Vous êtes sur la page 1sur 9

Nr.31003-01980-00-2010 Regj.

Themeltar
Nr.00-2014-700 Vendimi (145)

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Ardian Dvorani Kryesues


Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar

me datë 20.02.2014, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, pa praninë e palëve çështjen


administrative që u përket palëve të mëposhtme:

PADITËS: PREFEKTI I QARKUT FIER


I PADITUR: NIKOLL KOÇO
PERSON I TRETË: MARKO PONE
ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË
PASURIVE TË PALUAJTSHME FIER.
ZYRA E MBROJTJES DHE MENAXHIMIT
TË TOKËS, KOMUNA ZHARRËZ.

OBJEKTI:
Deklarimi i pavlefshmërisë së Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi
nr.6060/2, datë 19.01.2006, në emër të Nikolla Koço.
Të njohë si të ligjshëm ndarjen e komisionit të tokës për parcelën nr.4
në fshatin Sheqishtë, Komuna Zharrëz, sipas renditjes së më poshtme:
Naun Rrapi Zarka sip. 5.000 m2, Marko Kristo Pone sip. 7.000 m2, etj.
Baza Ligjore: Nenet 1/a, b, neni 3, neni 8/1/c, 8/2, 3, 7,
neni 9/1/a/v, neni 9/2, neni 10/1, 2 të ligjit nr.9948, datë 07.07.2008,
“Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit
të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”,
neni 115/a, neni 116/b, c neni 22/1 të Kodit të Procedurës Administrative,
V.K.M-ja nr.224, dt.19.02.2009
dhe ligji nr.7051, dt.19.07.1991 “Për Tokën“ (i ndryshuar).

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.738, datë 22.04.2010 ka vendosur:


Rrëzimin e padisë së paditësit Prefekti i Qarkut Fier.

Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.732, datë 15.07.2010 ka vendosur:


Lënien në fuqi të vendimit nr.738, datë 22.04.2010 të Gjykatës së Shkallës së
Parë Fier.

Kundër vendimit nr.732, datë 15.07.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit
nr.738, datë 22.04.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier ka paraqitur rekurs pala paditëse
Prefekti i Qarkut Fier dhe Avokatura e Shtetit, të cilët kërkojnë:

1
Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Fier, si dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier,
me tjetër trup gjykues.

Shkaqet që paraqet në rekurs pala paditëse Prefekti i Qarkut Fier janë:


- Subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi dhe të titullit të pronësisë mbi
tokën bujqësore janë personat fizik dhe juridik vendas.
- Për krijimin dhe fitimin e titujve të pronës mbi tokën bujqësore janë të vlefshme
vetëm kriteret e përcaktuara në VKM-në nr.255, datë 02.08.1991 “Për kriteret e
ndarjes së tokës bujqësore” (i ndryshuar).Neni 8 pika 1/c përcakton se KV ka të drejtë
të zgjidhë mosmarrëveshjet e evidentuara ndërmjet individëve dhe ish-komisionit të
tokës në fshat.
- Në vendimin e saj gjykata ka vendosur rrëzimin me arsyetimin se paditësi nuk ka
legjetimitet aktiv material dhe procedurial me këtë kërkim.
- Si pala paditëse e rrëzojmë pretendimin e gjykatës pasi në bazë ligjore të sipërcituar
në disa nene dhe konkretisht: Në nenet 1 pika b, neni 7 pika 2/a, neni 8 pika 1/c pika
2 dhe pika 3 udhëzimi nr.2, datë 13.01.2010 dhe mbi të gjitha neni 9 pika 1/a /v.
- Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën
bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara ne nenet 2, 3 dhe
4 të Kreut 1 të këtij ligji dhe mbajtësi i titullit te pronësisë e posedon dhe e shfrytëzon
tokën bujqësore faktikisht.
- KV-ja merr vendim: a) për pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë kur AMTP
është lëshuar mbi çdo sipërfaqe toke, në të cilën preken interesat e ligjshme të
personave të tretë ose ekzistojnë konflikte mbi të.
- Në rastin konkret cenohen interesat e personit të tretë Marko Pone gjithashtu ekziston
konflikti midis personave fizik dhe personit fizik e ish-komisionit të tokës në fshat.

Shkaqet që paraqet në rekurs Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Vlorë, janë:


- Legjislatori i ka dhënë të drejtë personit të tretë që të paraqesë pretendimet e tij, duke
prapësuar dhe nëse e sheh të nevojshme të kalojë në pozitën proçedurale të
ndërhyrësit kryesor, duke pretenduar pronën, duke e trajtuar si veprim juridik të
pavlefshëm, i cili siç dihet nuk mund të krijojë asnjë pasojë juridike të synuar, pra
midis shtetit përfaqësuar nga komisionet e tokës në fshat, komunë rreth/qark dhe
personit përfitues të tokës bujqësore.
- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier nuk ka arsyetuar drejtë, duke mos zbatuar dispozitat
ligjore të veçanta të parashikuara nga ligji nr.9948, datë 07.07.2008 “Për verifikimin e
vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, sepse normat
specifike kanë përparësi ndaj normave të përgjithshme dhe se norma që ka hyrë në
fuqi me vonë ka përparësi nga norma e mëparshme.

KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË


Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi në tërësi çështjen pa praninë e
palëve ndërgjyqse, në përfundim;

VËREN
1. Në Gjykatën e Lartë, me datë 16.09.2010 është regjistruar çështja nr.31003-01980-
00-2010 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditës Prefekti i Qarkut Fier, i paditur
Nikoll Koço, persona të tretë: Marko Pone, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të
Paluajtshme Fier, Zyra e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Komuna Zharrëz, Zyra
Vendore e Avokaturës së Shtetit Vlorë, me objekt: Deklarim i pavlefshmërisë së Aktit të
Marrjes së Tokës në Pronësi nr.6060/2, datë 19.01.2006, në emër të Nikolla Koço. Të njohë si
2
të ligjshme ndarjen e komisionit të tokës për parcelën nr.4 në fshatin Sheqishtë Komuna
Zharrëz, sipas renditjes së mëposhtme: Naun Rrapi Zarka-sip. 5.000 m 2, Marko Kristo Pone-
sip. 7.000 m2, etj.
2. Vendimi nr.732, datë 15.07.2010 i Gjykatës së Apelit Vlorë është marrë në
përputhje të plotë me ligjin, prandaj si i tillë ai duhet të lihet në fuqi nga Kolegji
Administrativ i Gjykatës së Lartë.

I. Rrethanat e çështjes:

3. Pala paditëse Prefekti i Qarkut Fier i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Fier me kërkesëpadinë me objekt deklarim i pavlefshmërisë së Aktit të Marrjes së Tokës në
Pronësi nr.6060/2, dt.19.01.2006 në emër të Nikolla Koços dhe kthimin e tokës në gjëndjen e
mëparshme ‘‘tokë shtet’’.
4. Fillimisht në kërkesëpadi pala paditëse ka kërkuar: Deklarim i pavlefshmërise së
Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr.6060/2, dt.19.01.2006 në emër Nikolla Koços dhe të
njohë si të ligjshme ndarjen e komisionit të tokës për parcelën nr.4 në fshatin Sheqishtë,
Komuna Zharrëz, sipas renditjes së mëposhtm: Naun Rrapi Zarka sip. 5.000 m 2, Marko
Kristo Pone sip. 7.000 m2, Uani Todi Naci sip. 6.000 m2, Viktor Sotir Naçi si. 6.000 m2,
Kristaq Gori Naçi sip. 7.900 m2, Vasil Rrapi Koço sip. 5.600 m2. Në seancën gjyqësore të
dt.16.03.2010, gjatë fazës së hetimit gjyqësor, bazuar në nenin 185 të Kodit të Procedurës
Civile, pala paditëse kërkoi pakësimin e këtij objekti duke hequr dorë nga kërkimi në pikën 2
të tij, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
5. Me vendimin nr.06, dt 26.11.2009, Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë,
në bazë dhe në zbatim të ligjit nr.9948, dt.07.07.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore
të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’’ ka vendosur të shpallë të pavlefshëm
aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr.6060/2, dt. 19.01.2006 në emër të të paditurit Nikoll
Koço dhe të njohë si të ligjshëm ndarjen e bërë nga komisioni i tokës për parcelën nr.4 në
fshatin Sheqishtë, Komuna Zharrëz Fier për 6 persona ku midis tyre është edhe personi i tretë
Marko Pone për sipërfaqen prej 7.000 m2.
6. Pala paditëse i është drejtuar gjykatës me këtë padi për të kërkuar dhe kthimin e
kësaj toke në gjëndjen e mëparshme “tokë shtet”, bazuar në nenin 10/1, 2 të ligjit nr.9948,
datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësiseë mbi
tokën bujqësore”.
7. Sipas palës së paditur, akti i marrjes së tokës në pronësi për të cilin kërkohet
pavlefshmëria në këtë gjykatë, i dhenë në emër të të paditurit Nikoll Koco, me nr.6060/2 datë
19/09/2006, është dhënë në kundërshtim me ligjin.

II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave:

8. Duke mos qenë dakord me vendimin e palës së paditur, pala paditëse i është
drejtuar me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila me vendimin nr.738, datë
22.04.2010 ka vendosur:
Rrëzimin e padisë së paditësit Prefekti i Qarkut Fier.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ndërmjet të tjerave arsyeton:
....Gjykata çmon se padia e paditësit Prefekti i Qarkut Fier është e pabazuar në ligj
dhe si e tillë duhet të rrëzohet me arsyetimin se paditësi nuk ka legjitimimi aktiv në këtë
kërkim.
....Akti i marrjes së tokës në pronësi në emër të të paditurit Nikoll Koço, objekt
kundërshtimi nga pala paditëse nuk u shqyrtua nga gjykata në themel të tij nëse është apo jo
një akt administrativ në kundërshtim me ligjin, relativisht apo absolutisht i pavlefshëm me
arsyetimin se pala paditëse në këtë kundërshtim nuk ka interes të ligjshëm dhe referim i saj
3
për këtë legjitimim në ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore
të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, është i pabazuar.
....Neni 10/1 dhe 2 i këtij ligji, i cili është dispozitë ku edhe pala paditëse referohet
formalisht, , por pa bazë në këtë padi përcakton qartë dhe në përputhje me qëllimin e vet
këtij ligji dhe këtyre parimeve, se në gjykatë për pavlefshmëri të aktit të marrjes së tokës në
pronësi, pala paditëse drejtohet vetëm në ato raste kur me këtë akt është cenuar në mënyrë të
paligjshme prona shtetërore, mbrojtësi dhe përfaqësuesi i të cilit është ajo si përfaqësus lokal
i qeverisë.
....Në pikën 2 të kësaj dispozite përcaktohet se: Objekti i kërkesës së prefektit është
deklarimi i pavlefshmërisë së “aktit të marrjes së tokës në pronësi”, shfuqizimi i tij dhe
kthimi i pronës në pronësi të shtetit......
Shkaku i paligjshmërisë së aktit të kundërshtuar nga pala paditëse sipas vetë këtyre
pretendimeve është se kjo toke i është dhënë ligjërisht personit të tretë Marko Pone,
ligjshmëri e verifikuar prej saj dhe në vendimin nr, datë 26.11.2009, ç’ka do të thotë se sipas
vetë palës paditëse pronari i ligjshëm dhe i verifikuar i saj është ky person dhe nuk mund të
jetë në të njëjtën kohë edhe shteti.
....Në këtë rast, nëse akti i marrjes së tokës në pronësi është dhënë në kundërshtim me
ligjin, duke cënuar në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë të drejtën subjektive të personit
të tretë Marko Pone, është vetëm ky i fundit, i cili ka legjitimim aktiv material të drejtohet
gjykatës për të kundërshtuar këtë akt dhe për të rivendosur të drejtën e tij të cënuar.....
Prefekti i Qarkut Fier, bazuar në ligjin nr.9948, dt. 07.07.2008, “Për shqyrtimin e
vlefshmërise ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’’ dhe në çdo parim
proçedural civil dhe administrativ, nuk ka të drejtë të kërkojë të mbrojë para gjykatës
interesat e asnjë subjekti të së drejtës civile përveçse shtetit, i cili në rastin e kësaj padie nuk
rezultoi, jo vetëm i provuar dhe argumentuar, por dhe i pretenduar nga pala paditëse, se i
është cënuar një e drejtë subjektive.....
10. Me ankimin e palës paditëse Prefekti i Qarkut Fier, dhe të Avokaturës së Shtetit,
Zyra Vendore Vlorë, çështja i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila me
vendimin nr.732, datë 15.07.2010 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.738, datë 22.04.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë
Fier.
11. Gjykata e apelit, ndërmjet të tjerave arsyeton:
....Në rastin objekt shqyrtimi gjyqësor rezulton se me aktin që kundërshtohet nuk
është cenuar prona shtetërore, Është vetë pala paditëse që gjatë gjithë proçesit ka arsyetuar
dhe mbrojtur qëndrimin e vetë, se ky akt ka cënuar të drejtën e personit të tretë Marko
Pone.Pala paditëse gjatë gjykimit në apel dhe në konkluzionet përfundimtare ka devijuar nga
kërkimi fillestar, duke kërkuar kthimin e kësaj toke në gjëndjen e mëparshme”tokë shtet”.
....Ky devijim edhe pse është bërë për ta legjitimuar palën paditëse vjen në
kundërshtim me kërkimin kryesor të saj(palës paditese).
....Është pranuar nga vetë pala paditëse se shkaku i paligjshmërisë së aktit të
kundërshtuar është se kjo tokë i është dhënë ligjërisht personit të tretë Marko Pone,
ligjshmëri e verifikuar prej saj dhe në vendimin e datës 26.11.2009, ç’ka do të thotë se sipas
vetë palës paditëse pronari i ligjshëm dhe i verifikuar i saj është ky person dhe nuk mund të
jetë në të njëjtën kohë edhe shteti.......

III. Ligji i zbatueshëm

12. Neni 1 i ligjit nr.9948, dt. 07.07.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të
krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, përcakton se:
Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë:
a) shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore;
4
b) strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit
të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave fizikë ose juridikë
vendas, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave.
13. Neni 3 i ligjit nr.9948/2008 përcakton se:
Subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi dhe të titujve të pronësisë mbi
tokën bujqësore janë personat fizikë dhe juridikë vendas. Për krijimin dhe fitimin e titujve të
pronësisë mbi tokën bujqësore janë të vlefshme vetëm kriteret e përcaktuara në vendimin
nr.255, datë 2.8.1991, të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”,
të ndryshuar dhe në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim,
të tokës bujqësore”, sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin nr.106, datë 23.2.1996, të
Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit “Për procedurat e kalimit të tokës nga përdorimi në
pronësi”.

14. Neni 8 i ligjit nr.9948/2008 përcakton se:


KV-ja ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
1. Zgjidh mosmarrëveshjet e evidentuara:
a) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet rretheve, brenda qarkut;
b) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet fshatrave (subjekteve), që kanë qenë në
përbërje të së njëjtës ish-kooperativë bujqësore. Vendimi u njoftohet komunave dhe/ose
bashkive, në juridiksionin e të cilave ndodhen këto fshatra;
c) ndërmjet individëve dhe ish-komisionit të tokës së fshatit.
Shqyrtimi i mosmarrëveshjeve bëhet me kërkesën e palëve ose me nismën e vetë KV-
së.
2. Merr vendimet përkatëse për çdo mosmarrëveshje ose konflikt, të lindur ndërmjet
personave fizikë ose juridikë, për bazueshmërinë ligjore të titujve të pronësisë, të krijuar mbi
tokën bujqësore.
Kur objekti i konfliktit ndërmjet palëve rezulton në zona kadastrale, ku është kryer
regjistrimi i tokës, me cilësinë e pasurisë së paluajtshme dhe ky regjistrim është marrë në
dorëzim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) ose kur në
zonën kadastrale përkatëse ka përfunduar periudha 90-ditore e afishimit të rezultateve të
regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, vendimi i KV-së i dërgohet për veprim
ZVRPP-së së rrethit dhe për informim e evidentim seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së
tokës (SAMT) në qark.
3. Kontrollon dokumentet dhe veprimtarinë, që kanë kryer komisionet e tokës së
komunave dhe/ose bashkive për zbatimin e dispozitave ligjore të ndarjes së tokës, gjatë
procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij
neni dhe, në përfundim të këtij kontrolli, merr vendimet përkatëse për korrigjimet e
nevojshme, shfuqizimin e plotë apo të pjesshëm të këtij dokumentacioni dhe krijimin e
dokumentacionit të ri, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
4. Dërgon në seksionin e administrimit dhe të mbrojtjes së tokës (SAMT) të qarkut
autorizimin për lëshimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të dokumentacionit
të ri ligjor të krijuar. Procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, që vijnë si
pasojë e korrigjimeve të kryera, sipas dispozitave ligjore, përcaktohen me vendim të Këshillit
të Ministrave.
5. Shqyrton drejtpërdrejtë dhe merr vendime për konflikte dhe mosmarrëveshje
ndërmjet palëve, kur për to është vendosur rishqyrtimi, në rrugë administrative, me vendim
të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, vendimi i KV-së është përfundimtar.
Ankimimi kundër këtij vendimi mund të bëhet në gjykatën që ushtron veprimtarinë në
juridiksionin ku ndodhet toka bujqësore, për të cilën ka lindur konflikti.

5
6. Urdhëron kryetarët e komunave dhe/ose bashkive të plotësojnë aktet e marrjes së
tokës në pronësi, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në fshatrat e ish-
kooperativave bujqësore, në rastet kur:
a) komisioni i tokës së fshatit nuk ka plotësuar dokumentacionin ligjor të ndarjes së
tokës;
b) familjet bujqësore ose individët, që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën
bujqësore dhe janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, sipas përcaktimit të nenit
3 të këtij ligji, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk
janë lëshuar akte të marrjes së tokës në pronësi për persona të tjerë.
Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet në KV dhe pas verifikimit i kalohet SAMT-it të
qarkut.
Për çdo rast të mospranimit të marrjes së këtij dokumentacioni nga familjet
bujqësore ose individët, mbahet procesverbal për refuzim toke.
Familjet bujqësore që refuzojnë të pajisjen me aktin e marrjes së tokës në pronësi,
sipas këtij ligji dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë atë, u nënshtrohen sanksioneve
të parashikuara në kreun III të këtij ligji.
7. Kërkon nga kryetarët e komunave dhe/ose të bashkive, në cilësinë e ish-kryetarëve
të komisioneve të tokës, nga ish-kryetarët e komisioneve të tokës në fshatra, nga SAMT-et, në
këshillin e qarkut, ZVRPP-të e rrethit dhe zyra rajonale e AKKP-së dokumente dhe
informacione për veprimtarinë e veprimet e kryera gjatë të gjithë periudhës së ndarjes së
tokës.
8. Raporton, në mënyrë periodike, para KQT-së për përmbushjen e detyrimeve, të
përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

15. Neni 9 i ligjit nr.9948/2008 përcakton se:


1. Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën
bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të
kreut I të këtij ligji dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe e shfrytëzon tokën
bujqësore faktikisht, KV-ja merr vendim:
a) për pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë, kur “akti i marrjes së tokës në
pronësi” është lëshuar mbi:
i) tokat bujqësore të ish-NB-ve, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga
dispozitat e ligjit nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës
bujqësore”;
ii) tokat bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, që shtrihen në zonën e zhvillimit
me përparësi të turizmit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe sipërfaqe
të tjera të tokës bujqësore, që me vendime të organeve kompetente kanë kaluar në zërin
kadastral “Tokë urbane” (truall) dhe përfshihen brenda vijave kufizuese të qendrave të
banuara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
iii) çdo sipërfaqe të përcaktuar në pikën 2 të nenit 2 të këtij ligji;
iv) çdo sipërfaqe toke, për të cilën Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës
(AKKP) dhe zyrat rajonale të saj u kanë konfirmuar njohjen e pronësisë dhe të drejtën e
kompensimit fizik subjekteve të shpronësuara;
v) çdo sipërfaqe toke, në të cilën preken interesa të ligjshëm të personave të tretë
dhe/ose ekzistojnë konflikte mbi të;
b) për ofrimin e mbajtjes së titullit të pronësisë mbi tokën dhe ligjërimin e tij, për një
sipërfaqe toke deri në 10 për qind mbi normën e tokës për frymë të fshatit. Përjashtohen
sipërfaqet e tokave bujqësore të përcaktuara në shkronjën ”a” të pikës 1 të këtij neni.
Ligjërimi i titullit të pronësisë bëhet kundrejt detyrimit për të paguar masën e plotë të
vlerës, të llogaritur me çmimet, sipas hartës së vlerës së tokës të AKKP-së, bazuar në
metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me vendim të Kuvendit. Në këtë
6
rast KV-ja merr vendim për pajisjen e tij me dokumentacion të ri ligjor. Vendimi i dërgohet
SAMT-it në qark brenda 10 ditëve, i cili përpilon aktin e marrjes së tokës në pronësi brenda
30 ditëve nga dita e mbërritjes të këtij vendimi.
2. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë, të krijuar në mënyrë të kundërligjshme, refuzon
ligjërimin e këtij titulli, sipas shkronjës ”b” të pikës 1 të këtij neni, brenda 30 ditëve KV-ja
merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë. Kundër personit që vazhdon mbajtjen
dhe shfrytëzimin e tokës bujqësore forcërisht zbatohen sanksionet e parashikuara në kreun
III të këtij ligji.
3. Kur mbajtësi i parë i titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore, të lëshuar në
kundërshtim me ligjin, nuk e posedon më tokën në mënyrë të plotë ose të pjesshme, si pasojë
e transaksionit të realizuar ose të shpronësimit për interes publik të kryer, detyrohet që për
sipërfaqen përkatëse të tokës së shitur ose të shpronësuar të kryejë pagesën e kësaj toke,
vlera e të cilës llogaritet me çmimet, sipas hartës së vlerës së tokës të AKKP-së, bazuar në
metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me vendim të Kuvendit.
Vendimi i KV-së merret pasi të jetë vënë në dijeni mbajtësi i parë i titullit të pronësisë
së kundërligjshme dhe i komunikohet atij brenda 10 ditëve. Vendimi, përveç deklarimit të
pavlefshmërisë, përmban edhe detyrimin e pagesës së vlerës së tokës. Detyrimi i shlyerjes së
vlerës së tokës është titull ekzekutiv.
4. Mënyra dhe afatet e shlyerjes së detyrimit për vlerën e tokës përcaktohen me
vendim të Këshillit të Ministrave.

16. Neni 10 i ligjit nr.9948/2008 përcakton se:


1. Kur KV-ja, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të
komisioneve të tokës, vëren se krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në
kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij,
të marra sipas neneve 8 pikat 2 e 3 dhe 9 pika 2 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit
gjyqësor përkatës një kërkesë për anulimin e aktit administrativ, “akt i marrjes së tokës në
pronësi”.
2. Kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga prefekti i qarkut brenda 7 ditëve nga
data e njoftimit të vendimit për paligjshmërinë e aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore.
Objekt i kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së “aktit të marrjes së tokës në
pronësi”, shfuqizimi i tij dhe kthimi i pronës në pronësi të shtetit.

17. Neni 115 i K.Pr.Administrative përcakton se:


Pavlefshmeria e akteve administrative, në kuptimin e këtij Kodi, paraqitet në format e
mëposhtme:
a) akte administrative absolutisht të pavlefshme (akte të nxjerra në kundërshtim
flagrant me ligjin);
b) akte administrative relativisht të pavlefshme (akte të nxjerra në kundërshtim me
ligjin).

18. Neni 116 i K.Pr.A, përcakton se:


Aktet administrative do te quhen absolutisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi,
në rastet e mëposhtme:
a) kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar;
b) kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të
tij ligjore;
c) kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga
ligji.

IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:


7
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekurset e paraqitura nga
pala paditese dhe Zyra Vendore e Avokaturës së Shtetit Vlorë nuk përmbajnë shkaqe nga ato
që parashikohen në ligj, prandaj nuk ka arsye që vendimi i gjykatës së apelit të cenohet.
20. Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë arritur në përfundimin se palës
paditëse i mungon legjitimiteti aktiv, me arsyetimin se nuk ka interesa të ligjshme për të
ngritur kërkesëpadi, pasi ajo kërkon që të mbrojë në gjykim jo interesat e shtetit, por interesat
e të tretëve, që në këtë rast është personi i tretë Marko Pone.
21. Në nenin 10 të ligjit nr.9948/2008 është përcaktuar se: Kur KV-ja, gjatë
verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës, vëren se
krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në kundërshtim me dispozitat e
përcaktuara në nenet 2, 3 e 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij, të marra sipas neneve 8
pikat 2 e 3 dhe 9 pika 2 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një
kërkesë për anulimin e aktit administrativ, “akt i marrjes së tokës në pronësi”.
Kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga prefekti i qarkut brenda 7 ditëve nga data e
njoftimit të vendimit për paligjshmërinë e aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore. Objekt i
kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së “aktit të marrjes së tokës në
pronësi”, shfuqizimi i tij dhe kthimi i pronës në pronësi të shtetit. Kjo dispozitë ligjore në
paragarafin e dytë të saj përcakton se autoriteti që paraqet kërkesën në gjykatë është prefekti
dhe se objekti i kërkesës është shfuqizimi i AMTP-së dhe kthimi i pronës (tokës) në pronësi
të shtetit.
22. Në rastin në gjykim kriteri i parë që kërkon ligji plotësohet, pasi padia para
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është ngritur nga Prefekti i këtij qarku, por ai ka ngritur
padi jo në favor të shtetit, por në favor të personit të tretë Marko Pone, gjë e cila bie në
kundërshtim me kërkesat e nenit 90/2 të KPC, i cili thotë se: askush nuk mund të përfaqësojë
në një gjykim civil të drejtat e të tjerëve, përveç kur ligji parashikon ndryshe. Dhe në të
vërtetë ligji nr.9948/2008, i cili është ligji specifik që rregullon këtë fushë të së drejtës, në
asnjë nen të tij nuk përcakton se prefekti përfaqëson në gjyq interesat e personave që kanë
përfituar nga ligji nr.7501/1991 “Për Tokën”, por vetëm interesat e shtetit.
23. Qëllimi i ligjit nr.9948/2008 është verifikimi i titujve të pronësisë së tokave
bujqësore për ligjshmërinë e tyre, në mënyrë që të shmanget marrja e pronësisë së tokës
bujqësore në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga ligji nr.7501/1991 “Për Tokën” dhe
aktet nën ligjore të dala në zbatim të tij. Në ligj është parashikuar shprehimisht se, kur
AMTP-ja e përfituesit të tokës bujqësore shfuqizohet me vendim të gjykatës, prona e
përfituar padrejtësisht duhet të kalojë në pronësi të shtetit dhe jo të mbetet në pronësi të
personave të tretë.Rasti në gjykim është i tillë që nga Komisioni i ndarjes së tokës si i
padituri Nikoll Koço, ashtu edhe personi i tretë Marko Pone janë pajisur me AMTP të tokës
bujqësore, prandaj edhe nëse gjykatat do të kishin disponuar në favor të palës paditëse, kjo
pronë nuk i kthehej shtetit, por mbetej në pronësi të personit të tretë Marko Pone.
24. Kolegji Administrativ vlerëson se për rastin konkret pala paditëse do të kishte
legjitimitet aktiv në ngritjen e padisë vetëm nëse ajo do të të kundërshtonte në gjykatë si
aktin e pronësisë të dhënë në favor të të paditurit Nikoll Koço, ashtu dhe aktin e pronësisë të
dhënë në favor të personit të tretë Marko Pone, duke kërkuar shfuqizimin e të dy AMTP-ve,
sepse vetëm kështu do të plotësohej kushti i kërkuar nga neni 10/2 i ligjit nr.9948/2008 që në
rast shfuqizimi të akteve prona i kthehej shtetit, prandaj me të drejtë gjykata e shkallës së
parë dhe ajo e apelit kanë arritur në përfundimin se palës paditëse i mungon legjitimiteti aktiv
në ngritjen e padisë.
25. Duke arsyetuar si më sipër Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në
përfundimin që, rekurset e paraqitura nga pala paditëse dhe Zyra Vendore e Avokaturës së
Shtetit Vlorë janë të pabazuara në ligj, prandaj si i tillë ato nuk duhet të pranohen dhe për
rrjedhojë vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë duhet të lihet në fuqi.
8
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/e të ligjit nr.49,
datë 03.05.2012 të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.......

VENDOSI
Lënien në fuqi të vendimit nr.732, datë 15.07.2010 të Gjykatës së Apelit Vlorë.

Tiranë, më 20.02.2014

Vous aimerez peut-être aussi