenë disa shekuj pjesë e Perandorisë shumëkombëshe Osmane, më
tolerantes që ka njohur historia e Mesjetës së vonë dhe kohës së re ndaj mileteve dhe besimeve të
ndryshme që bashkëjetonin brenda saj. Noel Malkolmi e ka vënë në dukje se: " në shumicën e
vendeve ballkanike mendimi popullor për sundimin osman është tërësisht negativ. Osmanët
përshkruhen si barbarë aziatikë që shkatërruan në secilin nga posedimet e tyre një kulturë
kombëtare në lulëzim". Kjo ka qenë dhe është propaganda e pandërprerë serbo-greke që ka ndikuar
jo pak edhe tek shqiptarët. Këtë propagandë bëjnë edhe sot ata që Turqinë e turqit i paraqesin si
armiqtë më të mëdhenj të shqiptaërve.
Pasi rreshton dhe disa akuza të tjera ballkanike ndaj osmanëve Malkolmi thekson : "Të gjitha këto
pretendime në rastin më të mirë janë gënjeshtare dhe në rastin më të keq plotësisht falso". Malkolmi
vë në dukje se: "në dy shekujt e fundit të sundimit osman kishte shumë raste të arbitraritetit të
pushtetit, të dhunës e të shtypjes. Por t’i kalosh kushtet e kësaj periudhe të fundit mbrapa në të
shkuarën dhe ta karakterizosh tërë sistemin osman qysh nga fillimi si tiranik e kaotik do të thotë të
bësh një anakronizëm të trashë. Qeverisja osmane në Ballkan në vitet e hershme ( d.m.th. deri nga
fundi i shekullitXVI) ishte një sistem drejtimi i rregulluar mirë dhe kushtet e jetës që krijonte ishin
të krahasueshëm në mënyrë të favorshme në shumë drejtime me ato të pjesës tjetër të Europës"
( "Kosova, histori e shkurtër" fq.93, botimi anglisht).
Shqiptarët me mend i kanë ditur dhe i kanë vënë në dukje në masën e duhur si fatkeqësitë dhe të
mirat që patën shqiptarët nga kjo perandori. Qysh në fillim të shekullit XX në "Kalendari
Kombiar" në kuadër të polemikave me antiosmanët më të zellshëm analizohej problemi i dobive që
kishin pasur shqiptarët nga përfshirja në Perandorinë Osmane. Studiuesja franceze Natali Klejer
në librin e saj "Në zanafillë të nacionalizmit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane
në Europë"(Paris 2007), sjell disa vlerësime që nxjerr nga ato analiza: "përfitimet nga islamizimi
ishin të ndryshme ...shqiptarët kishin luftuar për Turqinë e për Islamin, por edhe për vete e për
pasuritë që sillnin në shtëpi...Islami luante efektivisht rolin vendimtar në përcaktimin e dallimeve
midis shqiptarëve e grekëve, midis shqiptarëve e sllavëve. Veçanërisht Islami ishte i përshtatshëm
për shtrirjen e hapësirës shqiptare.
Ndërsa në kohën e Skënderbeut sllavizmi ishte i pranishëm në zemër të Shqipërisë, sikurse
dëshmojnë toponimet, në fillim të shëkullit XX "fronti" ishte zhvendosur tashmë në Bitol, Shkup,
Mitrovicë ose Beranë" (fq.471).
Pikërisht se e dinin mirë si kishin shkuar punët e shqiptarëve në gjirin e Perandorisë Osmane dhe
si po shkonin punët e shqiptarëve me fqinjët ballkanikë ne kohën e zgjimit e të afirmimit kombëtar
të shqiptarëve dhe të afirmimit të nacionalizmit shqiptar "Shumë nga fisnikët dhe pjesëtarët e
"klasës së mesme të shkolluar" që kapeshin pas Perëndimit në gadishullin ballkanik ishin në fakt të
bindur se perandoria ishte një ledh mbrojtës kundër ndarjes së tokave midis vendeve ballkanike
ose fuqive të mëdha" (Natali Klejer "Në Zanafillë të nacionalizmit shqiptar", fq. 691). Një shekull
para francezes Natali Klejer, anglezja Edit Durham do të shkruante: "Në Ballkan mund të
ndryshosh mendje sa herë të duash, por vetëm një gjë nuk e ndryshon dot: qiellin e mbuluar nga
retë e fuqive" ( "Brenga e Ballkanit" fq. 364).
Antiturqizmi, maskë e antishqiptarizmit të serbo-rusofilisë
Tani vemi re fare mirë se është përsëri acari rus që vërshon drejt Ballkanit si në kohën e luftrave
kundër Perandorisë Osmane që të ngrijë edhe një herë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të çështjes
kombëtare shqiptare në tërësi. Këtë ka bërë Rusia Cariste në kohën kur ishin krijuar Pashallëqet e
Mëdha shqiptare dhe shqiptarët ishin më afër krijimit të shtetit të tyre, para shteteve serbe e greke
në Ballkan. Këtë ngrirje solli Rusia për çështjen shqiptare edhe në kohën e "Kongresit të Berlinit",
kur duhej njohur kombi shqiptar në Europë dhe duheshin bashkuar në një të katër vilajetet
shqiptare, në rrethanat e dobësimit të Perandorisë Osmane. Të njëjtën gjë bëri Rusia kur duhej
njohur shteti i pavarur kombëtar shqiptar në vitet 1912-13, kur duhej zbatuar parimi i
vetëvendosjes së popujve edhe për shqiptarët në Ballkan pas LDB. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë
edhe së fundmi, në kohën kur duhet njohur pavarësia e shtetit sovran shqiptar të Kosovës.
Më 9, 10 dhe 11 Janar 2008 në gazetën "Republika" është botuar studimi i Pr. Eshref Ymerit mbi
politikat e veprimtarinë e tërbuar armiqsore shumëshekullore të armikes së betuar të shqiptarëve,
Rusisë. Analiza që bëhet në këtë studim i jep lexuesit e opinionit publik shqiptar (madje dhe
politikanëve e intelektualëve që dëshirojnë) një udhërrëfyes publicistik për të kuptuar edhe më mirë
materialin e gjërë faktik që përmban libri i Shaqir Vukajt "Kosova dhe Rusia". Kurse shkrime si ai
i Engjël Koliqit, ai i Gjetë Kolës dhe i disa të tjerëve janë në frymë e kahje krejt të kundërt, shkojnë
në vazhdën e rrymës që njihet prej kohësh si serbo-rusofile. Këta shkrime duken të ndikuar nga
demagogjia e Beogradit dhe e Moskës, posaçërisht nga intervista e ambasadorit të Rusisë në
Tiranë, zotëri Prishepovit, botuar në gazetën "Shqip" më 23 Dhjetor 2006, në të cilën jepej si
verdikt i prerë se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër për Kosovën veç asaj që do të pëlqejë edhe
Beogradi dhe çështja e Kosovës nuk duhet lidhur me marrëdhëniet e Rusisë e të Shqipërisë, pasi
këto marrëdhënie duhet të vështrohen vetëm në prizmin e "miqësisë së popujve".
Nuk ka si të mos bjerë në sy për keq kur dhe autorë shumë të pranishëm në botimet e në
publicistikën shqiptare, me studime e shkrime që shpesh kanë mjaft peshë, si Pr. Hulusi Hako, që
shpalos dhe mendime për patriotizmin që duhet të kenë shqiptarët, pikërisht në këtë kohë e gjen me
vend të derdhë nostalgjitë e tij për kohën e shkuar si student në Rusi, madje të kapërcejë masën
duke shpërfaqur e reklamuar me krenari rusofilinë e tij. Në pjesën e serialit nostalgjik "Ditari i
Moskës" (të cilën autori e përmend dhe me termat "Moska ime") të botuar më 13 Dhjetor 2007 në
"Telegraf" autori ka shkruan: "U mbushën plot 50 vjet që kur jam ndarë nga Moska! Nostalgjia
veçse është shtuar... kujtimet e atyre viteve nuk janë thjesht një moment përjetimesh turistike... por
u bënë vizioni më dimensional për të qenë i dobishëm për Atdheun tim".
Nuk do t’i jepja vetes të drejtën të shprehesha për këto ndjesi të autorit, po të mbeteshin ato thjesht
vetanake të tij, edhe pse unë si ish-student në Rusi, në Moskë, në Institutin e Marrëdhënieve
Ndërkombëtare ( Diplomacisë) nuk kam përjetuar kurrë ndjesi të ngjashme dhe nuk kam asnjë
nostalgji për ato dy vitet që kalova atje midis rusëve, ndonëse kam kujtime të mira nga shkolla,
nga bashkëstudentë t. Por autori i "Ditarit të Moskës" ka shkuar më tej, ka hyrë në terren me
interes publik, ku na takon të gjithëve të ngulim belin e lopatën për të shkulur barërat e këqija dhe
për të kultivuar bimësi shqiptare; ka hyrë në terrenin e vlerësimit politiko-diplomatik të
marrëdhënieve shqiptaro-ruse, madje me një qasje që përputhet shumë me intervistën e para një viti
të ambasadorit rus në Tiranë.
Unë kam reaguar ndaj asaj interviste të ambasadorit rus nëpërmjet një "kartoline të hapur" për vitin
e ri, sepse dhe intervista ishte si një mesazh drejtuar shqiptarëve në vigjilje të vitit të ri 2007.
Shkrimi "S novim godom-gëzuar vitin e ri" është botuar në "Rimëkëmbja" më 26 Dhjetor 2006. Në
mënyrë të veçantë theksoja së është e natyrshme dhe e domosdoshme për shqiptarët (pavarësisht si
mendojnë e veprojnë pushtetarët e tyre) që në vartësi të qëndrimit të Rusisë për çështjen e Kosovës
shqiptarët të ndërtojnë marrëdhënieve ruso-shqiptare. Këto marrëdhënie duhen parë siç janë në
realitet, si marrëdhënie midis shteteve e qeverive dhe jo sipas tezës së rreme demagogjike sovjeto-
komuniste për "miqësinë e popujve", që na e kishin trumbetuar deri në mërzi në vitet e shkollimit
në Moskë dhe që në fakt asnjëherë nuk ka gjetur zbatim konkret për shqiptarët, kur bënin miqësira
të mëdha me jugosllavët, rusët, kinezët, apo kur themi të njëjtën gjë me grekët tani. Mund të themi
se vetëm marrëdhëniet me Turqinë kanë në bazë të tyre edhe miqësi popujsh. Por disa janë të prirur
t’i trajtojnë si armiqësore pikërisht këto marrëdhënie.
Prof. Hako ka shkruar: "Kanë hyrë në pasurinë time edhe rusofonia edhe rusofilia". Kuptohet se
rusofonia ka hyrë në pasurinë e të gjithë shqiptarëve që kanë studiuar në Rusi, apo që mësuan
gjuhën ruse në Shqipëri. Kurse me rusofilinë puna qëndron krejt ndryshe. Ajo nuk duhet të hyjë tek
asnjë shqiptar, qoftë dhe tek ata që kanë studiuar në Rusi dhe nuk nxjerrin dot nga vetja nostalgjitë
për atë vend. Rusofonia dhe rusofilia janë e duhen trajtuar si dy gjëra të ndryshme. Rusofonia është
thjesht fakt jete. Rusofilia është ndjesi, madje politikë e mirëfilltë e vetëdijshme. "Filitë politike"
kanë implikime politike për individin dhe shoqërinë e vendin që i përket individi. Këtë e di dhe
profesori që ka shkruar "Ditarin e Moskës" me nostalgji, sepse është munduar që ta përligjë
rusofilinë e tij me një argument të shpëlarë fund e krye demagogjik : "Se Putinët venë e shkojnë,
pavarësinë e Kosovës shqiptarët do ta gëzojnë, por dashurinë e veçantë të popullit rus për ne, edhe
ndihmesat as i harrojmë , as i ngatërrojmë me putin-arinë e llavrovshmërinë ! Se tek logjika e
hekurt e jetës, drejtësia dhe dashuria e popujve dhe e njerëzve të thjeshtë në fund të fundit do të
thyejnë turinjt gjithë politikat e vogla dashakeqe në qoftë se njerëzimi do të hyjë vërtetë në erën e
demokracisë".
Ndaj mendimeve të tilla nuk mund të qëndroja pa reaguar për dy arsye: 1-Për arsyen e përmendur
më lart se jam bërë palë, qysh në Dhjetor të vitit 2006, në debatin se a mund dhe a duhet të
vështrohen marrëdhëniet shqiptaro-ruse sëpari e kryesisht nga këndvështrimi i "miqësisë së
popujve" 2- Për arsyen parimore e politike se nuk pajtohem dot me prirjet që midis shqiptarëve të
kultivohet rusofili në kohën kur Rusia dhe rusët po bëjnë një veprimtari tejet armiqësore ndaj
shqiptarëve ( siç e kanë vërtetuar kohët fundit edhe Shaqir Vukaj me libër prej qindra faqesh dhe
Eshref Ymeri më një shkrim të kondensuar publicistik) .
Mund të shtoj dhe një shkas të tretë për këtë reagim: zotëri Hako si Kryetar i Shoqatës Atdhetare
për Identitet dhe Bashkim Kombëtar ka marrë fjalën përshëndetëse dhe ka përgëzuar "manifestimin
madhështor... Vlora Heroike valëvit flamurin e Pavarësisë së Kosovës", ku ndër të tjera,(sipas
gazetës "Ndryshe" të datës 13 Dhjetor 2007) ka thënë: "Ka ardhur koha të rimarrim atë që na
përket, zemrën e shpirtin tonë Kosovën, sepse ndryshe trupi nuk ka jetë. Europa është e jona dhe
ne jemi Europa". Kjo është thënie e bukur. Por nuk kemi si të mos vëmë re një kontradiktë të
madhe ideore dhe politike. Rusia, jo vetëm politikanët , por edhe opinioni publik rus janë kundër
bashkimit të shqiptarëve. Kurse zotëri Hako pretendon se identiteti shqiptar dhe bashkimi
kombëtar shqiptar mund t’u bëkan duke kultivuar, ushqyer e reklamuar rusofilinë midis
shqiptarëve. Kjo nuk shkon, ose njëra, ose tjetra. Rusofilia nuk të ndihmon të ruash identitetin e të
bësh bashkimin kombëtar shqiptar, por të tërheq drejt një qëndrimi kobtar për këtë identitet e këtë
bashkim. Kush të dojë le ta besojë, kush të dojë të mos besojë, por unë kam bindjen se faktet që i
kemi ditur dhe ato që kanë renditur tani vonë Vukaj dhe Ymeri këtë na mësojnë.
Ai arsyetimi se Putinët e Llavrovët vinë e shkojnë që e ka bërë Hako si argumentin kryesor për të
besuar tek miqësia e popujve shqiptaro-ruse nuk pi ujë fare, sepse kjo miqësi nuk ka ekzistuar
ndonjë herë dhe as që mund të krijohet përderisa gjithë sunduesit, politikanët, qeveritarët,
intelektualët e Rusisë në opinionin publik, tek njerëzit e thjeshtë rusë, kanë përçuar e përçojnë
vetëm shovinizëm, përbuzje, mllefe e urrejtje për shqiptarët.
Është e vërtetë se Jelcinët, Putinët, Ivanovët, Llavrovët, Medvedievët do të shkojnë e të vinë në
Rusi, siç kanë ardhur e kanë shkuar në shekuj carë, bojarë, gjeneralë, admiralë, hierarkë komunistë.
Por këtu qëndron dhe keqja më e madhe se gjithmonë, të paktën gjatë 3 shekujve të fundit, në
drejtimin e Rusisë e të rusve kanë ardhur pa anjë përjashtim komandues e drejtues që ndaj
shqiptarëve kanë treguar vetëm armiqësi. Kështu ka ndodhur edhe kur Carë të Rusisë ishin burra,
edhe kur ishin gra; edhe kur në krye të Rusisë ishte një careshë gjermane (Jekaterina II) edhe kur
padron i Kremlinit bëhej një gjeorgjian (Josif Stalini); edhe kur ministri i jashtëm quhej Sazonov,
Litvinov, Molotov edhe kur quhej Shevarnaxe (gjeorgjian) ; edhe kur poste të tjera me rëndësi i
mbanin rusë, edhe kur titullarët e ndihmësit kryesorë ishin çifutë, armenë, gjeorgjianë, polakë,
balltikas, dikur më herët dhe ndonjë arvanitas nga Greqia (Kapodistria) .
Ajo "miqësia e popujve" që do të frymëzoka një ditë rusët ndaj shqiptarëve do të vijë për "Bajramin
rus" (kalendat greke) që e përmend Eshref Ymeri dhe që vetë Hulusi Hako e ka bërë me një
ekuivalent kushtëzues shqiptar "në qoftë se njerëzimi do të hyjë në rrugën e demokracisë". Kurse
populli e ka thënë me kohë më thjeshtë "prit gomar të mbijë bar", që duhet kuptuar në këtë rast "prit
shqiptar sa të ngrenë rusët kopshtin e miqësisë për ty".
Po ç’e do se rusët vazhdojnë të edukohen më shumë me Tolstoin, i cili ngushëllimin e heroit të tij
të dhëmbshur, Vronskit (në romanin Ana Karenina), e ka lidhur me nisjen e tij "heroike" për të
ndihmuar serbët në luftën kundër osmanëve. Shumë rusë në vitin 1999, siç dëshmon Shaqir Vukaj,
ndiqnin shembullin e Vronskit, regjistroheshin vullnetarë për të masakruar bashkë me serbët
shqiptarët në Kosovë. Është mirë që "Vlora heroike e ka valëvitur flamurin e pavarësisë së Kosvës"
në dhjetor 2007, se kështu bëhet një hap për të shlyer kujtimet e këqija që na kanë mbetur nga
tundja e tre gishtave serbçe në Sheshin e Flamurit në Vlorë në pranverën e vitit 1997, kur serbët
kishin nisur valën e madhe të gjenocidit në Kosovën. Do të bënin mirë edhe nostalgjikët për Rusinë
që ta flaknin rusofilinë dhe të mbeteshin tek shqiptarizmi.
Do të bënin mirë t’u largoheshin marrëzisë ata shqiptarë që pa pushim mallkojnë e fajsojnë
Perandorinë Osmane për gjithë vështirësitë që provojnë shqiptarët brenda trojeve e shoqërive të tyre
dhe në marrëdhëiet ndërkombëtare edhe 100 vjet pas shpërbërjes së saj. Me (a)logjikën e tyre të
çuditëshme njerëz të tillë ka të ngjarë të fajsojnë ndonjë ditë Sulltanin edhe për aksidentet e rëndë që
ndodhin në furrnaltat e shfrytëzuara nga kompania turke "Kurum" në kombinatin metalurgjik
kinezo-shqiptar në Elbasan.
Antiturqizmi sado të mbështetet me propagandë nuk maskon dot armiqësinë serbo-ruse ndaj
shqiptarëve, as e përligj rusofilinë e serbofilinë midis shqiptarëve. Cilatdo të kenë qenë
marrëdhëniet shqiptaro-osmane në kohën e Perandorisë 600-vjeçare të Sulltanëve, Turqia e re, që
nisi jetën si shtet kombëtar në vitet 1920, doli si mike e madhe e shqiptarëve dhe e Shqipërisë.
Duan apo nuk duan disa shqiptarë të trullosur nga antiosmanizmi e antimyslimanizmi, Turqia e re
dhe kombi i sotëm turk e kanë dëshmuar veten si miqtë më të sinqertë të shqiptarëve gjatë gjithë
kohës. Edhe sot Turqia është i vetmi vend që dyert i saj i mban të hapura me dashamiërsi për
shqiptarët, i vetmi vend ku po të thuash se je shqiptar (arnaut) rrethohesh menjëherë me kujdes e
dashuri, i vetmi shtet që nuk mendon si të izolojë shqiptarët e zakonshëm në botë. Dhe pikërisht me
këtë vend duan t’i armiqësojnë shqiptarët njerëzit që u japin "këshilla Djalli" në shkrime si ai mbi
"borxhet historike të Turqisë ndaj Kosovës". Pikërisht këtij shteti e kombi i dërgojnë herë pas here
mesazhe provokuese disa shqiptarë që duan të njollosin në sytë e turqëve gjithë shqiptarët e tjerë si
"mosmirënjohës" ndaj mikut, që të kënaqen hasmit e shqiptarëve.
Kongresi i Berlinit u mblodh për frenimin e ekspansionizmit rus në Ballkan
Kështu ka vepruar Engjëll Koliqi duke përmendur kalimthi, pa asnjë specifikim, ca marrëveshje të
fshehta fantazëm që paska bërë Sulltani i Perandorisë Osmane me Carin e Rusisë qysh në shekullin
XIX, në bazë të të cilave Serbia ka pushtuar e aneksuar trojet shqiptare të Prokuples, Toplicës e
rrethinave të Nishit në kohën e Lidhjes së Prizrenit e të "Kongresit të Berlinit" dhe më vonë trojet
më të gjëra shqiptare pas Luftës së Parë Ballkanike në vitet 1912-13. Engjëlli na siguron se këtë gjë
nuk po e thotë ashtu kot, me lehtësi, pasi për këtë paska shkruar edhe herë të tjera. Ai nuk jep as
titullin e marrëveshjeve " të nënshkruara në fillim të vitit 1878" (sipas tij), as datat e nënshkrimit,
as përmbajtjen, as emrat e nënshkruesve. Ai nuk tregon burimet arkivore, ose literaturën historike
ku ai ka mësuar ekzistencën e tyre.
Po,ama, ai ngulmon se e di që "në Berlin fuqitë e mëdha të kohës "bekuan" marrëveshjen në fjalë".
Pra vetë jep një "argument" se këto marrëveshje nuk paskan qenë dhe aq të fshehta, nuk kanë
mbetur vetëm midis Sulltanit e Carit, por për to paskan marrë dijeni qysh në atë kohë tërë
diplomacitë e mëdha europiane. Për rrjedhojë ato duhej të figuronin në dokumente "Kongresit të
Berlinit"; do të ishin përmendur në kujtimet që kanë shkruar pjesëmarrës të këtij Kongresi; do të
ishin zbuluar nga gërrmuesit e shumtë gjatë një shekulli e gjysmë në historinë e atyre ngjarjeve dhe
nuk do të kishte mbetur puna që këtë "zbulim" ta bënte si kofini pas të vjeli, vetëm Engjëll Koliqi
në fillin të shekullit XXI. Pastaj dihet që menjëherë pas Revolucionit të Tetorit, në vitin1917,
bolshevikët dhe Lenini botuan gjithë traktatet e fshehta që kishte përfunduar Rusia Cariste, ose
ishin në arkivat e saj, duke përfshirë dhe Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915 midis fuqive të
mëdha europiane për copëtimin e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë e Serbisë.
Nuk i falet askujt që merr penën të trajtojë probleme të tilla nga historia e marrëdhënieve
ndërkombëtare të mos dijë, ose të fshehë, faktet e njohura botërisht se "Kongresi i Berlinit" i vitit
1878 nuk u mlodh për të sanksionuar marrëveshjet e fshehta ruso-osmane (Car-Sulltan) për
copëtimin e tokave shqiptare midis ortodoksisë sllavo-greke të Ballkanit, që kishin krijuar tashmë
shtete e principata autonome sipas parimit të kombësisë, por u mblodh për lojëra më të mëdha
gjeopolitike europiane, për të baraspeshuar interesat e fuqive të mëdha në Ballkan. Zyrtarisht
"Kongresi i Berlinit" u thirr nga fuqitë e mëdha europiane për të revizionuar Traktatin e Paqes të
Shën Stefanit midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë Cariste, që Sulltani e kishte pranuar si i
mundur në luftën ruso-osmane.
Ky ishte Traktat i hapur dhe jo i fshehtë. Me këtë Traktat Rusia praktikisht vinte dorë mbi pjesën
më të madhe të zotërimeve osmane në Ballkan nëpërmjet krijimit të Bullgarisë së Madhe që shtrihej
deri në Korçë, Kolonjë, Pogradec. Cari nuk kishte nevojë për marrëveshje të fshehta, sepse punët e
tij i bënte krejt hapur, me forcën e armëve kishte imponuar këtë Paqe të Shën Stefanit dhe tashmë e
kishte gati të hapur rrugën për të realizuar ëndrrën e vjetër ruse , qysh nga Pjetri i Madh dhe
Jekaterina II , për të shtënë në dorë Stambollin, Bosforin, Dardanelet.Kjo mbeti ëndërr edhe në
kohën e Rusisë sovjetike në Luftën e II Botërore, (Simon Sebag Montefiore në librin "Stalini,
oborri i carit të kuq", Angli 2005, shpjegon se kur Stalini dërgoi në Berlin Molotovin të bënte
pazaret me Ribentropin e Hitlerin i dha porosi të prerë që të kërkonte lëshime nga Gjermania
kryesisht në Ballkan). Edhe sot nuk ka marrë fund ëndrra e Rusisë neocariste për të pasur zonë
ndikimi në Ballkan, paçka se Bashkimi Sovjetik nuk është më dhe kushtet gjeopolitike kanë
ndryshuar shumë për shkak të interesimit të madh të SHBA për këtë zonë.
Perandoria Osmane asnjëherë nuk kishte qenë në pozita aq të dobëta para kërcënueses së saj
kryesore me luftra të njëpasnjëshme, Rusisë dhe para diplomacisë europiane sa në kohën kur
nënshkroi Paqen e Shën Stefanit dhe mori pjesë si e nëpërkëmbur në "Kongresin e Berlinit".
Kulmin e shtrirjes, të fuqisë e të lavdisë së saj Perandoria Osmane e kishte arritur në shekullin
XVI, nën Sulltan Sulejmanin e Mrekullueshëm. Shenjat e para të fillimit të dobësimit të saj u panë
në betejën detare të Lepantos në vitin 1571 me humbjen e shkaktuar nga flota e të krishterëve.
Në vitin 1683 dështoi mësymja osmane për të marrë Vienën dhe fuqitë evropiane filluan tashmë të
mendonin për kundër-mësymjen e madhe në Ballkan që të bënin "rikonkuistën e krishterë
ballkanike", për të dëbuar osmanët dhe Islamin nga Europa. Provën e parë e bënë ushtritë austriake
në bashkëpunim me serbët e kryengritës shqiptarë nën drejtimin e priftit katolik Pjetër Bogdani në
Kosovë në vitin 1689, pra saktësisht 300 vjet pas difatës që ushtritë e krishtera ballkanase kishin
pësuar në Fushë Kosovë nga osmanët në vitin1389. Edhe kësaj radhe osmanët dolën fitimtarë dhe
serbët i shtuan mitologjisë së tyre të disfatave edhe një tjetër episod që e quajnë me ngashërim
"shpërngulja e madhe e serbëve nga Kosova". Bashkë me austriakët e serbët u larguan dhe një
numër kryegritësish shqiptarë që me kohë humbën pa nam e pa nishan diku në Vojvodinë dhe
mbahen mend se prej njërit nga ata doli dinastia e egër serbe e antishqiptare e Karagjorgjeviçë ve
(Gjergjit të Zi).
Pas "hakmarrjes mitologjike" serbe qëndrojnë rusët, jo turqit
Pas disfatës së austriakëve në Kosovë dhe ardhjes në drejtim të perandorisë si vizir i madh i
shqiptarit Mehmet Qypriliu, njëri nga vizirët e mëdhenj më të shquar, perandoria sërish e mori për
një kohë veten. Në vend të "rikonkuistës" së krishterë në Ballkan u përshpejtua dhe u masivizua
procesi i myslimanizimit të shqiptarëve. Do të kalonin edhe 300 vjet pas kësaj që serbët e prirë nga
Milosheviçi të tentonin "betejën vendimtare" të hakmarrjes mitologjike serbe në Kosovë për
disfatat nga osmanët myslimanë dhe serbizimin etnik të Kosovës. Nën maskën e mbrojtjes së
krishterimit europian dhe të rikonkuistës në Ballkan Serbia e Milosheviçi kishin planifikuar dhe
nisën të bënin në vitet 1998-99 spastrimin etnik e gjenocidin më të madh në historinë e Ballkanit
kundër shqiptarëve. Këtë betejë Serbia e kishte shpallur qysh në vitin 1989, në 600 vjetorin e
betejës së Fushë Kosovës dhe kur Milosheviçi vendosi anullimin e autonomisë së Kovoës në
Jugosllavi. Këtë tragjedi e krim të paparë në Ballkan, të planifikuar nga Serbia, jo vetëm e kishte
miratuar, por e përkrahu dhe e nxiti edhe Rusia.
Beteja e tretë, më e madhja për Kosovën, 600 vjet pas të parës dhe 300 vjet pas të dytës, përfundoi
përsëri me një disfatë të rëndë për serbët në vitin 1999 kur NATO bombardoi Serbinë (SHBA
superfuqia e kohës së sotme si Perandoria osmane në vitet 1389 e 1689-99)) dhe dëboi nga
Kosova pushtuesit ushtarakë dhe administruesit civilë serbë. Si është puna e fatit!
Por si janë dhe "këshillat e djallit"(!). Ashtu siç shkruan Engjëll Koliqi është njësoj si të fajsosh
SHBA për shkatërrimet e humbjet njerëzore që pësoi Kosova gjatë fushatës së NATO-s për të
dëbuar serbët nga Kosova, është njësoj sikur dëmshpërblimet për këto humbje t’ia kërkosh SHBA-
së e jo Serbisë. Pikërisht këtë propagandë kanë bërë politikanët e Beogradit e gjithë serbët për vite
me radhë, duke "fajsuar" me cinizëm e djallëzi NATO-n e SHBA për humbjet njerëzore që patën
shqiptarët, për djegien e Kosovës dhe duke u përcjellë shqiptarëve "këshilla djalli" se po të shtrojnë
kurrizin para Serbisë e të pranojnë ujditë që propozojnë serbët mund të fitojnë paqen e qetësinë.
Vetëm kështu shqiptarët, sipas bojkotuesve serbë, mund të shpresojnë të udhëtojnë rehat nëpër
Serbi, të pinë qumësht lopësh serbe, të hanë sallam derri serb e miell të hidhëruar, të bëjnë
kontrabandë me serbët, të jenë bartës pasaportash serbe, të bëjnë tregti me Serbinë dhe të kenë
energji elektrike nëpërmjet Serbisë. Ndryshe do të jenë të bojkotuar, të bllokuar, në errësirë, të
uritur, të rrethuar e pse jo edhe të sulmuar nga paraushtarakë , banda dhe njësi të rregullta
ushtarake serbe, apo "vullnetarë rusë".
Kështu ata që nxisin sot ndjenja urrejtjeje ndaj Turqisë, ata që u thonë udhëheqësve kosovarë të
mos çajnë më kokën për rreziqet që vinë nga Serbia e Rusia, por t’i shpallin "luftë diplomatike"
Turqisë gjoja për të rregulluar "borxhet historike" që u ka shqiptarëve Perandoria Osmane, në fakt
mbështesin politikën e propagandën serbe se nënkuptojnë që sherret midis shqiptarëe e serbëve po i
bëka Amerika për interesat e saj. Serbët vazhdimisht kërkojë e gjejnë tellallë, të vetëdijshëm ose të
pavetëdijshën, në radhët e shqiptarëve që t’i përcjellin opinionit publik shqiptar tezat dinake serbe
se serbët e shqiptarët duhet të kenë gjithmonë një "armik të përbashkët" jashtëballkanik, se ky duhet
të jetë armiku kryesor për shqiptarët, edhe kur këta vihen në shënjestër nga serbët. Ja pse dalin
shkrime në shtypin e Shqipërisë që edhe në shekullin XIX armik kryesor i shqiptarëve të paraqitet
Perandoria Osmane e jo Rusia, që edhe në shekullin XX armik i shqiptarëve të paraqitet Turqia e
jo Serbia e Rusia, që edhe në shekullin XXI shqiptarët të rropaten për "borxhet historike"
imagjinare që u paska Turqia, jo për borxhet e mëdha që u ka Serbia, të ruhen nga dashuria për
interes që tregon ndaj shqiptarëve Amerika, jo nga armiqësia e egër që po shfaq ndaj tyre Rusia.
Të gjitha këto duhen vendosur në sfondin e njohur historik, jo në trillimet propagandistike të atyre
që duan të bindin shqiptarët të bëjnë mikun armik e të servilosen për dashamirësi nga armiku.
Studiuesi amerikan i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, Zakari Karabell, shkruan pikërisht
tani vonë se: "Osmanët e humbën gradualisht epërsinë që kishin dhe monarkitë e Europës dhe të
Rusisë e përmbysën valën në fund të shekullit XVIII. Madje dhe atëherë Perandoria Osmane u
lëkund por nuk u shemb" ("Njerëzit e librit. Historia e harruar e Islamit dhe e Perëndimit" 2007,
fq.165) Pikërisht në këtë kohë Rusia i imponoi Perandorisë Osmane që në Traktatin e Kuçuk
Kanarxhisë (1774) të përfshihej klauzola që Rusia të njihej si mbrojtëse e popullsive të krishtera
ortodokse të Perandorisë Osmane, sikurse u njohën si mbrojtëse të tilla edhe Franca për katolikët
dhe Anglia mër protestanët.
Në të njëjtën kohë Perandoria dobësohej dhe nga pashallëqet e mëdha, gati si shtete më vete, që po
krijoheshin me radhë nga Ali Pasha në Janinë, Bushatllinjtë në Shkodër dhe sidomos Mehmet Aliu
në Egjipt, pra të gjithë shqiptarë. Mehmet Aliu kërcënoi madje të rrëzonte Sulltanin e t’i zinte
vendin dhe në vitin 1833 Sulltani iu drejtua Rusisë për ndihmë kundër Pashait shqiptar të Egjiptit.
Ndërhynë Anglia dhe Franca për t’ia hequr këtë shans nga dora Rusisë, detyruan Mehmet Aliun të
tërhiqej e të kënaqej me njohjen e të drejtës së një dinastie mbretërore të trashëgueshme të tij në
Egjipt. Perandoria Osmane tashmë e kishte marrë emrin " i sëmuri i Bosforit" dhe Sulltani mbahej
vetëm në saje të kontradiktave midis fuqive të tjera dhe të manovrimeve të shkëlqyera që bënin
diplomatët e tij. "Osmanët ishin përballë faktit se ekzistenca e tyre e mëtejshme varej nga vendet
europiane që i kishin shpëtuar më 1839 ( libri i Karabell fq.210).
As reformat e Tanzimatit për modernizim, sipas modeleve evropiane, nuk sollën përmirësim të
gjendjes, përkundrazi u shoqëruan me probleme të reja. Ishin përsëri Anglia dhe Franca që me
luftën e Krimesë në vitin 1856 kundër Rusisë i dhanë frymëmarrje të re " të sëmurit të Bosforit".
Fitorja e europianëve dhe osmanëve në Luftën e Krimesë (ku kanë marrë pjesë dhe shqiptarë
mirditorë të përfshirë në ushtrinë osmane me në krye Kapidanin e Mirditës) u shërbeu shumë edhe
shqiptarëve për zgjimin e tyre kombëtar që kishte filluar me Pashallëqet e Mëdha të Janinës e
Shkodrës, e sidomos me kryengritjen më të madhe shqiptare kundër osmanëve të prirë nga Dervish
Cara në Pollog e Kosovë në vitet 1840. Sipas Natali Klejer lufta e Krimesë bëri që të zhvillohet në
mënyrë të ndjeshme konteksti politik e shoqëror i Perandorisë Osmane, sidomos në pjesën
ballkanike të saj dhe reformat e afirmimi i irredentizmave ballkanike që solli kjo luftë nxitën e
kushtëzuan edhe ndërtimet e reja të shqiptarisë. (fq. 708). Pak kohë pas kësaj lufte në vitin 1861
rreziku serbo-grek për shqiptarët mori formën e marrëveshjes për ndarjen e trojeve shqiptare midis
Serbisë e Greqisë (Klejer fq. 189), pra para se të bëhej ajo "marrëveshja e fshehtë" e Sulltanit me
Carin. Marrëveshja e fshehtë serbo-greke ishte konkretizim i dy doktrinave ekspansioniste: të
"Naçertanies" serbe dhe "Megaliidesë" greke. Për të ideuar e përpiluar "Naçertanien" që u lidh me
emrin e serbit Garashanin (1854) puna kishte nisur qysh nga fundi i shekullit XVIII dhe kishin
dhënë ndihmesën e tyre shumë teoricienë e veprimtarë të pansllavizmit nga disa vende sllave e
priftëria serbe dhe fijet tërhiqeshin nga njerëzit e oborrit të Carit rus.
Në kontekstin e zhvillimeve të sotme në Kosovë e në Ballkan rusofilët e serbofilët e mjediseve
akademike në Perëndim ende derdhin lot hidhërimi për atë ndërhyrjen anglo-franceze në luftën e
Krimesë që i dha oksigjen Perandorisë Osmane. Njëri prej tyre, Aleksandër del Valle, në
parathënien e ribotimit të librit të tij "Islamizmi dhe SHBA, një aleancë kundër Europës"(Paris
2001) shprehet me tërbim: "Është e hidhur, themi ne, sepse duhej para Manhatanit (11 Shtatorit
2001, AB) që në emër të unitetit e të qytetërimit euro-perëndimor përballë totalitarizmit islamist të
viheshin me shpatulla në mur strategët e drejtuesit amerikanë që tregoheshin të gatshëm të bënin
ujdi me djallin gjaksor islamo-terrorist me qëllim që blloku ruso-ortodoks të vihej në rrethim, të
tkurrej, të goditej, të smbrapsej dhe në një kohë të shpejtë edhe të asgjësohej, sikurse e pamë gjatë
"luftës së Kosovës", një lufte e re e vërtetë e Krimesë dhe pika kulmore në strategjinë amerikane të
"brezit të gjelbër" kundër botës sllavo-ortodokse" . Në të njëjtën kohë me këtë studiuesin del Valle
edhe antimyslimanja e tërbuar, frymëzuesja e islamofobëve të etur në Shqipëri, gazetarja e
shkrimtarja italiane, Oriana Falaçi, qortonte ashpër SHBA pse kishin ndihmuar myslimanët në
Afganistan t’i bënin ballë agresionit sovjetik dhe nuk u kishin lënë dorë të lirë rusëve të masakronin
deri në fund "bijtë e Allahut".("Krenari dhe mllef" 2001).
Kriza Lindore (1875-1881) që nisi me revoltat në Bosnje-Hercegovinë , të pasuara nga shpallja e
luftës nga Serbia kundër Peradorisë Osmane në qershor të vitit 1976 e pastaj hyrja në luftë e Rusisë
e shkundi mirë Perandorinë Osmane dhe e zhyti në vorbullin e ngjarjeve ku do të mbytej
përfundimisht në vitet LPB, 1914-1918, siç e pësoi edhe Perandoria e Austro-Hungarisë . Ja pra,
për çfarë arsyesh Perandoria Osmane shkonte në Kongresin e Berlinit me këmbë e duar lidhur dhe
nuk mund të ishte ndonjë mbrojtëse e fuqishme dhe efikase e trojeve etnike shqiptare që i
lakmonin serbët e grekët. Por gjithsesi edhe në këto kushte të vështira përfaqësuesi i Perandorisë
Osmane në Kongresin e Berlinit, Mehmed Ali Pashha në seancën e 26 qershorit 1878 ka
këmbëngulur që kazatë shqiptare të Vuçitërnit, të Kurshumlisë, të Prokuples dhe të Leskovcit të mos
shkëputen nga Perandoria (prof. Eshref Ymeri citon sipas librit të prof. Arben Putos, gazeta
"Republika 10 janar 2008). Pra është pa bazë pretendimi mbi të cilin Engjëll Koliqi ka ngritur tërë
shkrimin e tij.
Në saje të rezistencës së shqiptarëve nën drejtimin e Lidhjes së Prizrenit, në saje të manovrimeve që
bëri diplomacia osmane në Jug trojet shqiptare mbetën të pacenuara nga grekët, ndërsa në Veri ato
u cenuan në dobi të Serbisë ( që u njoh tashmë shtet i pavarur, sikurse Mali i Zi dhe Rumania) e
Malit të Zi, jo sa dëshironin këta grabitqarë dhe Rusia. Edhe Ulqinin e Tivarin Perandoria Osmane
i detyroi shqiptarët t’i lëshonin, sepse demonstruan forcën flotat detare europiane.
Turqia, shtyllë e fortë e gjeopolitikës së dobishme për çështjen shqiptare
Zhvillimi më i rëndësishëm për shqiptarët në kohën e kësaj "krize Lindore" (1875-1881) ishte
"shfaqja për herë të parë e nacionalizmit shqiptar, d.m.th. Lidhjes së Prizrenit... Dalja në arenën
publike e nacionalizmit shqiptar në këtë kohë është e pamohueshme në kundërshtim me
interpretimet e kundërta që duan ta paraqesin Lidhjen si një lëvizje reaksionare të drejtuar nga
autoritetet osmane" (N. Klejer fq.246).
Mirëpo në Shqipëri ka shkrues si Gjetë Kola që i vihet punës me zell të madh për ta paraqitur
Lidhjen e Prizrenit si një tubim të kotë fshatarësh analfabetë e të pagdhendur që vetën dinin të vinin
gishtin e ngjyer me bojë mbi një copë letër. Ndërsa shqiptarët dhe Europa e kanë mësuar me kohë
se Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i paparë shqiptar në shkkallë kombëtare, që
kërkonte vendin e vet në skenën poltike e diplomatike europiane. Lidhjen e Prizrenit e frymëzuan
dhe e përgatitën nga ana ideore burra të shquar dijetarë, e ngritën në këmbë dhe i prinë në beteja
atdhetarë të përkushtuar, pashallarë të dëgjuar, klerikë me emër, pari e mençur popullore dhe për aq
kohë sa ekzistoi ajo përmbushi detyra të mirëfillta dhe të vështira shtetërore.
Me shumë vlerë është përfundimi i parë kryesor që nxjerr Natali Klejer në mbyllje të studimit të saj:
"Nacionalizmi shqiptar dhe më gjërësisht shqiptaria, nuk është pra aq i veçantë, siç thuhet në
përgjithësi. Ai vendoset në të njëjtin kontekst, sikurse nacionalizmat tjerë ballkanikë në shekullin
XIX" ( fq. 707). Me këtë ajo përforcon meritën e Lidhjes së Prizrenit.
Veçse ky nacionalizëm shqiptar, i lindur në të njëjtën kohë me nacionalizmat tjerë ballkanikë dhe
në kushtet e rënies e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ndryshonte shumë në natyrën e tij nga
nacionalizmat sllavë e grekë, kishte mision kryesor mbrojtës e jo ambicie ekspansioniste; ishte
nacionalizëm që nuk ndikohej nga ndonjë fanatizëm fetar dhe as luante rolin e veglës së ndonjë
shovinizmi shtetomadh jashtëballkanik. Kuptohet se nacionalizmi shqiptar nuk mund të kishte
ndaj Perandorisë Osmane në rënie të njëjtat synime e të njëjtin agresivitet si nacionalizmat tjerë
ballkanikë.
Mbase tani duhet thënë se veprimtarë të shquar të shqiptarizmit e përpunues të nacionalizmit
shqiptar kanë gabuar në atë kohë kur e tepronin me akuza ndaj Perandorisë Osmane e me lebetitje
të forta për fatkeqësitë e shqiptarëve nën këtë Perandori, duke shkuar me shpresën iluzore se kështu
do të preknin telat e zemrave të europianëve që mbetën krejt të ngurta e të akullta dhe vetëm shtuan
përçmimin dhe keqtrajtimin ndaj shqiptarëve. Një dukuri të ngjashme e kemi vënë re edhe pas vitit
1990 kur shumë politikanë e propagandistë shqiptarë e quanin trimëri të madhe e bëheshin
demokratë të mëdhenj vetëm duke poshtëruar çdo gjë shqiptare të kohës së komunizmit.
Dihet se Perandoria Osmane, megjithë telashet e saj, e ndihmoi afirmimin e nacionalizmit
shqiptar në kohën e "Krizës lindore" e të Lidhjes së Prizrenit. Kurse Turqia e re (që për simpati
ndaj shqiptarëve është si Rusia ndaj serbëve) prej dekadash është bërë një nga shtyllat kryesore të
gjeopolitikës e të gjeostrategjisë amerikane në zonën e Ballkanit, të Mesdheut Lindor, të Lindjes së
Mesme e tani të Azisë Qendrore, një hapësirë e gjërë që edhe për shumë kohë do të mbetet
epiqendra e garave ekonomike, sidomos për naftën e gazin, e ballafaqimeve politike, kulturore,
fetare dhe e konflikteve të mëdha gjeostrategjike botërore nga Adriatiku në Pamir e Gjirin Persik.
Prandaj dora ngatërrestare ruse futet gjithandej për të trazuar Ballkanin dhe për këtë qëllim
Kremlini përpiqet të shfrytëzojë problemin e Kosovës shumë përtej angazhimeve të tij për të
mbështetur këlyshin e vet me të bindur, Serbinë.
Por Kremlini vazhdon të punojë me të njëjtin stil në tërë boshtin politik-ortodoks në Ballkan, edhe
pse tre shtete të kësaj zone Greqia, Bullgaria dhe Rumania tashmë janë në NATO e në BE. Në
Moskë e dinë se stomakun këto shtete mund ta mbajnë në BE, por shpirti i tyre nuk ndahet nga
Moska dhe herë pas here mund të përdoren si partnerë të saj në "ruletën ruse" në Ballkan ". E pamë
fare qartë këtë menjëherë pasi Perëndimi e tha hapur se bisedimet shtesë 120 ditore shqiptaro-serbe
treguan se është e kotë të vazhdohet më tej me bisedime për statusin Kosovës. Menjëherë u bënë
bashkë tre anëtarët ortodoksë ballkanikë të NATO-s e të BE-së Greqia , Bullgaria dhe Rumania që
t’u sugjeronin shqiptarëve të Kosovës të hynin sërish në bisedime për të arritur një kompromis që të
mos mbetej i zemëruar e të mos ndjehej i izoluar Beogradi. Nuk duhen shumë mend të kuptohet se
pas kësaj nisme qëndron Moska. Ja pra, si vazhdon të funksionojë boshti politik-ortodoks në
Ballkan. Nuk do shumë mend për të kuptuar se kush i jep direktiva udhëheqësisë kosovare që
përballë veprimeve aktuale të këtij boshti të nisë sherrin diplomatik me Turqinë për hesape e mërira
të para një shekulli e gjysmë, synon të privojë shqiptarët nga miqësia e mbështetja e Turqisë.
Një veprim i tillë është në shërbim për lojërat që kurdis blloku i ortodoksisë ruso-ballkanike në dëm
të shqiptaërve. Prandaj janë "këshilla Djalli" ato që jep Engjëll Koliqi që shqiptarët e Kosovës, të
sulmuar egërsisht nga ariu rus e çakalli serb, të turren me mërira të vjetra për osmanët kundër
Turqisë dhe të bëhen kështu mercenarë vullnetarë të gjeopolitikës së Rusisë në Ballkan. "Larjet e
hesapeve" historike me Turqinë, siç propozon Engjëll Koliqi, janë lënie peng e interesave të
shqiptarëve tek fajdexhinjtë e matrapazët e diplomacisë ruse e serbe.
Turqisë nuk mund t’i kërkohen borxhet e Europës
Historia duhet mësuar siç është krijuar dhe në shërbim të të drejtës, të të mirës e të interesave të
ligjshme të sotme. Në vitin 1878 Perandoria Osmane shkoi në Kongresin e Berlinit si shtet tejet i
dobësuar, i mundur në luftë nga Rusia, por që shpresonte të lehtësonte disi kushtet kapitullimit të
saj, meqenëse fuqitë e mëdha europiane donin të kufizonin përfitimet e Rusisë nga fitorja e saj në
luftë. Kështu fuqitë europiane nuk kishin shkuar në Berlin vetëm për të marrë shënim e për të
përligjur "marrëveshjet e fshehta midis Carit e të Sulltanit". Aleksandër Lamber e vë në dukje se
pak njerëz në botë janë të informuar për ndihmesën që kanë dhënë shqiptarët për njerëzimin e
qytetërimin dhe "duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i
shqiptarëve nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të veçantë nga ai evropian që nga Kongresi i
Berlinit (1878) e këtej. Në të vërtetë pas mundjes së turqve në luftën ruso-turke shtypi
ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët, duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm
të Ilirisë të banuar nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirët- shqiptarë"
("Panorama" 30 nëntor 2007).
Por Engjëlli përpiqet ta shtrembërojë historinë sepse nuk i pëlqen t’i trajtojë si të tilla borxhet reale
historike që ka Europa ndaj shqiptarëve. Atij i shijon më shumë "puna e Djallit", i lypset të gjejë
vetëm "marrëveshje fantazëm" që duhej t’i kishte bërë Sulltani Osman kundër shqiptarëve, sepse
kështu Engjëlli llogarit të hapë rrugën që padrejtësitë e mëdha që i ka bërë Europa kombit shqiptar
t’i rregjistrojë në kolonën "borxhe historike të Turqisë ndaj Kosovës e shqiptarëve". Për këtë të bind
edhe më shumë vetë Engjëlli kur shtrembëron edhe një herë tjetër të vërtetën historike dhe shkruan
se kur në vitet 1912-13 u lanë jashtë nën sundimin e pushtimin serbe grek (jo në administrimin
serb e grek siç shprehet Engjëlli) dy të tretat e tokave tona etnike shqiptare: "Në fakt Konferenca
e Ambasadorëve në Londër (1912/1913) vetëm që kishte ripërligjur marrëveshjen famëkeqe ruso-
turke të vitit 1878".
Ja kështu, krejt pa papritur, në ditët e para të vitit 2008 na shfaqet në shtyp një "historian i madh"
dhe shumë i çuditshëm shqiptar që përmbys kokë e këmbë gjithçka që ka thënë e shkruar
historiografia shqiptare dhe e huaj deri më sot për luftrat ballkanike në vitin1912, për Konferencën
e Londrës mbi përcaktimin e statusit dhe të kufinjëve të Shqipërisë; gjithçka kanë lënë si dëshmi
shumë pjesëmarrës e vëzhgues bashkëkohës të atyre ngjarjeve. Sipas Engjëll Koliqit mbretëritë
ballkanike që sulmuan trojet shqiptare, që ishin ende nën pushtetin perandorak osman në tetor të
vitit 1912, nuk paskan bërë kurrfarë agresioni e ekspansioni kundër shqiptarëve, por vetëm kanë
zbatuar në terren një marrëveshje të fshehtë osmano-ruse të vitit 1878. Sipas këtij Engjëlli, që nuk e
paska zor të përmbysë të vërtetat historike siç i kemi njohur, nuk paskan qenë 6 fuqitë e mëdha
europiane të kohës (Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia, pesë nga të
cilat janë dhe në Grupin e Kontaktit për Kosovën) që u mblodhën në Londër në vitet 1912 e 1913
dhe copëtuan në mënyrën më të padrejtë kombin e trojet shqiptare, por paskan qenë sunduesit
osmanë që këto tërritore ua dhuruan serbëve. Ndërsa 6 fuqitë e mëdha paskan bërë vetëm "rolin e
noterit" të tjetërsimit ruso-osman të trojeve shqiptare. Sipas gjykimeve aspak engjëllore të Koliqit
edhe tani që fuqitë e mëdha e stërzgjatën pa nevojë e pa kuptim procesin e përcaktimit të statusit e
të kufijve të Kosovës së pavarur ( pjesë e çështjes së pambyllur kombëtare shqiptare prej një
shekulli e gjysmë) shqiptarët u dashka të akuzojnë e mallkojnë vetëm osmanët për tragjedinë që u
ka ndodhur dhe si borxhlinj historikë sot duhet të quajnë vetëm turqit.
Edhe për Gjetë Kolën: "E vërteta është se fajtor real për copëtimin e trojeve etnike shqiptare në
përfundim të luftës ballkanike është politika asimiluese që pushtuesi turk kishte ndjekur ndaj
shqiptarëve për disa shekuj. Shteti shqiptar nuk mund të ndërtohej me analfabetë, prandaj Fuqitë
Europiane ia dhanë serbëve dhe grekëve trojet etnike me shumicë shqiptare, duke hequr një pjesë
të përgjegjësisë me njohjen e shtetit të vogël shqiptar në rajonet me strukturë fetare homogjene të
popullsisë... ". ( a thua se serbët në atë kohë ishin "të shkolluarit e dynjasë"!).
Gjeta duhet të ketë alergji ndaj shkrimeve si "Intrigat ruso-franceze, e lanë Kosovën në mëshirë të
Serbisë" ("Shekulli" 1 korrik 2007) ku pasqyrohet korrespondenca e Aleksandër Izvolskit, njërit
nga diplomatët më të shquar të diplomacisë ruse dhe ideator i Aleancës ballkanike më 1912 dhe
lojërat që u bënë në kurriz të fatit të Shqipërisë më 1912. Gjetë Kola si alergjik ndaj të vërtetave
historike duket nuk e ka lexuar, edhe po ta ketë parë në gazetë, letrën e pabotuar të Edit Durhamit
"Kosova u mor me tradhti" ("Rilindja Javore" Tiranë 31 mars-6 prill 1996). Këtë letër Durhami ia
ka dërguar kapitenit Vandelei Robinson më 5 shkurt 1943, por bën fjalë për ngjarje të viteve 1908-
1912 në trojet shqiptare dhe dëshmon si përdorën serbët mashtrimin dhe tradhtinë ndaj shqiptarëve
për të gllabëruar tokat e tyre kur këta po luftonin për bashkimin e katër vilajeteve dhe për çlirim
nga sundimi turk, Gjetë Kola me siguri tërbohet po t’i sugjerosh të lexojë fjalët e Bedri Pejanit në
Kongresin ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të popujve në Gjenevë në vitin 1920 se : "Më
1918 Kosova u pushtua nga trupat franceze të paraprira nga kryengritësit tanë që luftonin kundër
pushtuesve austro-hungarezë qysh më 1916. Për të qetësuar demonstratat e armatosura kombëtare
të 21 tetorit 1918 komandanti francez u detyrua ta përfundonte fjalimin e tij duke thirrur nga
lartësia e ballkonit të bashkisë së Pejës "Rroftë Shqipëria e Madhe" ("Rilindja 4 Maj 1999).
Sa keq dhe sa turp që edhe në fillim të shekullit XXI ka politikanë e intelektualë shqiptarë që e
quajnë trimëri politike të mallkojnë termat "Shqipëri e Madhe". Shyqyr që në kohën kur
pavarësohej Shqipëria të shkolluarit e saj nuk ishin në nivelin e me mendësitë e Gjetë Kolës(!).
Mjerë Shqipëria sot që ka edhe të "shkolluar" me mendësi si të Gjetë Kolës që merr guximin të
fyejë shumë breza shqiptarësh dhe pasardhësit e tyre të gjallë duke lëshuar fjalitë marroqe:
"kolonizatorë t turq i kishin kthyer shqiptarët në kavie të pavetëdijshme dhe prej disa shekujsh i
përdornin mish për top për përmbushjen e interesave të veta ekspansioniste në dëm jo vetëm të
popujve të Ballkanit, por edhe më gjërë" ( gazeta "Republika" 26 shtator 2007).
Veçse nuk dihet çfarë do të ishin, në pikëpamje të fizionomisë kombëtare, banorët e trevave të
sotme etnike shqiptare, sepse proceset e sllavizimit e të helenizimit që bënin kërdinë edhe para
mbërritjes së osmanëve do të ishin përforcuar e përshpejtuar dhe jo ngadalësuar e zbehur. Studiues
të shumtë seriozë kanë vënë në dukje se ortodoksia sllavogreke ishte për zhdukjen e katolicizmit,
asimilimin e banorëve të trevave ilire por katolicizmi u tregua krejtësisht i pafuqishëm për të
penguar këtë fushatë asimiluese e konvertuese të banorëve katolikë të këtyre anëve, deri kur procesi
u frenua pikërisht nëpërmjet përhapjes së myslimanizmit.
Kurse Aleksandër Lamber flet ndryshe: "Europa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë,
të Serbisë dhe të Malit të Zi në kurriz të shqiptarve. Asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk e ka
mbështetur çështjen shqiptare kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e
tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë"
("Panorama" 30 Nnëtor 2007). Lamber thekson se dhe njohjen e pavarësisë në Konferencën e
Londrës shqiptarët e paguan shumë shtrenjt. Shqiptarët humbën gjysmën e territoreve "Dhe që nga
kjo kohë bota filloi të përdorë shprehjen "Shqipëri e Madhe" duke i paraqitur keq shqiptarët dhe
duke dekurajuar çdo dëshirë të tyre që të formonin në mënyrë të ligjshme shtetin komb shqiptar"
(po atje).
Nuk përgjigjet Turqia se janë kundër Kosovës Serbia e Rusia
Engjëlli sikur synon t’ia kalojë në mbrapshti edhe vetë Djallit që shtyu Adamin e Evën të bënin
"mëkatin e parë" dhe ka shtyrë shumë shqiptarë të bëjnë mëkate kundër kombit të tyre. Engjëll
Koliqi përpiqet ta zvoglojë, ta kalojë në plan të dytë e të tretë fajin e përgjegjësinë që mban Rusia
për mbështetjen e përhershme të shovinizmit serb kundër shqiptarëve dhe për pengimin e
deritanishëm të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Njëra nga direktivat e Engjëll Koliqit për udhëheqësit e Kosovës formulohet kështu: "Njëkohësisht
autoriteteve turke u duhet kërkuar që urgjentisht të ndikojnë me tërë autoritetin dhe fuqinë
diplomatike që kanë, tek autoritetet e Kremlinit në Moskë që t’i detyrojnë ata të heqin dorë nga
bllokada e paligjshme që Putin me kompani po i bën progresit të pavarësimit nga Serbia dhe të
vendosjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës. Janë shumë rrethana që autoriteteve të Turqisë u
japin instrumente me argumente diplomatike për të ndihmuar në këtë drejtim". Sipas këtij Engjëlli
shqiptar, Turqia jo vetëm u dashka të bëjë një gjë që ende nuk kishte arritur ta bënte SHBA, për të
thyer rezistencën e Rusisë në mbështetje të qëndrimeve antishqiptare të Serbisë, por Turqia po të
dojë paska mjete e argumente edhe më të forta se SHBA për ta ulur në gjunjë Rusinë.
Pra, Engjëll Koliqi do të thotë se deri tani çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës qenka
zvarritur nga Rusia për faj të Turqisë, sepse nuk ka dashur Turqia që procesi i njohjes të merrte
fund. Shumë qesharake e fëminore, apo tejet provokuese dhe djallëzore?! Edhe sikur Turqia e
sotme të kishte në arenën ndërkombëtare atë peshë, atë fuqi, atë rol që kishte Perandroia Osmane në
kulmin e fuqisë së saj nën Sulltan Sulejmanin e Mrekullueshëm, në shekullin XVI, një kërkesë e
tillë për të shtrënguar Rusinë të bjerë në gjunj nuk mund t’i bëhet. Për fat të mirë të shqiptarëve
mbështetjen për çështjen e drejtë të Kosovës e ka marrë në dorë superfuqia e vetme e botës, SHBA,
e cila e ka ditur gjatë gjithë kohës si po pengonte Rusia dhe është përpjekur në mënyrën më serioze
e me vendosmëri të heqë këtë pengesë. Shqiptarët për këtë i janë dhe duhet t’i jenë mirënjohës për
jetë Amerikës. Është marrëzi qesharake, por dhe djallëzi foshnjarake që udhëheqësve të Kosovës
t’u dërgohet si direktivë politike që fajin për ngecjen e deritanishme të njohjes t’ia lënë si dobiç në
derë Turqisë dhe të mashtrojnë shqiptarët se përgjegjësia i duhet ngarkuar Turqisë.
Engjëll Koliqi besoj se i ka aq mend dhe aq dijeni sa të kuptojë se jo udhëheqësit e Kosovës, por
asnjë shqiptar me gjykim normal nuk ua vërshëllen direktivave që tingëllojnë si "këshilla Djalli".
Është e qartë se ai me vetëdijë të përdhosur nga pasione të pakontrolluara antimyslimane,
antiosmane, antiturke hyn në lojërat propagandistike që kanë qejf armiqtë e pavarësisë së Kosovës
dhe bie në pozita qesharake. Madje nuk ndalet me kaq sepse u jep udhëheqësve shqiptarë në
Kosovë një direktivë të fundit në formë ultimatumi : "Nëse Turqia nuk përfill këto kërkesa, atëherë
përmes kanaleve diplomatike dhe të drejtësisë ndërkombëtare duhen parashtruar pyetjet me
kërkesa për dëmshpërblimet e luftës dhe të okupimit 535 vjeçar mbi tokat tona si dhe sqarimin e
rrethanave të dhënies së kredisë financiare të vitit 1998 me të cilën Ankaraja zyrtare ia mundësoi
kryekriminelit Slobodan Milosheviç financimin e makinerisë së luftës në Kosovë".
Deri tani nuk kishim marrë vesh se Turqia i paska dhënë kredi Milosheviçit për të organizuar
gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, bash në vitin kur nisi ky gjenocid masiv, në vitin1998.
Edhe Engjëlli këtë "lajm" e lëshon ashtu kalimthi , si lopa bajgën duke ecur rrugës, pa shtuar
ndonjë sqarim. Deri tani dinim se Turqia kishte luajtur një rol të madh në mbështetjen e viktimave
të agresionit, të spastrimit etnik e të gjenocidit serb në Bosnje. Kishim vënë re me admirim si dy
zonja të shquara, kryetare qeverishë, Tansu Çiller kryeministre e Turqisë dhe e ndjera Benazir
Buto kryeministre e Pakistanit, shkuan bashkërisht në Bosnje në kohën e luftës pikërisht për të
kundërshtuar politikën agresive vrastare të Serbisë. Kishim marrë vesh se Tansu Çiller, Presidenti i
Turqisë Sulejman Demirel, gjithë pushtetarët, ushtarakët e populli i Turqisë në vitin 1997 reaguan
më me vendosmëri se kushdo tjetër për ta detyruar Greqinë të ndalte agresion kundër Shqipërisë
dhe të mos shkonte shumë larg në planet e saj për copëtimin e Shqipërisë gjatë rebelimit në
Shqipërinë e Jugut. Dimë gjithashtu se në vitin 1999 aviatorët ushtarakë turq kanë qenë më të
gatshmit e më papërtuarit për të kryer misione ushatarake në ndihmë të Kosovës në kuadër të
fushatës bombarduese të NATO-s kundër Serbisë.
Por ja që tani na shfaqet një Engjëll Koliq dhe na "zbulon" se Turqia paska dashur dhe paska
financuar gjenocidin milosheviçian në Kosovë(!) dhe udhëheqësit e Kosovës diplomacinë e shtetit
të pavarur u dashka ta fillojnë me kërkesa për dëmshpërblime lufte nga Turqia për llogari të
Perandorisë Osmane dhe me llogari për kreditimin nga Turqia të gjenocidit milosheviçian, para se
kërkesa të tilla diplomacia kosovare t’ia bëjë vetë Serbisë.
Cili është Djalli që kurdis kësi tellalli?
Është e pabesueshme që të tilla gjëra mund t’ia shtijë në

mendje Engjëllit shqiptar ai Djalli për të cilin flitet në Bibël e në Kuran. Vetëm ndonjë djalli
tokësor që merret kryesisht me mbështetjen për politikën antishqiptare të Serbisë e të Rusisë mund
t’i vijë në mendje dhe t’i shkojë përdoresh të japë këshilla e të lëshojë ultimatume të tillë. Po nga e
gjeti vallë këtë Engjëllin tonë ky djall i veçantë?! Individë të tillë dalin, kultivohen dhe veprojnë në
një terren politiko-psikologji k të caktuar; janë veprimtarë brenda një dukurie të caktuar historike,
kulturore; bëhen përvetësues, bartës e përhapës të një mendimi të caktuar politik.
Shkrimi i Engjëll Koliqit nuk është i vetmi i kësaj natyre, por është më i riu në një seri shkrimesh të
tilla dhe nuk do të jetë i fundit. Ky shkrim nuk është lajthitje çastit, as veprim i rastit. Një shkrim
shumë i gjatë (6 faqe gazete) me frymëzim të njëjtë politiko-fetar, me qëllime të njëjta, me
shtrembërime historike të ngjashme, me manipulime të shpëlara për të paraqitur armikun e
shqiptarëve si mik të tyre dhe për të njollosur miqtë më të mirë historikë e aktualë të shqiptarëve,
Turqinë e turqit, si armik të tyre është botuar me autorsinë e avokatit Gjetë Kola gjatë gjithë muajit
shtator 2007 në tri të përditëshme të Tiranës: në "Ballkan" (datat 5,6,7 shtator), në "Ndryshe" (një
javë nga një faqe në mes të shtatorit) dhe në "Republika" ( datat 26,27,28 Shtator). Shkrimi i Gjetë
Kolës binte në sy sidomos për tituj të tillë "Pushtimi serb e grek, pasojë e pushtimit turk", "E drejta
e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje është njohur ( nga Serbia) qysh në korrik të vitit 1945",
"Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë janë provokuar nga serbët".
Shkrimi i Gjetë Kolës, avokatit me origjinë nga Fani i Mirditës, është 12 herë më i gjatë se shkrimi
prej gjysmë faqeje i Engjëll Koliqit dhe rrok një diapazon shumë më të gjërë çështjesh që janë jashtë
sferës së interesit të një avokati të rëndomtë në Shqipëri dhe që kërkojnë kualifikime të posaçme në
fushat e të drejtës e të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, të zhvillimeve në Kosovë në kohën
e sundimit serbo-sllav. Ky shkrim u botua në shtypin e Tiranës pikërisht në kohën kur nisën
bisedimet shtesë shqiptaro-serbe, që dihej se i ishin krejt të kota, por që krijonin shqetësim e rrezik
të madh se mund të përdoreshin për të përkeqësuar më tej pozitën e shqiptarëve në Kosovë, pasi këta
kishin bënë tashmë tërë lëshimet e mundshme që të formulohej "Plani Ahtisari", por përsëri serbët e
rusët nuk kënaqeshin. Prandaj çdo shkrim që mjegullon historinë, që shpërfytyron të vërtetat
historike për Kosovën e shqiptarët, që tenton të ngatërrojë mikun e armikun në mendjen e
shqiptarëve është djlallëzor dhe antishqiptar.
Shkrimi i Engjëll Koliqit, në pjesën arsyetuese ngjan si një konspektim shkel e shko i shkrimit të
Gjetë Kolës dhe është hedhur me nxitin në publik publik pas përfundimit të bisedimeve shtesë, kur
nisi faza më e acaruar diplomatike përmbyllëse e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës. Në
pjesën "urdhëruese" shkrimi i Koliqit është më arrogant e më i egër se shkrimi i Gjetë Kolës për
trysni mbi politikën kosovare. Për më tepër në këtë pjesë "urdhëruese" shkrimi i Koliqit ripërtërin
një tezë të çuditshme që e kishim ndeshur 10 vite më parë lidhur me frikën që duhet të ketë Turqia
nga e drejta dhe mundësia që shqiptarët t’i kërkojnë asaj dëmshpërblime lufte për periudhën e
sundimit osman.
Në gazetën "Bota Sot" (me të cilën kam bashkëpunuar për gati 10 vjet dhe kam pasur rubrikën
time gati të përditëshme "Kronikë kohe") më 23 tetor 1997 njëri nga drejtuesit e gazetës,
shkrimtari e publicisti i njohur nga Kosova, ish i burgosuri politik në Goli Otok, Teki Dervishi, në
rubrikën e tij "Aparati i ri i iluzioneve" kishte botuar shkrimin me titull "Fabrika për prodhimin e
turqëve", ku pasi i paraqiste edhe turqit e sotëm armiq të mëdhenj të shqiptarëve, sikurse osmanët e
dikurshëm, kishte vënë dhe fjalitë: "Turqia sot është kundër krijimt të një shteti të madh e të fortë
shqiptar, sepse një shtet i tillë do të kërkojë prej saj dëmshpërblimete luftës e të gjenocidit që ajo
bëri kundër shqiptarëve me dorën e instrumentalizuar të politikës hegjemoniste serbe e greke ... Në
saje të ekzistimit të shtetit dhe të kombit turk ekziston kombi dhe shteti serb. Miku im Baleta do të
pyesë: Pse".
Natyrisht unë nuk e pyeta asnjëherë "Pse?, jo vetëm se zotëri Teki Dervishi dhe unë shkruanim në
të njëjtën gazete dhe duhej ruajtur ajo nga dëmi që do t’i sillte një polemikë e brendshme, por më
shumë për faktin se unë e dija fare mirë që nuk ishte ashtu dhe pse dikush po shkruante ashtu. Unë
si shumë të tjerë e kam ditur mirë me kohë, edhe para se të njihesha me shkrimin e Dervishit, që
tezat se fatkeqësia më e madhe historike e shqiptarëve janë osmanët e turqit i kishin sajuar dhe i
kishin përhapur propagandistë t e politikës serbe për të mashtruar e izoluar shqiptarët.
Kam polemizuar me shkrime ku janë pasqyruar këto teza, si në rastin e botimit më 12 gusht 2001
në "Korrieri" të pamfletit "A gjallon Ballkani" ku kryespecialisti e kryekëshilltari i udhëheqësve
serbë për marrëdhëniet ndërkombëtare, Predrag Simiç, ritheksonte mashtrimin se: "Burimi më
problematik i konflikteve etnike dhe territoriale në Ballkan, në Kosovë Metohi është pasoja e
konflikteve midis shqiptarëve që u konvertuan në Islam në shekullin XVI dhe u bënë vegël e
sundimit osman (nga njëra anë) dhe kombeve të krishterë fqinj (nga ana tjetër)". Predragu me këtë
nënkuptonte se sikur shqiptarët të mos ishin bërë myslimanë dhe të kishin mbetur në fenë e sllavo-
grekëve do të ishte i qetë Ballkani sot. Kësaj teze i përmbahen edhe shkrimet me të cilët po
polemizojmë këtu. Del dhe ndonjë më i zellshëm se Predragu që thekson se "dëmin më të madh nga
ky konvertim e pësuan vetë shqiptarët".
Në gazetën "Rimëkëmbja" në vitin 2002 dhe në librin tim "Kundërshpifografi" , 2005, fq, 472 e
kam shpjeguar se Teki Dervishi me referohej mua në atë mënyrë, sepse : "Mbi të gjitha nuk i
pëlqenin analizat e mia për rolin pozitiv që ka luajtur myslimanizmi në jetën e kombit shqiptar"
dhe se ai "ishte dhe është një denigrues i paepur i rolit të Perandorisë Osmane në jetën e
shqiptarëve. Më ka lënë qysh në fillim përshtypjen (jam takuar vetëm një herë me të) se i përkiste
atij grupi intelektualësh në Kosovë që, ndonëse janë të besimit islam në prejardhje, duan
konvertimin e shqiptarëve në katolicizëm".
Polemika për rolin e myslimanizmit e të Perandorisë Osmane në fatet historike të shqiptarëve
kishim bërë dhe më herët me intelektualë e propagandistë të tjerë shqiptarë. Tani pas shumë vitesh
dallohet edhe më qartë ai filli që ka përshkruar shumë shkrime me të cilët kemi polemizuar rreth
këtyre temave ku përfshihen edhe dy shkrimet që nuk i kishim prekur, ai i Gjetë Kolës, i shtatorit
2007 dhe ky i Engjëll Koliqit 2008, por që nuk bën më të lihen fare në heshtje, sepse janë
provokues e çoroditës pikërisht për çështje shumë të mprehta historike e politike që duhet t’i kenë
sa më të qarta shqiptarët.
Për fat të mirë qysh nga viti 1998 shqiptarët që duan të mësojnë e të kuptojnë filozofinë e historisë
dhe thelbin e veçanësitë e zhvillimit të mendimit politik shqiptar, të formimit e të afirmimit të
kombit shqiptar dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare, si dhe shkaqet e pengesat e mospërmbushjes
deri tani të objektivave kombëtare shqiptare, kanë në shërbim të tyre veprën studimore shkencore
të politologut Hysamedin Feraj "Skicë e mendimit politik shqiptar". Kur analizohen shkrime si
ato që u përmendën të Engjëll Koliqit, Gjetë Kolës, Teki Dervishit dhe të tjerëve vlen shumë
përfundimi ku ka arritur pas studimeve të tij politologu Feraj: "Nacionalizmi shqiptar paraqitet si
vijues i njërës prej dy traditave themelore politike shqiptare të krijuara gjatë disa shekujve. Këto
dy tradita nga ana vet ishin formësuar si zgjedhje në situatën që do të quhet "metafizika politike e
shqiptarëve", situata e përhershme për të zgjedhur jo ndërmjet të mirës dhe më të mirës, por
ndërmjet të keqes dhe të keqes më të vogël" (fq 38). Shqiptarët edhe sot e kësaj dite problemet e
tyre po përpiqen t’i zgjidhin vetëm nëpërmjet zgjedhjes midis të keqes dhe të keqes më të vogël. Po
pajtohen ende me "copëtimin demokratik" kombëtar në 6 shtete, sepse kjo u duket si e keqja më e
vogël në krahasim me gjendjen ku ishin në sundim despotik komunisto–sllav dhe me sakrificat që
kërkohen për një zgjidhje tjetër më radikale. Pajtohen me idenë e shtetit të pavarur të Kosovës,
ndonëse e natyrshmja është bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. Madje disa, si Ismail Kadareja,
Fatos Lubonja e shpallin këtë "heqje dorë ose largim nga ideja e bashkimi kombëtar të shqiptarëve
", sepse kjo i bën më të pranueshëm për Europën. Edhe "Plani Ahtisari" në Kosovë është pranuar si
e "keqja më e vogël", sepse përndryshe nuk kishte kuptim të pranohej ai plan me aq shumë
klauzola të dëmshme për sovranitetin e shtetit të Kosovës. Në Maqedoni shqiptarët po
vetëngushëllohen duke e quajtur marrëveshjen e Ohrit si të keqen më të vogël, kur shihet se kjo
marrëveshje po shkërmoqet çdo ditë më shumë dhe po bëhen hapa mbrapa drejt rikthimit të statusit
diskriminues që kanë pasur shqiptarët më parë. Në Shqipëri shihet si e keqe më e vogël sundimi
kolonial që ka vendosur Greqia, në krahasim me një situatë marrëdhëniesh ta acaruara shqiptaro-
greke që mund të krijojë Athina me politikën e saj arrogante dhe kërcënimet e përsëritra prepotente
ndaj shqiptarëve emigrantë në Greqi, ndaj shqiptarëve në Shqipëri dhe ndaj shtetit shqiptar në
mekanizmat integruese europiane.
E megjithatë nuk pushojnë zërat e çjerrë se armiku kryesor i shqiptarëve duhet quajtur Turqia si
veqile e Perandorisë Osmane. Në shkrimin "A i njohim shqiptarët ?" ( gazeta beogradase "Borba"
26 prill 1988) autori Arsa Milatoviç, ish-diplomat jugosllav në Tiranë numëron disa pika rreth të
cilave kishin kontradikta grupimet e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ndër të tjera ai përmend se
kontradiktat ishin edhe për "çështjen e zgjedhjes së aleatit të jashtëm" dhe për "çështjen nëse me
fqinjët duheshin mbajtur marrëdhënie tolerance, apo marrëdhënie të ashpra". Ky debat nuk ka
marrë fund. Feraj pasi analizon dy zgjedhjet që mund të bënin shqiptarët thekson: "Këto dy
zgjedhje, me popujt ballkanikë pushtues, asimilues ndaj shqiptarëve kundër një armiku
jashtëballkanik, apo me armikun jashtëballkanik kundër pushtuesve, sundimtarëve, asimiluesve
ballkanikë, përbëjnë dy traditat themelore në sjelljen politike të shqiptarëve gjatë 1000 vjetëve të
fundit. Nacionalizmi shqiptar vazhdoi traditën e bashkëpunimit me pushtuesit, sundimtarët
jashtëballkanikë kundër pushtuesve, sundimtarëve asimiluesve ballkanikë. Serbofilët dhe grekofilët
vazhduan traditën e bashkëpunimit me popujt, pushtuesit, sundimtarët, asimiluesit ballkanikë
kundër pushtuesve jashtëballkanikë " (fq.88).
Me tefterë hesapesh të vjetra shkon për lesh e del i qethur
Në dritën e kësaj analize e të këtij përfundimi nuk mbetet vend për dilema e paqartësi se ku duhen
kërkuar rrënjët e atyre mendimeve të gabuara e "këshillave djallëzore" që hidhen në shkrimet e
lartpërmendur, nuk është zot të kuptohet se ku rri ai "Djalli" që u fryn në vesh atyre që u japin
këshilla udhëheqësve të Kosovës që armikun ta shohin sëpari tek osmanët e tek turqit dhe që para
se të kërkojnë dëmshpërblime lufte nga Serbia t’i kërkojë ato nga Turqia.
Por kërkuesit e dëmshpërblimeve të tilla harrojnë se kjo dardhë që reklamojnë ata e ka bishtin e saj
prapa. Mund të kthehen turqit e të thonë se Perandorinë Osmane e kemi kullundrisur bashkë me ju
shqiptarët dhe paraardhësit tuaj kanë nxjerr shumë përfitime nga kjo Perandori, se ju takon edhe
juve, shqiptarëve, të mbani përgjegëjsi për borxhet e saj që ende mund të kenë mbetur pa u shlyer.
Edhe sikur të kishte diçka "serioze" në këtë kërkesën për dëmshpërblimet nga Perandoria Osmane,
duhet kërkuar të vihet në lëvizje e të veprojë shteti i Shqipërisë që ka 100 vjet pavarësi të njohur dhe
të mos u lihet kjo si barrë e lagët në shpinë pushtetarëve të Kosovës që ende nuk gëzojnë pavarësinë
e njohur.
Po kështu nuk duhet kërkuar nga qeveritarët e Prishtinës, por nga qeveritarët e Tiranës të bëjnë
përçapje diplomatike pranë Turqisë që "të njohë e tu japë të drejtat shqiptarëve në Turqi". Veçse
duhet mbajtur mirë parasysh se kjo nuk është punë për t’u zbavitur, nuk është një çështje që mund
ta shtrosh e ta nxitësh për teka, për zhurmë e sa për të bezdisur Turqinë, sepse kështu më shumë
dëmton shqiptarët në Ballkan e në Turqi sesa u shërben atyre.
Turqia pranon me kënaqësi dhe me krenari se ka disa milionë shtetas të saj me prejardhje
shqiptare. Madje numri i tyre mund të jetë më i madh (7 milionë sipas Gjetë Kolës) se i gjithë
shqiptarëve në trojet etnike në Ballkan. E vërteta është se ata nuk kanë më pak të drejta se shtetasit
turq me prejardhje nga fisi i osmanëve, apo me prejardhje të tjera etnike, janë plotësisht të
integruar në shoqërinë e kombin turk dhe vetëm do të qeshnin, ose dhe mund të zemëroheshin, po
të nisnin pushtetarët e Tiranës e të Prishtinës përçapjet që i këshillon Engjëll Koliqi për t’i veçuar
ata nga turqit e tjerë. Gjetë Kola ndryshe nga Engjëlli e ka marrë vesh se " shqiptarët që jetojnë në
Turqi janë të kënaqur me emërtimin turk me origjinë shqiptare". Këta shqiptarë në Turqi janë
pasardhës emigrantësh, jo popullsi autoktone; janë si arvanitasit në Greqi, shumica e të cilëve e
ndjejnë veten grekë dhe hiqen më grekë se grekët.
Ata që kërkojnë një veçim etnik të shtetasve turq me prejardhje shqiptare në Turqi në fakt i
kundërvihen vetes kur duan të venë në dyshim se brenda në Shqipëri e në Kosovë mund të gjesh
shumë shqiptarë safi. Ata bëjnë gjithëfarë arsyetimesh të përçudnuar për të provuar se midis
shqiptarëve të sotëm nuk kanë mbetur shumë nga ata që njiheshin si iliro-arbërorë para pushtimit
osman, sepse osmanët u paskan ndërruar banorëve të trojeve etnike shqiptare jo vetëm fenë, duke i
kthyer me dhunë në Islam. por edhe qenien e tyre etnike, duke i asmiliuar në "orientalë" që flasin
shqip.
Avokatë të këqinj shqiptarë të tezave të mbrapshta të Drashkoviçit
Është tezë e njohur dhe e gabuar e serbëve dhe e grekëve se ndërrimi i besimit fetar sjell
detyrimisht tjetërsimin etnik të njerëzve. Vuk Drashkoviç i jepte këtë mësim Ismail Kadaresë: "Në
Maqedoni, Hercegovinë, Bosnje, Mal të Zi dhe në krahinat e tjera serbe, duke kaluar në fenë
islame serbët u bënë turq. Në Shqipërinë e sotshme, në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Kosovë duke
përqafuar Islamin ata (serbët) u bënë arnautë. Në të dy rastet konvertimi vesh rrobën e okupuesit të
vet. Shqiptari aq i hyn në qejf sundimtarit të vet sa që ky i dhuron atij të drejtën e sundimit në
krahinat serbe dhe madje i lejon jo t’i turqizojë të krishterët, por, si një okupator i njëmendtë t’i
shqiptarizojë " ( gazeta "Shekulli", 5 maj 2002).
Studiuesi irlandez, Fred Hollidei, ka thënë se: "Vuk Drashkoviçi i SDN ka shkuar më larg se
Milosheviçi në antimyslimanizmin etij... Më 1990 ai fliste për shtet ustash-mysliman" ( libri
"Islami dhe miti i konfrontimit’ , 1996, Fq. 167). Në Shqipëri herë pas here shfaqen me shkrime
njerëz që duan t’ia kalojnë edhe Darshkoviçit në antimyslimanizë m.
Në fjalitë e mësipërme të Drashkoviçit ka plot marrëzira. Është absurditet teorik të thuash se vetëm
ndërrimi i fesë mjafton për të ndërruar kombësinë e njerëzve. Nuk ia doli ta bëjë të besueshme këtë
tezë as gjenetistja serbo-boshnjake Biljana Pllavçiç, që tani vuan dënimin me heqje lirie si e
ndëshkuar për krime lufte në Bosnje nga Gjykata e Hagës.
Grekët qysh në fillim të jetës së pavarur shtetërore e zgjidhën me masakrim e dëbim problemin e të
myslimanizuarve. "Në kohën e Pashkëve të vitit 1821 fshatarët grekë të Peloponezit filluan t’i
vrisnin të gjithë myslimanët, burra, gra, fëmijë. Brenda pak muajsh u therën 20 000 vetë" (Endrju
Uitkroft "Të pabesët. Konflikti i Krishterizmit dhe Islamit 638-2002", fq. 249). Kjo praktikë u
përsërit edhe kundër myslimanëve të shumtë të Kretës kur ishulli iu aneksua Greqisë, kundër
myslimaëve në gjithë tokat që i aneksoheshin shtetit grek deri sa u trefishua në territor. Kjo
praktikë goditi edhe popullsinë autoktone shqiptare myslimane në Çamëri nga viti 1913 deri në
vitin 1944, kur u bë akti i fundit i gjenocidit e spastrimit etnik kundër saj.
Marrëzia e madhe e Drashkoviçit është kur ngulmon se të krishterin në Ballkan, sidomos serbin,
pranimi i fesë myslimane e bëka ose turk ose arnaut (shqiptar). Po të mos bënte një marrërzi të tillë
Drashkoviçi nuk kishte si të pretendonte pastaj se "tri të katërtat e gjithë shqiptarëve në Rrafsh të
Dukagjinit dhe në Kosovë kanë rrënjë serbe", por nuk qenkan më serbë, sepse kanë marrë fenë e
osmanëve e gjuhën e shqiptarëve. Ndërrimi i fesë mund të ndikojë në zhvillimin etnologjik të
bashkësive njerëzore. Pranimi i Islamit nga shqiptarët e krishterë ka pasur ndikimin e vet për të
ruajtur identitetin etno-kombëtar shqiptar, ose për të humbur këtë identitet në rastin e atyre që në
Kosovë u bënë skizmatikë, përqafues të fesë ortodokse dhe u asimiluan në serbë. Kjo ka rrezik të
përsëritet me çamët ortodoksë nëse nuk ndryshon pozita ku i ka vënë Greqia, që nuk i lejon as të
pohojnë se janë shqiptarë, as të shkëmbejnë dy fjalë në gjuhën shqipe. Kështu ka ndodhur në
Kosovë dhe në Greqi edhe me vllehët.
Britaniku Uitkroft ka shkruar: "Unë nuk kam asnjë interes të bëj një apologji të osmanëve, por t’i
bësh ata fons et rigo, fajtor për të gjitha të zezat është vetëm një mit që të pëlqen ty. Për Perëndimin
mizoria dhe turqit ishin bërë pak a shumë sinonime". (fq.237) Drashkoviçët serbë dhe sozitë e tyre
shqiptarë në antimyslimanizë m e antiturqizëm përpiqen të ngatërrojnë sa më shumë lëmshin e
absurditeteve dhe pavarësisht se duket sikur tërheqin fijet nga pozicione të ndryshme ose të
kundërta bëjnë të njëjtat mbrapshti e ndjekin një qëllim: të përshkruajnë Perandorinë Osmane dhe
Turqinë e turqit e sotën si burimin e të gjitha të këqijave për Ballkanin e popujt e këtij rajoni.
Drashkoviçi thotë se osmanët shndërruan serbët në turq dhe në arnautë nëpërmjet myslimanizmit.
Teki Dervishi ka shkruar se kombin e shtetin serb i krijoi Perandoria Osmane për të keqen, pra për
inat të shqiptarëve. Poeti atdhetar shqiptar që jetonte në Misir, Anton Çako Çajupi në fillim të
shekullit XX për të fshikulluar osmanët i drejtohej Perëndisë me vargjet: "Bëre e ç’nuk ke bërë/
bëre botën të tërë/ po kur bëre derr e arinë/ Ç’tu desh që bëre Turqinë". Ama edhe pse nuk i
honepste dot grekët nuk pat thënë se Greqinë e kombin grek i bëri Perandoria Osmane për inat të
shqiptarëve.
Edhe Gjetë Kola për t’u mbushur mendjen lexuesve se po të mos ishte shfaqur Perandoria
Osmane në Ballkan për shqiptarët sot nuk do të kishte pasur pushtim grek, as serb buçet me mllef:
"Historiografia zyrtare shqiptare është përpjekur të bëjë fajtore fuqitë europiane si shkaktare të
copëtimit të trojeve shqiptare në Londër më 1913". Duke përdorur së prapthi, por gjithnjë kundër
Islamit e Turqisë, arsyetimin e Drashkoviçit çirret: "E vërteta është se fajtor real për copëtimin e
trojeve etnike shqiptare në përfundim të luftrave ballkanike është politika asimiluese që pushtuesi
turk kishte ndjekur ndaj shqiptarëve në disa shekuj" ("Republika" 26 shtator 2007). Si
Drashkoviçi dhe Gjetë Kola kthimin e shumicës së shqiptarëve në myslimanë do ta paraqesë si
asimilim etnik.
Gjeta ka përdorur në shkrimin e tij atë "argumentin e rremë’ që kishin hedhur në vitin 2001
shkruesit e palolibrit "Nacional-islamizmi shqiptar se : "Islami nuk njeh kombe etnike... por
vetëm kombin e përbotshëm mysliman dhe shqiptarët si pjesë e papërfillshme e tij". Këtë trillim e
kam kundërshtuar mjaftueshën në librin "Përballje me islamofobinë" , Tiranë 2006, dhe nuk kam
përse të ndalem tani posaçërisht në të. Është më me dobi të vë në dukje këtu se Gjetë Kola kapet pas
tezës së Drashkoviçit për mundësinë që Perandoria Osmane u dha shqiptarëve të bëjnë serbët e
malalzezët e Kosovës të mësojnë gjuhën shqipe që të dalë pastaj tek një tjetër provokim absurd: "Ky
fenomen flet për forcën shprehëse të gjuhës shqipe, si një prej gjuhëve më të lashta të njerëzimit...
Nga ky rast mund të marr përgjigje edhe enigma se si janë asimiluar kolonët që solli pushtuesi
turk gjatë disa shekujve dhe emigrantët ekonomikë të ardhur nga disa rajone të Perandorisë Turko-
Osmane. Vërtetë ata kanë imponuar mentalitetin oriental te shumica e shqiptarëve, pasi kanë patur
në dorë pushtetin politik dhe ekonomik dhe kanë pasuruar gjuhën shqipe me shumë turqizma, por
megjithë këtë nuk i kanë rezistuar asmilimit gjuhësor. Populli shqiptar si dhe popujt e tjerë të
Ballkanit qe dyfish fatkeq. Ai përveçse humbi lirinë, pati fatkeqësinë se ra në sundimin e një
pushtuesi shumë herë më të prapambetur që takonte për herë të parë qytetërim".
Gjeta ka perifrazuar rrëmujshëm mendimet e Drashkoviçite të Simiçit, prandaj edhe ka rënë në
kontradikta më qesharake se shovinistët serbë. Gjeta një herë thotë se pushtuesit osmanë asimiluan
banorët që gjetën në trojet shqiptare, një herë thotë se shqiptarët, nëpërmjet gjuhës së tyre të
mbushur me turqizma, kanë asimiluar kolonët që sollën turqit dhe emigrantët që erdhën nga pjesë të
tjera të Perandorisë Osmane. Gjeta nuk është treguar aq i pakujdesshëm sa të thotë, si ndonjë tjetër
para tij, se popullsia myslimane në trojet shqiptare sot janë turq të mbetur nga koha e Perandorisë,
as të trillojë hapur si serbët se shqiptarët janë popullsi e ardhur nga Albania e Kaukazit. Por kur
flet për kolonë të sjellë nga osmanët dhe emigrantë të ardhur nga pjesë të tjera të Perandorisë që u
asimiluan nga ana gjuhësore në Shqipëri në fakt këtë ka dashur të nxjerrë në pah tërthorazi.
Pra sipas Gjetës në trojet shqiptare ka ndodhur dukuria më e "çuditshme": i asimiluari nga njerëz
të paqytetëruar asimilon asimiluesin e tij të parë. Për justifikim të kësaj "teorie" Gjeta ka shtuar:
"Albanologu Johan Georg von Hahn shkruante se në këto raste fatkeqe, pushtuesi merr shumë
herë më tepër se u jep popujve të pushtuar". Gjeta nuk ka cituar fjalë të Hahnit dhe nuk ka shënuar
se ku e ka gjetur këtë mendim të albanologut. Ky mendim qëndron, sepse dihet që osmanët erdhën
nga Azia Qendrore në Azinë e Vogël, si mercenarë të turqve selxhukë dhe, ashtu siç kishin bërë më
parë këta selxhukët, morën fenë islame nga arabët e persët. Pastaj u ngatërruan në punët e Ballkanit
kur perandori Bizantin Kantakuzeni i ftoi njerëzit e Orhanit të luftonin kundër Serbisë së Stefan
Dushanit më 1350 (Uitkroft, fq. 203). Nga kontaktet me Bizantin huazuan edhe qytetërim e
kulturë të re krahas asaj arabo-perse.
Kur shkatërruan përfundimisht Perandorinë Bizantine në vitin 1453 osmanët kishin krijuar tashmë
kulturën e tyre të lartë, aq sa "Konstantinopoja parapëlqeu të pabesët: më mirë çallma e myslimanit
se mitra e Papës" ( Karabell,"Njerë zit e librit" fq. 159).
Në trojet shqiptare, që kishin qenë periferi e Bizantit ose të shkelura prej sllavëve nuk mund të
ndodhte një dukuri e ngjashme, sepse këtu nuk ishte zhvilluar ndonjë qytetërim e kulturë e lartë,
madje dhe në Europën perëndimore nuk kishte ndonjë kulturë e qytetërim më të lartë se në Lindje
deri nga viti 1750. Një kulturë e qytetërim më i lartë asimilon dhe nuk asimilohet. Kurse sipas
Gjetës banorët e trojeve të sotme shqiptare u orientalizuan në gjithçka, deri dhe gjuha e tyre u
mbush me turqizma, (gjë që do të thotë u mbush një zbrazti leksikore).
Gjeta nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka perifrazuar shumë trashë e plot mllef antiturk e antimysliman,
që vlon tek ai vazhdimisht si zifti në kazan, mendimet e antishqiptarit e antimyslimanit të tërbuar
serb Vuk Drashkoviç. Veçse pak më ndryshe nga Gjeta shkrimtari-politika n serb (deri vonë
ministër i jashtëm i Serbisë) për shkak të nivelit shumë më lë lartë kulturor në krahasim me
avokatin shqiptar nga Fani (që duhet të jetë dhe ky vetë pjellë kaviesh shekullore osmane sipas
teorisë së tij) është shprehur më me elegancë kur përgjërohet për flamurin tringjyrësh serb në letrën
që i dërgonte Ismail Kadaresë në vitin 1989: " Para se të shfaqej në Europë shteti shqiptar kolegu
Kadare, ai flamur i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërimit nga bedenet e Nishit fillimisht është dashur
të lahej aq herë me gjakun serb dhe që duke çliruar Ballkanin nga turqit të arrijë deri në Prishtinë,
Prizren, Shkup, Shkodër, Elbasan, Edrene. Në këtë udhëtim pengesën më të madhe kishte jo
okupatorin, por të okupuarit, jo turqit, por baballarët dhe gjyshërit Tuaj, shqiptarët, përkatësisht
arnautët, ose arbanasët, ose shiftarët siç quhen nga serbët. Ata janë mbrojtësit më të mëdhenj të
Perandorisë Osmane dhe Stambolli në të gjitha luftrat me serbët i nxjerr në vijat e para të frontit.
Ata ua kalojnë robëruesve të vet dhe sundimtarëve të vet, turqve edhe për nga urrejtja, edhe për
nga krimet. Në kohën kur serbët kullonin gjak në luftën kundër turqve, duke pushtuar lirinë për
vete e për shqiptarët një lukuni shqiptarësh në Pejë dhunon vajzën serbe trevjeçare". (gazeta
"Shekulli" 5 maj 2002).
Gazetari Zenun Çelaj nga Kosova e ka botuar fatkeqësisht të cunguar letrën e Drashkoviçit (teksti
i plotë ka më shumë xhevahire antishqiptare) pasi e kishte fshehur për 14 vjet (kot së koti, sepse
ajo ishte e botuar qysh në pranverën e vitit 1989 në "Le Monde Diplomatique " në Paris dhe në
Buletinin e verdhë të ATSH –së në Tiranë) duke e shoqëruar me komentin e tij të titulluar "Një
pamflet tipik i traditës serbe". Në fund të fundit është e kuptueshme që një shkrimtar shovinist serb
të bëjë një pamflet antishqiptar në traditën e tij serbe. Po si ta kuptojmë që një avokat shqiptar në
vitin 2007 të bëjë një paçavure (as pamflet) antishqiptar në traditën serbe, për t’u bërë mbrojtës i
tezave të shovinizmit serb edhe më i zellshëm e më vulgar se shkrimtari shovinist serb?! Të paktën
Drashkoviçi i ka cilësuar shqiptarët "mercenarë trima të osmanëve" që u thyenin turinjtë serbëve,
kurse Gjeta i ynë i quan të gjithë shqiptarët vetëm "kavie osmane" që hidhen tutje si mish i cofët
nga Europa që të merren me ta qentë e shovinizmit serb e grek. Drashkoviçiani shqiptar del më
antishqiptar, më fyes se shovinisti serb.
Është i kuptueshëm mllefi që derdh Drashkoviçi pse shqiptarët kanë ditur të zgjedhin (si të keqen
më të vogël gjithnjë) për aleat pushtuesin jashtëballkanik osman për kundër të keqes më të madhe,
pushtuesit e asimiluesit ballkanik sllav. Kur Drashkoviçi thotë se shqiptarët luftonin kundër
serbëve edhe më me vendosmëri se vetë osmanët ai pohon kështu se shqiptarët kishin një vetëdije të
qartë politike të ndryshme nga ajo e osmanëve, sepse e dinin se serbo-sllavi ishtë rreziku më i
madh për ta. Drashkoviçi e njeh atë të vërtetë që u thoshte Konica serbëve se shqiptarët u bënë
aleatë me osmanët që të godisnin soj-sorollopin serb. Por është e pakuptueshme që një avokat
shqiptar në vitin 2007 t’i shpallë shqiptarët kavie, qenie pa kurrfarë vlerë njerëzore, pse këta kanë
luftuar kundër serbëve. Po kallaballëkun e veten e tij, pasardhës të sotëm të atyre breznive, ky
avokat Gjeta i përfshin tek këto "kaviet osmane"?! Apo prej kavieve përjashton një pakicë
shqiptare që mbetën në besimin katolik, siç bëjnë disa të sojit të tij?! Ende nuk po kupton Gjeta se
kjo pakicë katolike mbeti e tillë edhe në sajë të mburojës që krijoi myslimanizimi masiv i
shqiptarëve para heshtave të helmuara e topuzëve të asimilimit që lëshonte ortodoksia serbe! Car
Dushani para ardhjes së osmanëve e kishte vënë në zakonnikun (kodin) serb urdhrin që ai katolik
që nuk bëhej ortodoks të piqej në hell, pra të mos vlente as për kavie.
Si e tregon veten kaq të paditur ky avokat shqiptar i tezave të Drashkoviçit dhe hiqet se nuk ka
dëgjuar, ose lexuar ndonjëherë në ndonjë libër shkollor se ishin pikërisht shqiptarët, në radhë të parë
shqiptarët e besimit mysliman, që kanë bërë kryengritjet më të shumta e luftrat më të rrepta kundër
pushtetit të sulltanëve se gjithë popujt tjerë të Ballkanit të marrrë sëbashku?. Bedri Pejani në
kongresin popujve në Gjenevë më 1920 bënte pyetjen retorike se ku ishin serbët kur shqiptarët
bënin luftra të tilla.
Përvoja shqiptare mbi rolin e fesë në jetën kombëtare është e veçantë
"Dora d’Istria është e para që i lidhi ngushtë çështjet fetare me çështjen nacionale. Ajo pohonte se
shqiptarët kishin kaluar në katolicizëm që të afirmonin kombësinë shqiptare përballë asaj serbe"
(N.Klejer "Në zanafillë..." fq. 237). Por efektet e katolicizmit si pengesë për përparimin e llavës së
nxektë ortodokse serbe në gllabërimin asimilues të shqiptareve mbetën të kufizuar dhe të
paqëndrueshëm. Noel Malkolmi thekson se në Kosovën Lindore kultura e gjuha serbe u bënë
mbizotëruese, në pjesë të tjera shqiptare ato bëheshin gjithnjë më kërcënuese. Kështu që shpëtimtar
nga ky rrezik e kjo fatkeqësi u bë myslimanizimi masiv i shqiptarëve.
Më e dukshme dhe më ndikuese kjo dukuri ka qenë në Kosovë, në kohën pasi "një ushtri austriake
shkoi deri në Kosovë më 1689 dhe shpalli se Katolicizmi kishte triumfuar mbi Islamin. Serbët e
Kosovës ishin të lumtur kur betoheshin për besnikëri ndaj Leopoldit II, por vetëm për aq kohë sa të
shihnin austriakët të tërhiqeshin një vit më vonë, duke i lënë ata (serbët) në mëshirën e osmanëve që
riktheheshin" ( Endrju Uitkroft " Të pabesët fq. 239). Me këtë ushtri austriake u bashkua edhe
Arqipeshkvi katolik shqiptar Pjetër Bogdani me mbështetësit e tij. Këtë e ka analizuar Noel
Malkolmi me seriozitet shkencor në kapitujt 8 e 9 të librit të tij, ku thekson se: "Lufta e
Habsburgëve me osmanët 1683-1699 shënoi një pikë kthese në historinë e Europës" (fq.139). Kjo
shënoi një pikë kthese edhe në historinë e shqiptarëve dhe pati një rëndësi të madhe jo vetëm se një
numër serbësh u larguan nga Kosova, por se shënoi një fazë ndarjeje dalluese më të theksuar midis
shqiptarëve e serbëve në Kosovë, që u shpreh në përqafimin masiv të fesë islame nga shqiptarët.
Ky konvertim masiv në Islam nuk u shoqërua me kurrfarë pasojash asimiluese të shqiptarëve në
turq. Dora d’Istria me kohë e theksonte se shqiptarët që u myslimanizuan "se s’donin të ishin
raja", (pra të ishin në të njëjtin status shoqëror e dhe të ushqenin të njëjtën armiqësi kundër
osmanëve si serbët e grekët ortodoksë), "s’kishin të bënin me turqit osmanë, ishin indiferentë ndaj
Sulltanit e fesë së tij", madje "mund t’i ktheheshin Krishterizmit po të shihnin se u iteresonte kjo
gjë, siç ishin bërë myslimanë" (N.Klejer fq,238). Deri tani kanë mbetur të pakët në numër shqiptarët
me prejardhje të besimit mysliman që kanë ndjekur këtë parashikim të Dora d’Istrias, duke u nisur
nga interesi për t’u hequr sa më perëndimorë, edhe pse mekanizmat e katolicizmit e të ortodoksisë
ndërkomëbtare kanë përdorur mjete të shumta për t’i joshur myslimanët shqiptarë të konvertohen.
Për këtë qëllim është sajuar dhe teoria e "rikthimit të myslimanëve shqiptarë në fenë e të parëve",
duke e maskuar procesin e konvertimit fetar nën maskën e "rikthimit" në identitet fetar të
mëparshëm. Kjo teori nuk ka ansjë bazë. Në SHBA numri i myslimanëve midis popullsisë zezake,
pasardhës të skllevërve afrikanë, është rritur nga disa dhjetra që ishin në vitet 1930 në mbi një
milion sot. Islami në Amerikë ka mbërritur bashkë me skllevërit zezakë nga Afrika në vitin 1501,
sepse një numër i madh i tyre ishin të besimit islam dhe kishin nivel kulturor më të lartë se jo
myslimanët. Por me kalimin e kohës është zhdukur nga trysnia e forcave krishterizuese. Studiusja
Silvana Diuf, nga Universiteti i Parisit që jeton në Nju Jork, për këtë dukuri ka shkruan librin
"Shërbestarët e Islamit: myslimanët afrikanë të skllavëruar në Amerikë"(1998) . Në këtë libër ajo
kundërshton pretendimet e shumë myslimanëve afro-amerikanë sot që e quanjnë veten jo "të
kthyer" (converts), por " të rikthyer" (reconverts) në Islam. Ajo nuk pajtohet me ata që thonë se
"Islami është pjesë e kujtesës së tyre gjenetike". Ajo e hedh poshtë këtë nocion të "Islamit
romantik", meqenëse Islami i sjellur nga Afrika nuk mbijetoi në SHBA dhe pasardhësit e
myslimanëve u krishterizuan. (shpjegime të nxjerrë nga libri i politologut neokonservator
amerikan Daniel Pajps "Islami militant mbërrin në Amerikë" 2002,2003 fq.214-216).
Për analogji me këto vërejtje të Diuf mund të themi se është thjesht një "romantizëm krishterizues"
kur disa në Shqipëri kërkojnë kthim të myslimanëve në katolikë si rivendosje në personin e këtyre të
"fesë së të parëve". Edhe në këtë rast bëhet fushatë prozelitizmi të mirëfilltë fetar të krishterë dhe
nuk ka vend për asnjë tezë të "rikthimit në fe". Fenë e merr secili për vete. Fenë nuk mund ta
imponojë një lidhje me të vdekurit që tashmë kanë dalë dhe nga kujtesa, as një trysni e të gjallëve që
përdorin mjete të tilla.
Është mashtrim qëllimkeq kur disa studies fetarë apo laikë këmbëngulin se dukuria e "kripto të
krishterëve " vazhdoka ende sot midis myslimanëve shqiptarë. Natali Klejer duke iu referuar
studimit të holandezit Ger Duizings "Martirët e Stubllës (lokalitet në Kosovë). Kriptokatolikë t
shqiptarë dhe misoni françeskan" (2000) thekson": "Dhe mund ta konsiderojmë kategorinë e
"kripto-të krishterëve" si të "shpikur’ nga kisha katolike e shekullit XIX me qëllimin për t’i
rikrishterizuar ata".(fq.46) . Por nga shekulli i XIX e deri në shekullin XXI ka pasur mjaft kohë që
ky proces të kishte marrë fund, sepse pas atij brezit të " të krishterve të fshehur" të atëhershëm kanë
ardhur 5-6 breza të tjerë njerëzish që nuk kishin përse të vazhdonin këtë fshehtësi. Nëse pretendohet
tani për kripto të krishterë, sikurse shpalli ish-kryetari i shtetit shqiptar kur tha në Oksford në fund
të vitit 2005 se po ta gërvishtësh myslimanin shqiptar të del një i krishterë, kjo do të thotë së
mendohet politikisht për një fushatë të konvertimit masiv të myslimanëve shqiptarë.
Gjetë Kola me sa duket nuk ka haber fare nga teoritë e praktikat e konvertimeve fetare dhe
asimilimi i popullsive, veçanërisht duket se nuk ka lexuar asgjë të hajrit për praktikat që ndiqeshin
në Perandorinë Osmane për këto çështje dhe mbështetet vetëm tek trillimet që kanë bërë në shkrimet
e tyre disa priftërinj katolikë në Prizren e në Shkodër, në të shkuarën dhe tani.
Autoritetet osmane asnjëherë nuk e nxisnin konvertimin dhe angazhoheshin aktivisht ta
shkurajonin atë. Përkundrazi ata punonim me guvernatorët, me kryetarët e mileteve për të
parandaluar konvertimet në myslimanizëm. Qëllimi parësor i osmanëve ishte të mbanin familjen e
Osmanit në pushtet dhe ta kishin arkën e shtetit plot. Konvertimi nuk i shërbente këtij qëllimi"
( Zakari Karabell "Njerëzite librit..." 2007 fq.185). Kështu e ka trajtuar këtë problem dhe i ndjeri
Aristidh Kola në librin "Arvanitasit" . Po kështu edhe autorë të tjerë seriozë.
Aleksandër Lambert ka theksuar qartë se: "Është e vërtetë se gjatë pushtimit osman shumë
shqiptarë u kthyen në myslimanë... ndërrimi i fesë për shqiptarët ka qenë një mjet për të ruajtur
identitetin e tyre kombëtar dhe ata e kanë ruajtur këtë identitet për një kohë shumë të gjatë... Tek
shqiptarët fenomeni i asimilimit ndodhi vetëm tek popullsia ortodokse e atyre krahinave kufitare
që jetonin afër serbëve dhe grekëve. Ata nuk i qëndruan presionit fetar të drejtuar nga kisha
ortodokse që është njohur shumë mirë në histori por çështje asimilimi. Ata humbën identitetin e
tyre kombëtar për t’u bërë grekë, serbë , malazezë vetëm për të ruajtur fenë ortodokse. Shqiptarët
katolikë e kanë pasur më të lehtë ta ruajnë identitetin e tyre shqiptar sigurisht nga mbështetja e
fuqishme e Vatikanit. Shqiptarët që u konvertuan në myslimanë e patën më të lehtë ruajtjen e
identitetit kombëtar shqiptar se feja myslimane ishte feja zyrtare e pushtuesit"( "Panorama" 30
nëntor 2007). Por duhet pasur parasysh se Islami edhe për shqiptarët ishte fe zyrtare në
Perandorinë Osmane që kishte pushtuar Shqipërinë, jo "fe e pushtuesit", siç propagandojnë
islamofobët sot në Shqipëri, sepse vetë osmanët e kishin marrë nga të tjerët besimin e tyre, siç bënë
dhe shqiptarët kur ua desh puna dhe i kuptuan vlerat e tij të larta.
Të bashkëngjisim këtu edhe faktin shumë më të hershëm se "Liku ka qenë njëri ndër të parët që foli
për konvertimin në Islam, gjë që, sipas tij, kishte ndodhur për motive politike dhe për përfitimet që
të jepte statusi i myslimanit". Anglezi Lik i kishte thënë këto mendime në vitin1814. Kurse Johan
Georg von Hahn në vitin 1854 shprehej: "Ky fakt (që shqiptarët janë kthyer në Islam) i shkon
karakterit të veçantë të shqiptarit; greku ose vllahu e sakrifikon lirinë politike për besimin e tij,
shqiptarit i rëndon kaq shumë shtypja sa e paguan lirinë e tij me besimin e etërve të tij. Kjo është e
vërtetë për racat luftarake, që kudo kanë kaluar në Islam...Ndjesia e dobët fetare e shqiptarëve turq
(=myslimanë) provon veç të tjerash më së miri aksiomën "Ku është shpata, është besimi", që duket
se bën pjesë në bisedat për fenë dhe kjo në kuptimin e frazës "cujus regio, ejus est religio"(
N.Klejer fq.1169).
Mund të ketë vend për mjaft diskutime lidhur me ato që thotë Hahn, duke përfshirë edhe formulën
"feja shkon sipas sundimtarit" , që ka qenë parimi bazë i përcaktimit të besimit fetar të njerëzve në
Europën e Mesjetës. Por nga thëniet e Hahnit e të Likut del qartë ajo që e vënë në dukje shumë
studiues se shqiptarët gjithnjë kanë vënë ndjesitë etnike e kombëtare mbi përkatësitë fetare, se ka
një bazë faktike e historike formula e famshme e Pashko Vasës "feja e shqiptarit është shqiptaria",
e cila në asnjë rast nuk duhet kuptuar keq si mohim i besimit dhe rënie në ateizëm. Natyrisht sot
lind nevoja të kuptohet mirë se çfarë është shqiptaria, apo çfarë duhet të jetë ajo në kohën e
nacionalizmit, që të mos bëhen gafa e të mos kapërdihen mashtrimet që nacionalizmin e armikut
historik të natyrshëm ta konceptosh si dashamirësi dhe mikun ta fyesh duke hyrë me të në
armiqësi.
Shqiptarizmi duhet ngritur në nacionalizëm shqiptar
Natali Klejer në studimin e plotë për zanafillën e nacionalizmit shqiptar ka bërë një përcaktim
dallues shumë domethënës të tre elemenëtve të këtij procesi: shqiptarizmit, shqiptarisë dhe
nacionalizmit shqiptar. Ajo shkruan: "Termi "albanisme" (shqiptarizëm) më imponohet për të
përcaktuar faktin e ndërtimit të një forme shqiptarie në kuptimin modern. Nocioni i nacionalizmit
është shumë më i ngushtë, sepse lidhet si tepër, në kuptimin e tij përgjithësisht të pranuar, me idenë
e kërkimit të sovranitetit politik, të autonomisë dhe të pavarësisë. Të flasësh për një albanizëm që
rrok të gjithë tipet e kijimit të një shqiptarie që ka të bëjë me ekzistencën e një kombi shqiptar, të
lejon, në të kundërt, të marrësh parasysh ndërtime hibride, shpesh të harruar, sepse ishin maskuar
nga ligjërimi mbizotërues" (fq.15).
Duhet pranuar sfida për reflektim që del nga këto vlerësime se vetëm ndjenja e shqiptarisë, sado e
fortë të ketë qenë ajo në të shkuarën, apo sado e fuqishme që të bëhet në t’ardhmen, pas zbehje së
tanishme, nuk mjafton më për të plotësuar fizionominë kombëtare të shqiptarëve, nuk e përmbush
dot misionin parësor të shqiptarëve për t’u ngritur po në atë lartësi zhvillimi, përparimi dhe statusi
etnologjik e politik, ku kanë arritur të tjerët nëpërmjet krijimit, forcimit dhe lulëzimit të shtetit të
tyre kombëtar. Shqiptaria është më shumë një gjendje natyrore që krijohet në një proces spontan të
pavetëdijshëm të zhvillimit të një bashkësie njerëzore të caktuar. Bartësit e kësaj shqiptarie për
njëfarë kohe as mund ta venë re këtë gjë. Shqiptarizmi (albanizmi) është ndërgjegjësim i bartësve të
shqiptarisë pikërisht për këtë shqiptarinë e tyre dhe shprehje e vullnetshme e dëshirës dhe e
kujdesit për afirmimin e kësaj shqiptarie. Pikërisht nga kjo e nisën shqiptarët e shquar që vunë në
përdorim formulën "feja e shqiptarit është shqiptaria". Kurse nacionalizmi është shprehja e
vullnetit politik për ta ndërtuar tërë jetën e bashkësisë në funksion të shqiptarisë e të shqiptarizmit.
Pikërisht në këtë rrugë hynë shqiptarët e shquar që ndezën dhe nxitën zjarrin e zgjimit kombëtar të
shqiptarëve, ata që përgatitën pavarësimin e shqiptarëve e bënë shtetin e parë kombëtar shqiptar, si
dhe ata që kanë punuar në kohë të ndryshme për përhapjen e forcimin e nacionalizmit shqiptar.
Mund të gjenden pak shqiptarë që të mos pajtohen me mendimet për shqiptarinë dhe për
shqiptarizmin, që disa kanë qejf t’i emërtojnë më shumë "atdhetarizëm- patriotizë m". Por kur vjen
puna tek dukuria e shkallës më të lartë në jetën e një kombi, tek nacionalizmi, rrudhin supet ose
edhe kërcejnë përpjetë për kundërshtim, ndonëse po vetë për pragmatizëm politik e intelektualizë m
vetëreklamues mund të përdorin, vend e pa vend, termat " mbrojtja e interesave kombëtare", "për
hir të kombit", "në dobi të zhvillimit kombëtar", mund të folklorizojnë për "krenarinë kombëtare";
mund të shpallin e të përkujtojnë "heronj e dëshmorë të kombit", të japin e të marrin tituj "nderi i
kombit". Të gjitha këto mund të kenë kuptim vetëm në kuadër të nacionalizmit. Nëse mohohet
nacionalizmi atëherë duhet parë mos gjithçka bëhet për demagogji, ose për padijeni të pafalshme të
mendjeboshëve.
Termi "albanizëm" nuk duhet lejuar të keqpërdoret për të anatemuar e zhvleftësuar nacionalizmin
shqiptar, as për të zëvendësuar këtë nacionalizëm. Në "Përballjet me islamofobinë" jam ndalur gjatë
në replikën me përpjekjen e Skënder Shkupit që të godasë idenë dhe lëvizjen politike për një
nacionalizëm të mirëfilltë shqiptar, duke trilluar një "nacionalizëm gjithëpërfshirë s", që nuk shënon
asnjë hap më tej se "albanizmi" që përshkruan Natali Klejer, d.m.th. nuk shkon më tej se një
vetëdijësim për përkatësinë etnike shqiptare dhe afirmimin e mbrojtjen e kësaj përkatësie.
Janë bërë polemika edhe me të tjerë që procesin e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare kanë
dashur ta ngrijnë përfundimisht në fazën e afirmimit të shqiptarizmit, të "unitetit kulturor", pa e
shoqëruar me kërkesën për sovranitet kombëtar shqiptar në trojet ku ky sovranitet nuk ishte arritur,
e sidomos pa kërkesën për bashkim kombëtar shtetëror shqiptar.
Mishërimi më i shëmtuar dhe më për turp i bllokimit të procesit të zhvillmit kombëtar të
shqiptarëve në fazën e nivelin e shqiptarizmit është "Platforma për zgjidhjen e çështjes kombëtare
shqiptare" botuar nga Akademia e (Anti) Shkencave të Shqipërisë në Tetor të vitit 1998, në të cilën
kërkohej ngurtësimi i ndarjes së shqiptarëve në 6 shtete, që tashmë ishte bërë në disa etapa gjatë
shekullit XX dhe Kosova të mbetej si pjesë përbërëse e një Federate të re të cunguar të Jugosllavisë,
krahas Serbisë e Malit të Zi.
"Dykombësia shqiptare" rinovim i skemës për deshqiptarizimin e Kosovës
Por ka pasur edhe më keq. Publicisti Fatos Lubonja, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, Ylli
Popa, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, avokati-politikan Spartak Ngjela etj. në
Shqipëri, Nexhmedin Spahiu e të tjerë në Kosovë kanë mbrojtur pikëpamjen se brenda "botës
shqipfolëse" në Ballkan mund të kishte identitete të ndryshme kombëtare apo etnike shqipfolëse si
shqiptarë e kosovarë. Rreth kësaj pikëpamje me propaganduesit e saj janë bërë disa herë polemika.
Madje në një tubim të organizuar në muajin Prill 1997 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nga
"Klubi nacional" bashkë me kolegun Hysamedin Feraj kemi replikuar drejtpërdrejt dhe shumë
ashpër ndaj Fatos Lubonjës që mbronte idenë se shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët në Kosoë
tashmë kishin përfunduar në dy kombe të ndryshëm, meqenëse pas copëtimit të trojeve shqiptare
kishin zhvilluar dy kultura të ndryshme. Kjo nuk ka qenë dhe nuk është e vërtetë, sepse në thelb
shqiptarët në gjithë hapësirat shqiptare kishin krijuar dhe kanë zhvilluar të njëjtën kulturë
kombëtare shqiptare gjithë kohën, me ndikimet ideologjikë që kishte kultura në Shqipëri dhe
pasojat e shtypjes kombëtare serbe që rëndonin mbi kulturën shqiptare në Kosovë. Kolegu Feraj
ndër të tjera bëri dhe sarkazmin e rastit kur i kujtoi audiencës se prindërit e tij ishin njëri nga një
fshat i krahinës së Hasit që ndodhet në Shqipëri, tjetri nga një fshat i të njëjtës krahinë etnografike,
Hasit, por që ndodhet përtej kufirit artificial, në Kosovë dhe sipas teorisë së Lubonjës ai,
(Hysamedini) duhej quajtur bir i dy prindërve me kombësi të ndryshme, por që ishin të dy
shqiptarë dhe bashëkrahinarë hasjanë.
Kishim krijuar më vonë përshtypjen se me heshtjen e tij për disa kohë lidhur me këtë tezë Fatos
Lubonja e kishte braktisur pikëpamjen e tij se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë, apo
mund të bëhen, dy identitete të ndryshme kombëtare. Por në "intervistën shokuese për të
përjavshmen "Java" (të Prishtinës)", siç e ka quajtur gazeta "Korrieri" këtë intervistë kur e ka
ribotuar më 19 Dhjetor 2007, Lubonja është rikthyer publikisht atje ku ka qenë, kur i
ështëpërgjigjur me mendësinë e tij të vjetër pyetjes "Brenda sa kohësh sipas jush, mund të ndodhë
bashkimi i natyrshëm dhe botërisht i pranueshëm i Shqipërisë me Kosovën, nën shembullin e
ribashkimit të disa kombeve të tjera gjatë dekadave të fundit?"
Fillimisht Lubonja ka teorizuar se një gjë e tillë "varet nga vullnete njerëzore dhe jo nga ngjarje të
determinuara nga ligjësi të paevitueshme natyrore" dhe atij i duket se nën presionin e faktorëve
ndërkomëbtarë e për shkaqe të tjera "shqiptarët i janë larguar idesë së bashkimit". Pastaj e shfaq më
të plotë ndjesinë e tij: "Por kjo edhe mund të mos ndodhë fare, nëse elitat e të dy vendeve nuk do të
jenë të interesuara për këtë për shkaqe pushteti, ose ngase do të vazhdojnë të jenë nën presionin
vendimtar ndalues të ndërkombëtarëve. Dhe nëse në këtë gjendje do të kalojnë dekada, gjatë të
cilave shqiptarët e Kosvës do të forcojnë identitein e tyre kosovar (sepse identiteti nuk është një gjë
e dhënë njëherë e përgjithmonë, por është një proces) mund të vijë një moment që ky flamur i
propozuar nga Ahtisari t’u duket brezave të ardhshëm më i shtrenjtë sesa flamuri shqiptar që do të
ruhet pastaj si relike e një kohe, kur pavarësia u fitua në saje të ëndrrës së bashkimit me atë
flamur". Pra Lubonja me një gjuhë më të përdredhur se dikur dëshmon se ka mbetur po në ato
mendësi e ndjesi të tij të mëparshme si kundërshtar i bashkimit kombëtar shqiptar.
Nëse mbajmë parasysh ligjësitë e zhvillimeve të natyrshme të bashkësive njerëzore nga fazat e
familjes, fisit, klanit, etnisë, popullit e deri tek kombi duhet të ndodhë krejt ndryshe nga sa thotë
Lubonja në fallet e tij. Në kohën kur shtrohet më qartë dhe në kushte më të favorshme plotësimi i
misionit të nacionalizmit shqiptar, Lubonja bëhet kukuvajkë ndjellakeqe e proceseve të kthimit
mbrapa. Natyrisht Lubonja në këtë rast shpreh kryesisht ndjesi e dëshira të tij e bashkëmendimtarë
ve të tij, nuk pasqyron gjasat e mundësitë reale të zhvillimit për ta zëvendësuar në Kosovë
shqiptarizmin me "kosovarizmin" . Lubonja ka bërë një tërheqje taktike nga pozita e tij e
mëparshme se nuk ka paraqitur më si fakt të kryer që në Kosovë gjatë kohës që kjo ishte nën
pushtimin e Serbisë u krijua një identitet i ri kosovar dhe një kulturë e ndryshme nga kombi e
kultura në Shqipëri, ndonëse zhvillohej në gjuhën shqipe, por thurr një ëndërrr të re që nën lirinë e
pavarësinë e fituar në Kosovë të ndodhë pikërisht kjo, të bëhet ajo që nuk e bëri dot Serbia. Madje
duket sikur e nxit elitën kosovare që për hir të ambicieve e të joshjeve për pushtet të ecë në një rrugë
të tillë.
Lubonja bëhet edhe zëdhënës i synimeve të njohura të një pjese të elitës në Shqipëri, që trashëgon
traditën e keqe të kundërshtimit të bashkimit kombëtar dhe e shtyn atë të punojë për ta larguar e jo
për ta afruar Kosovën me Shqipërinë. Kjo traditë e keqe ka dalë agresivisht në skenën e
zhvillimeve politike në Shqipëri me kundërshtimet që kanë bërë partitë e majta opozitare dhe një
numër intelektualësh kundër rrugës së bashkimit kombëtar Durrës-Morinë. Më në fund një nga këta
të majtë, Neritan Ceka, doli në ekranet televizive më 19 Janar 2008 për të thënë se kjo është "rruga
e ndërtimit të kombit". Mbase nga pakujdesia ose dëshira për të dëshmuar se po mbante qëndrim
atje tek gryka e tunelit madheshtor i lejoi vetes një gafë për një studiues të historisë e të
arkeologjisë shqiptare, sepse ky duhet ta dijë më mirë se të tjerët që kombi shqiptar është formuar
me kohë dhe ka dalë në skenën e historisë në Ballkan e në Europë qysh në fillim të shekullit XIX,
kurse tani bëhet fjalë vetëm për bashkim shtetëror të pjesëve të ndara me dhunë të këtij kombi, si në
Gjermani para 20 vitesh.
Lubonja edhe një herë del si kundërshtar i nacionalizmit shqiptar dhe si nxitës i provincializmit
dhe i principatëzimit në kulturën e jetën kombëtare shqiptare. Në këtë "mision" Lubonja nuk është
vetëm. Ka plot të tjerë në Shqipëri që mendojnë dhe veprojnë kështu. Ka edhe në Kosovë, siç
dëshmojnë debatet e kota e të pafrytshme për një gjuhë shqipe, sipas të folmes së Kosovës, për
krijimin e një identiteti kosovar, zëdhënëse e të cilëve është pikërisht gazeta "Java" e Migjen
Kelmendit që ia ka mundësuar Lubonjës të shfaqë ato pikëpamje. Në Kosovë debati rreth krijimit të
"identitetit kosovar" tashmë ka marrë përmasa që krijojnë tension e shqetësim. Analisti
Nexhmdein Spahiu ka sajuar një formulë enigmatike "Kombi kosovar do të jetë "fotokopja" e
kombit shqiptar" ("Shekulli" 23 Janar 2006). Po përse u dashka të kthehesh në fotokopje kur je
njësh me origjinalin, më saktë kur vetë je origjinali edhe i asaj që është në Shqipëri ?! Edhe pse
Nexhmedin Spahiu në shkrime si "Kombi kosovar dhe Rexhep Qosja" (6 shkurt 2006) apo të tjerë
si Ismail Kadare e shpura e tij servile kanë bërë zhurmë të kotë për "identitetin europian të
shqiptarëve", duhet pranuar se Qosja e ka trajtuar më drejt problemin e "identitetit të rrezikuar" në
"Ideologjia e shpërbërjes".
Teza për "identitetin kosovar" ka shkaktuar kundërshtime. Ibrahim Kelmendi në shkrimin "Hijet e
simpoziumit "Identiteti europain" i Kosovës" ("Tema" 3 Korrik 2007) ka qortuar përpjekjet e
Migjen Kelmendit për të imponuar një "gjuhë shqipe kosovare" dhe ka paraqitur përshtypjen e tij
negative mbi "insistimin e disa referuesve për të sajuar "kombin kosovar" me argumentin kryesor
se kështu bashkësia ndërkombëtare do e miratojë më shpejt pavarësinë shtetërore të Kosovës".
Ibrahimi ka shtuar dhe një element shumë domethënës: "Akoma më e shpifur m’u duk gara në mes
të z.Nexhmedin Spahiu dhe z. Migjen Kelmendi për meritën fillestare për nismën e krijimit të
"kombit kosovar, gjegjësisht se cili nga at të dy e ka të patentuar këtë shpikje epokale. Edhe në këtë
rast ndërhyra "brutalisht" duke i thënë z. Spahiu: "Mos na bezdis më me rrahagjoksje prej
nismëtari pasi para teje "kombin kosovar" e ka shpikur Dushan Mugosha". Pra, edhe Fatos
Lubonja nuk bëka ndonjë shpikje në Shqipëri, por përdorka shpikjen e Dushan Mugoshës.
Valon Murati në shkrimin "A ekziston identiteti kosovar" ("Shekulli 17 Maj 2004) kishte sqaruar
se "Identiteti shqiptar i krijuar në Ballkan nëpërmjet Rilindjes Kombëtare (që bazë e kishte luftën e
Skënderbeut) dhe luftrave të shumta të shqiptarëve është rrezikuar në vazhdimësi nga fqinjët tanë....
Në këtë identitet kanë goditur vazhdimisht pushtuesit tanë. Teza mbi ekzistencën e dy kombeve,
atij "albanaca" (në Shqipëri") dhe "shiftara" (në ish-Jugosllavi) është tezë e vjetër e e politikave
shoviniste serbe... Nuk ka dyshim se identiteti kosovar ekziston. Mirëpo ai ekziston vetëm në
kuadër të hapësirës kombëtare shqiptare, pra është pjesë e tërësisë kombëtare". Kjo do të thotë se me
identitet kombëtar kosovar duhet të kuptojmë thjesht një identitet krahinor shqiptar si identiteti
çam, lab, myzeqar, korçar, dibran, matjan, shkodran, lumjan etj.
Valon Murati e ka kopsitur mirë këtë punë me fjalët: " Identiteti kosovar në kuptimin e identitetit si
komb i veçantë nuk ekziston as sot, nuk ka ekzistuar as dje, e nuk ka kurrfarë përvoje as
objektive, as politike, a historike që të ekzistojë nesër". Janë fjalë që më sëpari duhet t’i vejë vathë
në vesh Fatos Lubonja që të mos shohë më ëndrra e të mos hedhë falle publicistike se "flamuri i
Ahtisarit" do të krijojë një "komb kosovar", duke tjetërsuar kombëtarisht, pra duke u ndërruar
gjakun, kulturën , ndjesitë dhe gjithçka kombëtare shqiptare asaj pjese të shqiptarve që do të
jetojnë tani e tutje në shtetin e pavarur të Kosovës me një flamur të tillë. Me gjermanët, që dhe në
OKB u përfaqësuan për disa kohë me dy flamurë të ndryshëm shtetërorë, kjo nuk ndodhi. Përse ia
ka qejfi Lubonjës që të ndodhë me shqiptarët?!
Në shtyp ka pasur mjaft shkrime që hedhin poshtë si absurde e të dëmshme për shqiptarët parrullën
për "identitet kombëtar kosovar": "Ç’fshihet pas idesë për formimin e kombit kosovar", nga Tahir
Gecaj në "Kosova sot", 29 Prill 2005; "Identiteti i Kosovës" nga Abit Hoxha në "Ballkan" 14
Shtator 2007; "Kombi kosovar" nga Shefki Ollomani në "Ballkan" 5 shtator 2007; "Roli i
Kosovës në formimin e identitetit kombëtar shqiptar" nga Arsim Spahiu në "Standard" 12 Tetor
2007; "Fenomenologjia e "identitetit kombëtar" është me bazë serbomadhe" nga Prof. Dr. Mehdi
Hyseni në "Ndryshe" 8 Shtator 2007; "Identitet shqiptar e asesi kosovar", kryeartikull i gazetës së
Prishtinës "Besa" 11 Janar 2006; "Debati për identitetin shqiptar në shtratin e gabuar" nga
shkrimtari e kritiku Milazim Krasniqi në "Shqip" 21 Qershor 2006 etj. Shkrime të tilla përmbajnë
argumenta të forta e të shumta për t’u thënë Fatos Lubonjës, Nexhmedin Spahiut, Migjen
Kelmendit e ndonjë bashkëmendimtari të tyre se nuk kalojnë aq lehtë idetë për prishjen e unitetit e
të identitetit kombëtar midis Shqipërisë e Kosovës. Shefki Ollomani i këshillon mirë ata që duan të
trillojnë një "komb kosovar: "Edhe po të arrihet deri tek formimi artificial e lobaratorik i kombit
politik "KOSOVAR, me anë të lajkave, mashtrimeve, kjo do t’i ngjante ndërtimit pa leje të një
shtëpie në pronën e huaj. Kosova nuk ka vend për dy kombe. Pronar i tokës së Kosovës është
kombi SHQIPTAR" ("Ballkan" 8 Shtator 2007).
Është dhe një pyetje për t’u bërë: mos vallë ata që sugjerojnë e urojnë krijimin e një "kombi
kosovar" duan që të krijojnë një hibrid në Kosovë, ku shumica shqiptare të ndjehet gjysëm e
serbizuar dhe kështu Serbia të arrijë në kushtet e pavarësisë së Kosovës atë që nuk e arriti dot në
kushtet e robërimit të Kosovës, ndryshimin e karakterit etnik shqiptar të Kosovës, pra
deshqiptarizimin e Kosovës, nëpërmjet vetë shqiptarëve ?!
Serbët kur nisën sulmin e madh për shtrëngimin e darës së pushtimit të tyre mbi shqiptarët dhe
rrënimin e asaj autonomie që kishte përfituar Kosova në vitin 1974 strategjinë e tyre e paraqitën si
nevojë të domosdoshme që Serbia të ndalte "shqiptarizimin e mëtejshëm" të Kosovës. Gazeta
"Rilindja " në Prishtinë në numrat 10689 e10699 të datave 11 dhe 12 Janar 1989 nën titullin
"Ç’nuk qenka shqiptarizim! " botonte reagimin e Shoqatës së Pedagogëve Universitarë dhe
Punonjësve Shkencorë të Kosovës ndaj shkrimeve përbuzëse që dërgonin homologë serbë në
gazetën "Politika". Nga ky reagim del se serbët tregonin një padurim të skajshëm ndaj çdo gjëje
shqiptare në Kosovë: ndaj lindjes së fëmijëve shqiptarë, gjuhës, kulturës, shkollave në shqip,
toponimeve, etnonimeve, antroponimeve, festave. simboleve shqiptare, deri ndaj vulave me
tekste në dy gjuhët dhe ndaj arkitekturës në traditë shqiptare.
Serbët ulërinin se të gjitha këto ishin një "shqiptarizacija" në Kosovë, kurse shqiptarët në protestën
e tyre mbroheshin duke theksuar: "shqiptarët asnjëherë nuk kanë folur për serbizimin Kosovës".
Por ama as kjo nuk i pengonte serbët t’u binin kambanave të alarmit të politikës e të kishave të
tyre kundër "shqiptarizimit" dhe të përgatisnin atë "deshqiptarizim" që mori përmasa e natyrë të
përbindëshme deri me gjenocidin dhe spastrimet etnike në pranverë të vitit 1999. Mësymja e
madhe serbe u thye kryesisht në saje të ndërhyrjes së NATO-s. Por urrejtja për "shqiptarizimin" e
Kosovës shtohet nuk paksohet tek serbët e të gjitha kategorive politike e shoqërore, veçse për
strategjinë e "deshqiptarizimit" po kërkohen rrugë të tërthorta e taktika shumë më djallëzore, ku
duket qartë se bën pjesë dhe krijimi i "identitetit të ri kosovar" në Kosovë.
Në Tiranë jehon mallkimi serb për "shqiptarizacija- n"
Ka edhe shumë më keq se alkimia etnologjike ogurzezë për të bërë dy kombe shqipfolës. Disa në
Shqipëri i ka zënë magjia e tjetërsimit të kombit shqiptar në tërësi për të kthyer atë në gjendjen e
kohës para osmane, në një bashkësi arbërore mesjetare. Ky është synimi kryesor i atyre që
përpunojnë dhe i atyre që përhapin në media, shtyp, e libra idenë se duhet zhbërë (jo thjesh
rishkruar) historia e shqiptarëve qysh nga koha e vdekjes së Skënderbeut, sidomos pas rënies së
Krujës sërish nën sundim osman. Në vend të shqiptarisë, shqiptarizmit (albanizmit) dhe
nacionalizmit shqiptar këta kërkojnë të bëjnë "deshqiptarizimin" e përgjithëshëm, të dezinfektojnë
trojet që quhen Shqipëri nga "shqiptarizimi" , të rikthejnë Arbrin dhe arbnorët, "latinizmin e
krishterë" kastriotas, protonacionalizmin skënderbegian. Përdhosin kështu edhe emrin e veprën e
Heroit Kombëtar, përmbysin me llafe boshe e arsyetime të çakërdisura proceset etnologjike,
historike e kulturore shekullore për hir të një revanshizmi primitiv politiko-fetar që u ka shkrepur
në mendje dhe ndoshta në përçartjet e tyre kujtojnë se mund të bëhet realitet.
Pedagogët e Kosovës në vitin 1989 shkruanin: "Shoqata e Mësimdhënësve Universitarë dhe e
Punonjësve shkencorë të Serbisë shqiptarizimin e sheh kudo ku ka shqiptarë, meqë e sheh në çdo
gjë që bëjnë ata, kudo që shkruhet në gjuhën shqipe në çdo gjë që mendojnë shqiptarët. Kjo
praktikisht do të thotë kudo që shohin përveç asaj serbe edhe diç shqiptare, aq më parë atje ku
shohin vetëm shqiptarë. Me një fjalë çdo gjë shqiptare për ta është shqiptarizim. Prandaj mund të
thuhet se koncepti shqiptarizim është instrument politik, me të cilin synohet represion me të cilin
rrezikohen vlerat historike, shpirtërore dhe kulturore shqiptare-identitet i kulturor dhe integriteti i
popullit shqiptar. Shqiptarizimi i trilluar është shembull i qartë i shqiptarofobisë " (gazeta "Drita"
Tiranë 29 Janar 1989).
Kjo shqiptarofobi serbe nën pretekstin për t’iu kundëvënë "shqiptarizacija- s" në Kosovë tani ka
mbërritur në Shqipëri në një formë shumë më vulgare, sepse këtu shpallet më hapur se në "Politika"
të Beogradit dikur që shqiptarizimi është fatkeqësia më e madhe që ka goditur në radhë të parë vetë
ata që quhen shqiptarë, se shqiptarizmi është shprehje e kësaj fatkeqësie dhe prej saj nuk shpëtohet
pa u shuar fare vetë emrat shqiptar e Shqipëri. Duket sikur po trilloj mëkate që nuk mund t’i bëjë
kush, por në vijim do të përmend konkretisht se si janë shfaqur në publik këto përçapje ose
përçartje që kapërcejnë edhe shqiptarofobinë serbe.
Natali Klejer ka shtruar pyetjen interesante: "A ka ekzistuar një protonacionalizë m shqiptar?".
Kësaj pyetjej ajo i jep përgjigje duke u mbështetur në skemën e në vlerësimet e bëra për rastin e
shqiptarëve nga Erik Hobsbaum në veprën "Kombet dhe nacionalizmi" . Ashtu si Hobsbaum ajo
dyshon që: "gjuha ka qenë një çimentim real i protonacionalizmit tek shqiptarët". Pohon se
përkatësia fetare në disa fe nuk mund të shërbente tek shqiptarët si bazë e protonacionalizmit. Me
këtë ndihmon për t’ua hequr disave nga dora shpatën e katolicizmit si formuesi i
protonacionalizmit skënderbegian. As vetëdija për përkatësinë në një entitet politik të qëndrueshëm,
që nuk ekzistonte jashtë kuadrit të Perandorisë Osmane, nuk mund të ishte çimento e
protonacionalizmit. "Përkundrazi- thekson Klejer- vetëdija etnike pranohet se ka qenë shumë e
fortë. Nijazi Berkesh p.sh. shpjegon se shqiptarët, sikurse arabët ishin kapur më shumë se turqit
pas asabije-së (parimit të solidaritet të "racës:") tradicionale" (fq. 22-23). Rilindasit tanë në vend të
nocionit etni kanë përdorur më shumë nocionin "racë". Edhe Jakov Milaj ka bërë në vitet 1940 një
libër me profil studimor-shkencor të titulluar "Raca shqiptare".
Ndjesia e fortë për përkatësinë etnike ka shërbyer si bazë për shqiptarinë, që mund të quhet
protonacionalizë m dhe është bazë për nacionalizmin edhe sot. Ja përse këtë ndjesi për përkatësinë
etnike gjatë shekujve duan ta lëkundin ata që ngulin këmbë se osmanët u ndryshuan shqiptarëve
fenë dhe përkatësinë etnike.
Bëhen herë pas here përpjekje për të vënë në dyshim saktësinë e dobinë e emërtimeve Shqipëri dhe
shqiptar. Ende ribotohen ose botohen shkrime rreth temës "nga vjen fjala Shqipëri?". Në një
emison të Rudina Xhungës në "Top Channel" mbi vizitën në fshatin Karakurt të Ukrainës, ku
jetojnë pasardhës shqiptarësh të emigruar para 2 shekujsh, u theksua me të madhe se atje në vend
të fjalës "kuptoj" thuhej "shqiptoj". Gjuhëtarja e re Ledi Shamku (Shkreli) e shkolluar në Itali, që
pas aktivizmit në politikë po zbeh imazhin si njeri i shkencës, e analizoi njoftimin e Xhungës si
provë që sqaron një hipotezë, apo enigmë të vjetër se nga vjen fjala shqiptar, e cila na qenka një
derivat i një foljeje të latinishtes mesjetare "ekskioireo ose ekskipio",-" kuptohem" " merrem
vesh"- (ende nuk e paskan saktësuar si ka qenë folja latine ndonëse në emison u tha se me këtë
punë ishin marrë dhe gjuhëtarë si Eqerem Çabej e Mustafa Kruja). Por Ledi Shamku (Shkreli) ia
lëshoi frenat entuziazmit të vet: "Kam përshtyppjen se jemi në një emison historik, në një moment
ndoshta historik". Sepse na dilte që Shqipëria e shqiptarët emrin e kanë marrë nga fjala
"kuptohem". Si ta kuptosh këtë është pak e vështirë, por një variant mund të jetë se shqiptarët
dikush i paska quajtur "popull i marrë vesh", ose "popull me të cilin merrem vesh".
Shqiptarët karakurtas kur thonë "shqiptoj" nuk bëjnë gjë tjetër veçse thonë "flas shqip", siç është
ligjërimi nornal në gjithë gjuhët kur pyetet çfarë gjuhë flet dhe të përgjijen: "je parle français"(fr) ;
"parlo italiano" (it); "habla espagnol" (sp); "I speak english" (an), " ja govorju po ruski" (rus).
Kurse "unë flas shqip" e gjuhës sonë thuhet dhe më thjeshtë me një fjalë të vetme "shqiptoj", pa
qenë nevoja të përdoret një tog-fjalësh si në gjuhë të tjera. Këtë formë përdorkan shqiptarët e
Karakurtit, të cilët besoj se nuk kanë haber fare nga ajo folja e latinishtes mesjetare, siç nuk
kishim dhe ne këtu në Shqipëri, përveç pak gjuhëtarëve të pasigurtë në formën e saj.
Në gazetën "Ndryshe" më 11 Janar 2008 u shfaq shkrimi "Plaga që nuk shërohet: Shqiptari apo
Arbëri". Shqipëria quhet një rast unik në histori kur një popull merr përsipër të identifikohet me
emrin e një kafshe, theksohet në artikull. Pastaj shkrimi numron meritat e fisit të Arbrit që u
qëndroi shumë rrebesheve, madje shërbeu si emërtim për fiset e tjera ilire, krijoi dhe një kulturë
perëndimore, një krenari e vetëdije historike deri në çastin e dyndjeve osmane, se pastaj paska
nisur procesi çnjerëzor për ta identifikuar Arbrin sipas një totemi, duke i dhënë emrin e shpendit të
quajtur shqipe. Nga e keqja Arbëri e paska pranuar me qëllim që edhe po të shuhej emri e lavdia e
tij të jetonte në emrin e ri, tek totemi. Pas rënies së Krujës shqiptarët paskan marrë malet (sa vetë
mund të kishin mbetur vallë për të marrë malet, pas gjithë atyre luftrave rrënuese, pas eksodit drejt
Jugut të Shqipërisë e përtej Adriatikut, pas një katastrofe demografike që goditi Shqipërinë e
Mesme, siç ka shkruar studiuesi zviceran Jens Shmidt?! Dhe për cilët male bëhet fjalë?).
Por dhe atje në male arbrit nuk kishin si qëndronin dhe një pjesë zbriti në ultësirë ku u trazua me
pushtuesin. Kështu ndodhi që arbëri-shqiptar "hodhi hapat e tij në zhvillimin kulturor në shekujt që
erdhën në hijen e "vëllait të tij të madh turk" dhe "emri shqiptar filloi të përcaktonte një etni të re"
dhe "u kurorëzua plani përfundimtar i invazorit për shkatërrimin e botës së Arbrit"; "feja osmane
krijoi identitetin e ri". Artikullshkruesi psherëtin dhe qoton se: "me këtë arbëri-shqiptar u largua
nga vëllezërit e tij, elementi kokëfortë, malësori i pagdhendur". Ja si nxjerr krye ngacmimi i
njohur se vetëm banorët e malësive më të egra janë trashgimtarët më të drejtpërdrejtë e të denjë në
trojet që njihen si Shqipëri.
Avokati Gjetë Kola këtë pseudotezë ka tentuar ta përfshijë dhe në "studimet" e tij juridike mbi
pronësinë e tokës. Gjeta i quan "mbështetje për kolaboracionistë t" (në këtë rast të osmanëve)
kërkesat që pronarëve të ligjshëm t’u kthehen pronat që ua grabiti komunizmi me shtetëzim dhe ua
mohoi demokracia me Ligjin 7501 të korrikut 1991, që ka krijuar katrahurë pronësore në Shqipëri.
Sipas Gjetës shumica e pronave tokësore në Shqipëri kanë qenë krijuar nga pushtuesit osmanë që u
jepnin troje si shpërblim kolonëve që sillnin këtu dhe kolaboracionistë ve vendas. Sipas këtij
avokati "këto dy specie u tundin qeverive shqiptare të të gjithë ngjyrave fermanët e sulltanëve me
të cilët paraardhësve të tyre u janë dhënë pronat e shqiptaëve etnikë si shpërblim për krimet e kryera
jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj popujve të tjerë të Ballkanit". Tapitë për tokën nuk
quheshin "fermanë".
Për grabitjen e tokave të shqiptarëve nëpërmjet "reformash agrare" në Thesali, Çamëri, Kosovë e
përtej Kosovës pushtuesit e kolonizuesit grekë e serbë kanë përdorur pikërisht të tillë argumente, se
tokat e shqiptarëve kanë qenë pronë e rajasë greke e sllave që sulltanët ua jepnin shqiptarëve dhe
prandaj titujt e pronësisë së shqiptarëve duhen quajtur të pavlefshëm. Kurse sipas avokat Gjetës
pronë e mirëfilltë dhe e shenjtë në trojet shqiptare ka qenë vetëm ajo e të krishterëve, se
myslimanëve duhet t’ua ketë dhënë Sulltani, meqenëse u bënë kolaboracionistë (njësoj siç ua dha
Ligji 7501 një numri shqiptarësh jo pronarë pas vitt 1991). Pra Gjeta gjithë shqiptarët myslimanë
tenton t’i barazojë në status shoqëror me spahinjtë.
Noel Malkolmi e nxjerr qesharak një pjesë të pretendimit të Gjetë Kol

ës kur shkruan: " Kolonizimi masiv nga kolonë turq ishte një përjashtim në Ballkan, i.kufizuar në
pak zona të Bullgarisë, Thrakës dhe Maqedonisë. Ai nuk preku Kosovën, Shqipërinë ose ndonjë
nga tokat sllave. Në vend të bujkrobërisë fshatarët ballkanas tashmë gëzonin përmirësim në të
drejtat e tyre përballë pronarëve" (fq.94). Kurse pjesa tjetër e pretendimit të Gjetës është vetvetiu
qesharake, sepse në Shqipëri nuk kishte tokë që të hynte Sulltani në atë zahmet t’ia merrte njërit e
t’ia jepte tjetrit. Të paktën në Fan të Mirditës, sikurse në fshatin tim malor në Mat kjo ka qenë e
pamundur.
Sa përçart tingëllojnë stërhollimet e Gjetës në krahasim me ato që thoshte një njohës i vërtetë i
problemeve të shqiptarëve të Kosovës, Bedri Pejani, në Kongresin Ndërkombëtar për të drejtat e
popujve në vitin1920 në Gjenevë: "E vërteta është se Kosova ishte dhe është ende shqiptare... E
robëruar nominalisht nga turqit kjo krahinë drejtohej faktikisht nga shqiptarët dhe guvernatorët
shqiptarë, pasardhësit e të cilëve jetojën ende në Kosovë". (Shkrim i historianit Marenglen Verli në
"Rilindja’ më 4 Maj 1999).
Por Gjetë Kola vuan ende nga internacionalizmi komunist. Për të janë më të dashur e më të
dhëmbshur rajaja sllavo-greke e Ballkanit të dikurshëm se fisnikëria dhe popullsia e lirë shqiptare
e atëhershme. Gjeta edhe sot pas qindra vjetësh ka hallin e madh se pronat e shqiptarëve kanë qenë
krijuar si shpërblim që paraardhësit e tyre kanë bërë mizori kundër popujve të Ballkanit. Pra
mendon njësoj si Drashkoviçi edhe kur trajton çështjet pronësore të të shkuarës e të sotmes. Madje
bën dhe interpretime që nuk i shkojnë në mend as Drashkoviçit në Serbi, as Panajot Barkës në
Dropull, gjyshi i të cilit edhe haurin e gomarit e kishte me qera, kur shkruan në gazetë se "reforma
agrare e viteve 1945-46 në Shqipëri ka qenë fundi i pushtimit turk në fushën e pronësisë" ndërsa
kërkesat e pronarëve shqiptarë sot për kthimin e tokave i shpall "delegjitimim i shtetit shqiptar
pasi me këtë veprim ai nuk mund të jetë më shtet i shqiptarëve etnikë". Pra del, sipas Gjetë Kolës,
se shteti i sotëm shqiptar "qenka i shqiptarëve etnikë", meqenëse në Dropull e në Vurg ua
shpërndau "me dhurim" tokën e pronarëve shqiptarë minoritarëve grekofonë pasardhës të atyre që
kishin ardhur të punonin si argatë dikur në këto toka.
Gjeta propagandon në këtë mënyrë se vetëm të zbriturit nga malësitë shqiptare, që kanë zënë tokat e
të tjerëve, duhen llogaritur për "shqiptarë etnikë". Ai trembet se mos po rikthehet "pushtimi turk"
në fushën e pronësisë së tokës që ia e paska quajtur të përfunduar në vitin1946. Kurse disa të tjerë
kërkojnë edhe më shumë: të nisë "beteja" e çuditshme kundër pushtimit osman në fushën e
shndërrimeve etnologjike për të zhdukur emrat "shqiptar" e "Shqipëri". Edhe këta vënë në
qarkullim teza të huaja se kombi shqiptar pasi "u zgjua nga revolucioni grek" dhe u pavarësua
mbeti që mbeti turko-shqiptar dhe fuqitë e mëdha prandaj e përbuzën dhe e copëtuan. Kështu
gjenden shqiptarë që përvetësojnë e propagandojnë tezat serbe se turku i bëri shqiptarët në imazhin
vet dhe tezat greke se shqiptarët janë helenë të shqiptarizuar në gjuhë e myslimanizuar në fe.
Mohuesit e shqiptarizmit, nxitës të "vetëvrasjes kombëtare"
Shkruesi i artikullit në "Ndryshe" në analizën e tij psikologjike- animiste- totemiste e ka tjerrë
herë trashë e herë hollë muhabetin tij çapraz në funksion të një qëllimit: të përçojë idenë ngacamane
se "çështja e këtij komb të ri dhe nga më të vjetrit në botë" që identifikohet me emrin e një shpendi
"nuk ka për t’u zgjidhur kurrë nëse ai nuk merr përsipër peshën e të kaluarës së tij. Nuk ekziston
komb në botë që ka ndryshuar emrin e tij në tri a katër shekujt e fundit...Nëse shqiptari nuk ka
forcë të zhvishet nga identiteti primitivo-totemik luftëtar dhe të marrë përsipër identitetin e tij
njerëzor qytetërues të Arbrit që i përket, rilindja e tij nuk do të bëhet kurrë e mundur... do të jetë një
rilindje gjysmake". Porositë që fillojnë me "në se... në se... " janë të shumta për t’u rreshtuar të
gjitha këtu, por kryesoret janë që "shqiptarët të pushojnë së ndjeri veten bij të shqipes dhe të
tjetërsohen kombëtarisht" dhe "identiteti i tyre mund të realizohet vetëm me Rilindjen e Arbërit e
të fillohet që Republika e Shqipërisë të quhet Republika e Arbërit". Shqipëria të jetë Arbëri, Kosova
të jetë Dardani, vetëm që të mos mbetet më Shqipëri, as e bashkuar, as e cunguar.
Ky biçim shkrimi i tejngarkuar me sofizma nga më qesharaket është botuar në "Ndryshe" 1 muaj e
10 ditë pas shkrimit të Artan Shkrelit me titull "Muzaka, Lega italo-shqiptare dhe pavarësia e
Shqipërisë"("Gazeta Shqiptare" 1 Dhjetor 2007) dhe 1` muaj e pesë ditë pasi gazeta "Shqip", në
data 4 e 5 Dhjetor 2007 kishte sjellë me shkrim për lexuesit ato që kishin thënë në "Top Channel"
gjatë emisonit për shqiptarët e Ukrainës Rudina Xhunga e Ledi Shamku (Shkreli).
Artan Shkreli artikullin e tij ka nisur me një lëvdatë për "kontributin e pazëvendësueshë m të
arbëreshëve për Ringritjen Kombëtare Shqiptare." Kjo lëvdatë është me vend. Edhe më me vend
është të mbahet parasysh vlerësimi i Natali Klejer: "kështu shqiptarizmi (albanizmi) sëpari u
zhvillua tek elita italo-shqiptare e cila kurrë nuk e flaku identitetin e saj italian, as identitetin
"ortodoks " (fq. 714) Shkreli shpjegon se: "Përdor termin Ringritje, pasi termi Rilindje është
përdorur gabimisht (mbase ka dashur të thotë gabim AB) në historiografinë tonë, duke përcaktuar
me të pikërisht Lëvizjen për Ringritje Kombëtare, e duke shkaktuar si rrjedhim konfuzion jo të
vogël që krijon probleme terminologjike për përcaktimin e epokës së Rilindjes Arbërore- gjithë në
kuadër të Rilindjes Europiane, e cila në fakt preku, ndonëse cekazi territorin tonë atbotë shumë më
të madh nga sa sot". Pastaj vazhdon një tekst i tërë për Muzakën.
Por duket që qëllimi kryesor ka qenë për të hedhur në publik fjalitë e mësipërme dhe për të përçuar
idenë se shqiptarët duhet të nisin një Lëvizje Ringritjeje Arbërore. Shkurt duhet të zëvendësojnë
Shqipërinë me Arbërinë, sikurse propozohet më 11 Janar 2008 në "Ndryshe" dhe për të flakur atë
emrin "shqiptar" që nuk po u ditka mirë nga vjen, nga shpendi fisnik –totem, shqipe, apo nga një
folje ende e panjohur saktësisht e latinishtes mesjetare.
Miqtë e vërtetë këshillojnë të forcojmë shqiptarinë e shqiptarizmin
Duken si punë pa bereqet të merresh me këto. Por mbase nuk është kështu. Meqenëse për
terminologjinë Rilindje Kombëtare na është dashur të mbajmë një qëndrim kur emërtuam Partinë
Rimëkëmbja Kombëtare në Dhjetor të vitit 1995 dhe nisëm botimin e organit të saj "Rimëkëmbja"
na takon të kujtojmë se u nisëm nga mendimi se Rilindja Kombëtare duhej lënë në shenjtërinë e saj
politike, historike dhe terminologjike, si një etapë e caktuar në kohë me kuptim e rëndësi të veçantë
në zhvillimin e jetës kombëtare shqiptare. Me Rilindjen Kombëtare u hodhën themelet e patundura
ideore e politike të pavarësisë së kombit shqiptar, mori fizionominë e duhur përfundimtare dhe
klasike nacionalizmi shqiptar. Kombi shqiptar është nëpërkëmbur brutalisht më vonë dhe për
shqiptarët ende sot është parësore detyra e rimëkëmbjes së tij. Por nuk mund të bëhet më fjalë as për
"rilindje", as për "ringjallje" , as për "ripërtëritje" të këtij kombi.
Termi Rilindje Kombëtare e ka një cen të vogël, pasi fjala Rilindje si proces i mirëfilltë natyror
nënkupton një "vdekje të mëparshme". Madje edhe në këtë rast po të nisemi nga teologjia e
krishterë mbi Jezu Krishtin duhet përdorur termi Ringjallje. Për lëvizjen kombëtare që i parapriu
shpalljes së pavarësisë terminologjinë më të saktë e ka gjetur e përdorur Prof. Stavro Skëndi
"Zgjimi kombëtar shqiptar", SHBA 1967 (nuk ka thënë rizgjim, sepse ka gjykuar si shkencëtar, jo
si propagandist) . Terminologjia "Ringritje Arbërore" ka dy të meta: 1-ringritja është term pa
kolorit për të krijuar paralelizëm me Rilindjen Kombëtare, ose për të pagëzuar një skemë politike që
synon zhdukjen e pasojave të nëpërkëmbjes që i është bërë kombit shqiptar deri në ditët tona, edhe
pas "zgjimit kombëtar shqiptar", 2- synon të zhfleftësojë pikërisht "zgjimin kombëtar të
shqiptarëve", madje edhe shqiptarinë e shqiptarizmin (albanizmin) për të kthyer 6 shkekuj mbrapa
rrotën e historisë në trojet tona (për inat të myslimanizmit dhe të turqve).
Pra, shtytës për të tilla përçartje është i njëjti inat me të cilin serbët janë turrur kundër
"shqiptarizacija" dhe grekët kanë llomotitur për kombin turko-shqiptar që paska shqiptarizuar në
gjuhë helenët jo vetëm deri në lumin Shkumbin, por deri në rrëzë të Alpeve të Veriut, sikurse
pretendonte ish-ambasadori grek në Tiranë Prevenduraqis në një intervistë të tij. ("Republika" 5
prill 1998).
Mbas kësaj që u parashtrua më sipër kërkohet një përgjigje edhe për pyetjen: a duhet t’i drejtohen
shqiptarët të shkuarës së tyre historike, sa dhe si? Përgjigjen më të mirë për këtë besoj se na e ka
dhënë një i huaj, ambasadori amerikan në Tiranë, Shkëlqesia e tij zotëri Xhon Uidhërs: "Gjëja
kryesore për një vend në tranzicion është që të mbrojë dhe të respektojë traditën e vet kulturore.
Mendoj se në një vend si i juaji, i cili është si shumë vende që kanë dalë nga diktatura, ku shumica
e kulturës shqiptare është mbajtur nën Tirani, ose ishte shfytyruar prej qëllimeve ideologjike, para
së gjithash për shqiptarët është kaq e nevojshme të kërkojnë përsëri rrënjët e tyre në të shkuarën,
gjërat që e bënë Shqipërinë Shqipëri dhe shqiptarët shqiptarë përgjatë historisë".(intervis të në
gazetën "Shekulli" 13 Dhjetor 2007)
Pra historisë duhet ti drejtohemi për të kërkuar rrënjët e kësaj që jemi sot, për të përforcuar qenien
tonë kombëtare të sotme, jo për të mohuar ose tjetërsuar këtë qenie.
21 Janar 2008

Vous aimerez peut-être aussi