Vous êtes sur la page 1sur 4

Masakra e Bolonjës - 2 gusht 1980

nga Brunilda Ternova

Italia është ndër të paktat vende në botë ku kronika e zezë ngatërrohet e plekset me historinë dhe
politikën, ku episodet, ngjarjet, faktet zvarriten për vite me radhë, pa pasur një zgjidhje e një
mbyllje, dhe shpesh ngelen të mbuluara nga velloja e misterit dhe e fshehtësisë totale.

Data 2 gusht 1980 përfaqëson një nga


ngjarjet më të dhimbshme të këtyre 30
viteve të fundit për qytetin e Bolonjës dhe
për italianët në përgjithësi.

Historia e kësaj date dhe e ngjarjes që


përfaqëson nis me një masakër çnjerëzore
në orët e para të mëngjesit, ku gjetën
vdekjen 85 persona të pafajshëm dhe u
plagosën apo gjymtuan më shumë se 200
të tjerë.

Ngjarje të tilla nuk kanë thjesht të bëjnë


me sjellje të izoluara individuale të
personave të caktuar, edhe sepse ekziston
një bazë kulturore, sociologjike, ideologjike, politike dhe ekonomike mbi të cilën kanë maturuar
dhe janë zhvilluar gjatë kohës.
Thuhet se kjo është masakra më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Itali në kohë paqeje.

Rindërtimi i ngjarjes

Njerëz të ndryshëm ndodhen në sallën e pritjes, të ulur në karrige e në dysheme, lexojnë, flenë,
hyjnë, dalin, lëvizin brenda dhe jashtë pa pushim. Ora është 10:25 e mëngjesit, kur e gjithë salla e
pritjes, zyrat lart në katin e dytë, bari, restoranti, një pjesë e stacionit të trenit të Bolonjës shemben
me zhurmë. Copa metalesh, blloqe çimentoje dhe pluhuri i zi do të mbulojnë gjithë stacionin e do të
përhapen dhunshëm, duke goditur trenin e linjës Chiasso-Ancona, bashkë me taksitë që ndodheshin
në sheshin para stacionit. Njerëzit e grumbulluar rreth stacionit, të përbërë nga ushtarakë, civilë dhe
kalimtarë, do të ofrojnë ndihmat e para duke u futur mes rrënojave për të nxjerrë ata që ishin akoma
gjallë. Edhe taksitë dhe autobusët janë të zënë me transportimin e të plagosurve në spital.

Shpëtuesit e ndihmës së parë do të dëshmojnë se kanë parë viktima - midis tyre dhe fëmijë - me
trupa të sakatuar dhe të gjymtuar, duke dhënë shpirt. Një ferr i vërtetë mbi tokë. Shumë njerëz, në
shumë rajone italiane, përpiqen të shqetësuar të kontaktojnë me të dashurit apo të njohurit e tyre, me
shpresën se nuk ndodhen në vendin e incidentit. Linjat telefonike janë të bllokuara nga telefonatat e
shumta; morgu dhe spitalet e Bolonjës janë të mbushura plot me policë, njerëz të zakonshëm e të
ndihmës së shpejtë, të njohurit dhe të afërmit e të plagosurve dhe viktimave.

Thashethemet e para kishin hedhur hipotezën se kishte shpërthyer një kaldajë në afërsi të restorantit.
Gazetarët urdhërohen nga disa njerëz me peshë dhe të mirinformuar mbi çështjen që të evitonin
fjalën ‘atentat’ në shkrimet e tyre. Por sipas dëshmive të atyre që dhanë ndihmën e parë, era e
Brunilda Ternova 1
Email: bru_ternova@yahoo.it
barutit ishte shumë e fortë dhe “kaldaja” - e cila nuk mund të krijonte një shkatërrim të atyre
dimensioneve - nuk u gjet gjëkundi.
Më 3 gusht, Kryeministri Francesco Cossiga mban një konferencë për shtyp në sallën e Bashkisë së
Bolonjës dhe flet për një ‘shpërthim të qëllimshëm’, ndërsa më vonë prokurori i Bolonjës do të hapë
një dosje hetimore mbi ngjarjen, duke e quajtur: masakër. Ekspertiza e kryer nga dr. Marino dhe
kolonel Spampinato do të vërtetojë se në një valixhe të braktisur mbi një tavolinë në sallën e pritjes
kishte 20 kilogramë eksploziv, duke përfshirë nitroglicerinë, dinamit dhe T4. Përzierja e dinamitit
me T4 quhet ndryshe ‘Compound B’ dhe është i njohur shumë mirë në ambientet ushtarake, sepse
përdoret për plumba të veçantë. Më 22 gusht, DIGOS (Divizioni i Hetimeve të Përgjithshme dhe
Operacioneve Speciale) depoziton në gjykatë një raport në të cilin identifikohen si organizatorë
potencialë disa individë që u përkasin lëvizjeve neo-fashiste: Urdhri i Ri (ita. Ordine Nuovo),
Shpërbërja e Sistemit (ita. Disintegrazione del Sistema), Lufta Revolucionare (ita. Guerra
Rivoluzionaria). Aktiviteti i tyre i dhunshëm nuk ishte pa precedentë: masakra e sheshit “Fontana”
(16 të vdekur dhe 88 të plagosur), masakra e Peteanos (3 të vdekur dhe 2 të plagosur), masakra në
selinë e policisë së Milanos (4 të vdekur dhe 45 të plagosur), masakra e trenit Italicus (12 të vdekur
dhe 44 të plagosur). Qarkullojnë shumë thashetheme, zëra, konfidenca dhe sekrete të rrëfyera në
burg nga anëtarë të së djathtës ekstreme, që mblidhen nga policia. Ndërkohë vritet gjykatësi Mario
Amato, pikërisht kur ishte duke u fokusuar gjatë hetimeve të tij mbi organizatat terroriste neo-
fashiste në Itali.

Duke nisur nga 28 gushti, prokuroria nxjerr më shumë se 50 urdhër-arrestime për anëtarët e së
djathtës fashiste, me akuzën e “krijimit të organizatave subversive, bandave të armatosura dhe
përmbysjes së demokracisë”. Prokuroria nis hetimet e njëkohësisht nisin një seri e gjatë rrëfimesh,
zbulimesh, shqyrtimesh dhe shtrembërimesh të fakteve, për ta ndryshuar herë pas here të vërtetën
sipas këtij ose atij versioni. Përpjekjet për të larguar gjykatësit nga e vërteta janë të panumërta:
shtrembërimi i parë vjen nëpërmjet një telefonate që ia cakton autorësinë e masakrës grupit neo-
fashist NAR - Celula të Armatosura Revolucionare. Telefonata është e ngjashme me një tjetër të
mëparshme, e cila kishte akuzuar për masakrën e Ustikës një neo-fashist italian të lidhur me
shërbimet sekrete franceze. Do të zbulohet më vonë se të dyja telefonatat ishin bërë nga zyra e
SISMI-t (Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë Ushtarake të Firences). Shtrembërimet do të vazhdojnë
nga disa individë të ekstremit të djathtë, të burgosur në burgjet italiane dhe franceze, që do i
drejtojnë hetimet në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarë të grupeve të tjera neo-fashiste në
botë, të cilët do të rezultojnë më pas të palidhur me ngjarjen.

Më 13 janar 1981, në 09:26 ndodh një ngjarje e veçantë, që pështjellon më tej hetimet. Në një
vagon të klasit të dytë të trenit Express Taranto-Milano, policia gjen një valixhe të mbushur me
armë automatike, një armë gjahu, maska, dorashka dhe tetë kuti me eksploziv ‘Compound B’, si ai
që ishte përdorur në stacionin e Bolonjës. Policia po kontrollonte trenin, falë një raporti të dorëzuar
nënkryetarit të SISMI-t, Pietro Musumeci, nga gjenerali Santovito dhe biznesmeni Francesco
Pazienza. Pietro Musumeci ishte drejtor i qendrës së SISMI-t në Firence, e ndër të tjera kishte qenë
dhe anëtar i NAR-it. Raporti i quajtur “Terrori në trena” zbulonte një seri sulmesh në linjat
hekurudhore italiane të organizuara nga neo-fashistët italianë, në bashkëpunim me ata francezë dhe
gjermanë. Në valixhe do të gjenden gazeta franceze dhe gjermane, dy bileta avioni në emër të
terroristëve të dyshuar si të implikuar dhe të denoncuar nga vetë gjenerali Santovito. Disa vite më
pas, në 1984, do të zbulohet se valixhen-bombë e kishte vendosur një nënoficer i Armës së
Xhandarmërisë, i udhëzuar nga Musumeci. Tërhiqen akuzat kundër 50 të dyshuarve dhe më 15
shtator 1981, në Gjykatën e Bolonjës, diskutohet për mbylljen përfundimtare të hetimeve, edhe pse
s’janë gjetur përgjegjësit dhe fajtorët. Shoqata e të afërmve të viktimave të masakrës në stacionin e
Bolonjës reagon duke u kërkuar institucioneve të vazhdojnë e të intensifikojnë hetimet.

Më 14 qershor 1986, Licio Gelli, Francesco Pazienza, Pietro Musumeci dhe kolonel Giuseppe
Brunilda Ternova 2
Email: bru_ternova@yahoo.it
Belmonte akuzohen se kanë krijuar një organizatë subversive. Bëhet fjalë për lozhën masonike
“Propaganda 2”. Sipas gjykatësve, këta individë ishin në krye të një organizate që kishte detyrën e
subversimit të rendit demokratik, duke përdorur grupet neo-fashiste për kryerjen e atentateve.
Hallka lidhëse midis shërbimeve italiane të devijuara dhe grupeve neo-fashiste ishin neofashistët
Roberto Rinani, Paolo Signorelli, Fabio De Felice, Massimiliano Facchini, ky i fundit - ekspert
eksplozivash - kishte përgatitur eksplozivin për masakrën e Bolonjës. Më pas hyjnë në skenë dy
anëtarë të NAR-it, që janë përgjegjës për vrasjen e gjykatësit Amato: Valerio Fioravanti - i arrestuar
në shkurt 1981 e që deri në atë moment kishte kryer 8 vrasje, plaçkitje e sulme të ndryshme - dhe
shoqja e tij në jetë dhe në aktet kriminale, Francesca Mambro. Sipas gjykatësve, dy anëtarë të tjerë
të NAR-it - njëfarë Ciavardini dhe Facchini - miq të Mambro-s dhe Fioravanti-t, kishin informuar
me telefon të fejuarat të tyre që të qëndronin sa më larg nga trenat e Bolonjës në datën 2 gusht.
Gjyqi për masakrën në stacionin e Bolonjës zyrtarisht fillon në janar 1987, por në fakt nis në mars,
dhe sipas tezës gjyqësore, Fioravanti dhe Mambro ishin ekzekutuesit që kishin vepruar nën
direktivat e ideologut Signorelli.

Në korrik 1988, Gjykata e Bolonjës për Krimet e Rënda Penale dënon me burgim të përjetshëm për
masakrën: Valerio Fioravanti, Francesca Mambro, Sergio Picciafuoco e Massimiliano Facchini.
Gjithashtu gjykata dënon me 10 vjet heqje lirie Liccio Gelli, Francesco Pazienza, gjeneralin
Musumeci dhe kolonelin Belmonte, me akuzën për shpifje të rënda dhe shtrembërime të fakteve.
Ndërsa me Louis Ciavardini-n, meqenëse ishte i mitur, do të merrej një proces tjetër.

Por në korrik 1990 gjërat do të pështjellohen sërish dhe Gjykata e Apelit anulon të gjitha dënimet e
mëparshme për masakrën: anulon dënimin e Liccio Gelli-t dhe ul të gjitha dënimet për
shtrembërime të fakteve. Gjykata e Kasacionit, dy vjet më pas, do e konsiderojë vendimin të
palogjikshëm e të pabazë, sepse në disa pjesë të procesit gjykatësit kishin mbështetur teza të
pamundura. Në maj të 1994-s, Gjykata e Apelit dënon sërish për masakrën Fioravanti-n, Mambro-n
e Picciafuoco-n; liron Facchini-n dhe Rinani-n; dënon për shpifje të rënda me qëllim terrorizmi dhe
shtrembërim të fakteve Liccio Gelli-n, Francesco Pazienza-n, gjeneralin Musumeci dhe kolonelin
Belmonte. Një vit më pas, Gjykata e Kasacionit konfirmon të gjitha dënimet dhe lirimet. Ndërsa
Picciafuoco do të lirohet përfundimisht në 1996-n nga të gjitha akuzat.

Konkluzion

Çdo hetim që dështonte nga shtrembërimet e të dhënave, sillte humbjen e besueshmërisë të fakteve
të tjera. Dhe ishin pikërisht shërbimet sekrete italiane që e kishin udhëhequr gjithmonë aparatin
gjyqësor përgjatë këtyre dështimeve. Norberto Bobbio - filozof, historian dhe politoglot italian - do
të shprehej në librin “Masakra, akt-akuza e gjykatësve të Bolonjës”, faqe IX (ita.“La strage, l'atto
d'accusa dei giudici di Bologna” – Roma, 1986): “Të krijohet përshtypja se deri tani nuk është
kuptuar serioziteti, përhapja dhe frekuenca e tentativave të shpeshta për të përmbysur institucionet
tona të lira, gjë që është shumë shqetësuese, pasi asnjë vend tjetër demokratik nuk ka pësuar dhe
toleruar tentativa të këtilla, dhe ajo që është akoma më negative, nuk i ka mbrojtur me të njëjtën
mënyrë për vite me radhë…”. Në fjalët e Bobbio del qartë në pah implikimi i elementëve dhe
strukturave të caktuara shtetërore të cilat e kanë toleruar, mbuluar dhe mbrojtur terrorizmin sipas
sezoneve të ndryshme politike.

Përkujtimi i 30-vjetorit të masakrës ditën e hënë, në datën 2 gusht, u bë për herë të parë në mungesë
të prezencës së pushtetarëve. Kjo edhe për arsyen se në vitet e kaluara prezenca dhe fjalimet e
qeveritarëve janë kundërshtuar fuqishëm nga shoqatat e familjarëve të viktimave, nga bolonjezët
dhe nga qytetarët e thjeshtë italianë. Gjatë manifestimit, Paolo Bolognesi, president i Shoqatës së
Viktimave, do të shprehej: “Nuk është urrejtja ajo që na bën të lëvizim, por dinjiteti, sepse pa pasur
kujtesën dhe drejtësinë, nuk mund të ekzistojë asnjë lloj bashkëjetese që të ketë kuptim dhe vlerë”.
Brunilda Ternova 3
Email: bru_ternova@yahoo.it
Bolognesi do të vazhdojë duke kujtuar: “Në kërkimin e të drejtave tona, kemi shmangur ndjenjën e
viktimizimit dhe jemi sjellë gjithmonë si qytetarë, duke kërkuar atë që na takon. Beteja jonë ishte
dhe është një betejë kundër kohës që kalon, kundër heshtjes dhe gënjeshtrës, kundër përpjekjeve për
diskreditim, kundër atyre që mbrojnë vrasësit dhe jo viktimat, kundër atyre që duan që të harrojmë,
duke na ulur kokën”.

Çdo vit familjarët e viktimave trokasin më kot në dyert e institucioneve për të kërkuar të vërtetën
dhe heqjen e sekretit shtetëror, të ndërgjegjshëm se sakrifica e të afërmve të tyre është përdorur për
të ndërtuar një shoqëri barbare, të padrejtë, hipokrite dhe të dhunshme. Barbarizmi modern
perceptohet në përdorimin e torturës nga ana e forcave të rendit, në klimën e frikës dhe pasigurisë
që mbizotëron në vend, në ndërhyrjet e rënda dhe flagrante të eksponentëve fetarë në punët e
brendshme të shtetit e të qytetarit, në politikanët që janë ekzemplarë autentikë Orwell-ianë, në
ksenofobinë dhe racizmin shtetëror - që me të ashtuquajturën Paketë të Sigurisë kundër emigrantëve
- ka ligjëruar ligjet e reja raciale të shekullit XXI. Njerëzit e zakonshëm e dinë që shteti nuk gjykon
e nuk dënon vetveten dhe barbarizmat e tij!

Sot e kësaj dite ende mungojnë emrat e drejtuesve dhe strategëve të kësaj masakre, dhe akoma nuk
janë sqaruar e zbuluar arsyet e këtij gjesti politik, si dhe qëllimet që fshihen pas tij.

Artikuli eshte botuar ne:


- Gazeta Shqip: http://216.75.13.41/index

Brunilda Ternova 4
Email: bru_ternova@yahoo.it

Vous aimerez peut-être aussi