Vous êtes sur la page 1sur 28

1

SOCIOLOGJIA E LETËRSISË

PJESA E PARE - Parimet e metodat

I - Përse një sociologji e letërsisë

I.1 - Letërsia dhe shoqëria


Çdo ngjarje letrare parakupton një skemë, në të cilën përfshihen tri entitete
të qëndrueshme:
a) shkrimtari (autori) b) libri (vepra) c) lexuesi/t
Në një mënyrë akoma më të përgjithshme, mund të flasim për 1. krijues, për
2. vepra e për 3. publik. E gjithë kjo skemë jetësohet në një rreth këmbimesh që,
nëpërmjet një aparati transmetimi tejet kompleks, që përfshin njëkohësisht artin,
teknologjinë e tregun, bashkon individë të përcaktuar (edhe pse jo gjithmonë
nominalisht të njohur) në një kolektivitet pak a shumë anonim.
Në çdo pikë të këtij rrethi prania e individëve krijues ngre problemin e
interpretimit në nivel psikologjik, moral, filozofik; vepra letrare vetë ngre
probleme të rrafshit estetik, stilistik, ligjërimor, teknik; më së fundi, ekzistenca e
kolektivitetit-publikut ngre probleme të rrafshit historik, politik, shoqëror, madje
dhe ekonomik. Me fjalë të tjera, ka të paktën njëmijë e një mënyra për ta hetuar
fenomenin letrar.
Kjo përkatësi e trefishtë e letërsisë në botën shpirtërore individuale, të
formave abstrakte dhe të strukturave kolektive, e bën studimin jo të lehtë. Njerëzit
në përgjithësi hasin në vështirësi në paraqitjen e dukurive tredimensionale,
2

sidomos kur duan të skicojnë një perspektivë historike. Dhe vërtet, historia e
letërsisë ka përfshirë në shekuj e përfshin edhe sot studimin e njerëzve që e
shkruajnë letërsinë dhe të teksteve (biografi shpirtërore e komente tekstore) duke e
konsideruar kontekstin kolektiv si një lloj skene, dekori.
Mungesa e një perspektive reale sociologjike mund të vërtetohet edhe në
manualet më të mira të historive të letërsisë të tipit tradicional. Kështu kemi që
autorët e tyre e kanë vetëdijen e një përmase shoqërore dhe që priren ta shprehin
atë, por meqë nuk kanë një metodë rigoroze dhe të përshtatshme për këtë qëllim,
ata mbesin në të shumtën e rasteve robër të skemave tradicionale që mbështeten te
individi-krijues e te vepra. Thellësitë e historisë ngelen të shtypura si në një ekran
dypërmasor dhe dukuria letrare pëson ca deformime si ato të një harte të botës që
projektohet në një plan të rrafshët.
"Ashtu si hartat mësimore të botës na tregojnë gabueshëm një
Alaskë të stërmadhe që shtyp një Meksikë të zvogëluar, ashtu edhe dymbëdhjetë a
pesëmbëdhjetë vite të Versajës shtypin gjashtëdhjetë vite të jetës letrare franceze të
shek XVIII."
Në fakt, ky defekt nuk do të mundet asnjëherë të eliminohet. Edhe pse një
paraqitje e përsosur është e pamundur, thelbësore është që biografët e komentuesit,
historianët e kritikët, të gjithë ata që merren me çështje të letërsisë - të shkuar e të
tashme- të kenë një vizion të plotë e të padeformuar për të. Nuk është pa ndikim
për autorët fakti që në ditët tona të shkruarit e letërsisë është një profesion - apo më
së paku një veprimtari edhe për fitim- që ushtrohet në kuadër të një sistemi
ekonomik, në të cilin kushtëzimi i veprimtarisë krijuese është i pamohueshëm. Nuk
është pa ndikim për veprat fakti që libri është një mall i prodhuar e i shpërndarë në
rrugë tregtare, pra i nënshtrohet ligjit të kërkesës e të ofertës.
3

Për ta thënë tamam, nuk është pa ndikim fakti që letërsia është - veç të
tjerash, por në mënyrë të pakundërshtueshme- prodhim i industrisë së librit ashtu
siç të lexuarit është konsum i tij.

I.2- Kuadri historik


Nocioni i letërsisë, siç ne e përdorim, i ka fillesat në vitet e fundit të
shek.XVIII. Në origjinat, letërsia ishte një shenjë e kategorisë aristokratike së të
shkolluarve a "të kënduarve" (letterati). Për një bashkëkohës të Volterit, "letërsia" i
kundërvihet konceptit të "publikut", sinonim i "popullit".
Megjithatë, në shek XVI nis të vërehet një evolucion që bëhet edhe më i
shpejtë duke nisur nga shek XVII.
Nga njëra anë dijet specializohen, punët teknike e shkencore priren të
ndahen nga letërsia si e tillë, fusha e veprimit të së cilës rrudhet e priret të limitohet
vetëm te kënaqësia. Në këtë mënyrë, letërsia kërkon të vendosë e të sigurojë
raporte të reja mes saj e kolektivitetit.
Nga ana tjetër, vetë përparimi teknik e shkencor që thekson veçantitë e
letërsisë, përhap në brendësi të kolektivitetit konsumator nevojën për prodhim
letrar dhe shumëfishojnë mundësitë e shkëmbimit. Falë shpikjes së shtypshkrimit,
zhvillimit të industrisë së librit, alfabetizimit dhe ca më vonë, futjes në punë të
mjeteve audio-vizive, ajo që kishte qenë një privilegji karakteristik i një
aristokracie të njerëzve të letrave, bëhet punë (zanat) kulturore e një klase të
privilegjuar borgjeze, e mëpastaj, në një epokë më të vonët, mjet i promovimit
intelektual të masave.
Ky specializim nga njeri krah, e kjo përhapje, në anën tjetër, mbërrijnë në
një pikë kritike në fillimet e tetëqintës. Në këtë kohë letërsia nis të ndërgjegjësohet
4

për dimensionin e saj shoqëror. E botuar në harkun e këtyre viteve, vepra e Zonjës
Dë Stael Për letërsinë dhe raportet e saj me institucionet shoqërore përbën,
padyshim, për Francën, përpjekjen e parë për një studim sistematik të nocioneve të
letërsisë e të shoqërisë.
CITIMI 1 “Unë u përpoqa të hetoj se cili është ndikimi i besimit
fetar, i sjelljeve dhe i ligjeve mbi letërsinë dhe cili është ndikimi i letërsisë mbi
besimin fetar, mbi sjelljet dhe mbi ligjet”
Zeitgeist, shpirti i epokës dhe Volksgeist, shpirti i kombit: në rrethin e miqve
gjermanë të Zonjës Dë Stael lindën e u zhvilluan, në vitet 800, këto dy nocione
themelore. I rigjejmë, brenda një formule treshe, në doktrinën e Ipolit Taine: raca,
ambienti, momenti. Është pikërisht konvergjenca e këtyre tri faktorëve që
përcakton dukuritë letrare.
Ekonomia, duke qenë një shkencë humane, nuk mund të prirej aq nga
marksizmi sesa nga doktrina e Tenit. Në fakt, teoricienët e parë marksistë u treguan
shumë të dobët në çështjet letrare. Vëllimi që përmbledh shkrimet e Marksit e të
Engelsit, Mbi letërsinë e mbi artin, është zhgënjyes. Vetëm duke nisur nga
Plehanovi, në fillim të shek XX, që ngrihet një e vërtetë teori marksiste e letërsisë
dhe që është, kuptohet, në thelb sciologjike. Në vijim, shqetësimi për një politikë të
efektshme e çoi kritikën letrare sovjetike (dhe atë komuniste) në theksimin e
veprave letrare si dëshmi shoqërore.
Nga ana e vet, shkenca sociologjike, që me anë të Comte, Spencer, Le
Play, Durkheim, kishte ecur drejt një autonomie të plotë, e la mënjanë letërsinë, si
një degë që ishte mjaft e ndërlikuar, me të dhëna e përcaktime tejet të pasigurta.
Nga ana e krtikës akademike është padyshim Letërsia e Krahasuar, e fundit nga
shkencat letrare, që ka ofruar numrin më të madh të nismave interesante në këtë
5

fushë.
Për historinë e letërsisë, një nga idetë më frytdhënëse ka qenë ajo e
breznisë (gjeneratës), e shfaqur në një mënyrë sistematike që nga 1920 nga një
nxënës i Cournot, François Mentré, në veprën e tij Brezat shoqërorë. Por merita
e të parit që i ka dhënë historisë së letërsisë thellësinë sociologjike që i mungonte, i
takon Albert Thibaudet, në veprën e tij revolucionare Histori e letërsisë franceze
nga 1789 deri në ditët tona, që u botua më 1937.
Pas vitit 1960, zhvillimi i ideve strukturaliste i hapi një perspektivë
të re sociologjisë së letërsisë, në fillim sidomos nën ndikimin e Roland Barthes.
Semiologjia e semiotika e vunë theksin te shkrimi dhe te teksti, si rrafshe ku
ndërhyn sociologjia. Punimet e botuara në revistën Tel Quel përfaqësojnë kulmin
e kësaj prirjeje, edhe kjo me frymëzim marksist.
Prirja që shpreh ky studim, pa mohuar lidhjet e tij me rrymat e ndryshme të
mendimit, mbështetet fort në idenë themelore të shprehur nga Jean-Paul Sartre në
veprën e tij Ç'është letërsia? që një vepër letare nuk ekziston sa kohë që nuk është
lexuar dhe që letërsia duhet studiuar si një proces komunikimi.
Deri në një epokë të vonë, mungesa e dokumentimit e bënte praktikisht të
pamundur studimin e gjallë (in vivo) të fenomeneve shoqërore në kuadër të
letërsisë. Fatmirësisht, kjo situatë është përmirësuar ndjeshëm pas 1965.
La revolution de lire, e Robert Escarpit (1965) dhe studimi La faim de lire
përgatitur nga Books e Escarpit, me rastin e vitit ndërkombëtar të librit, më 1972,
bëjnë një vështrim të situatës botërore në këtë fushë, sidomos në vendet në
zhvillim. Më anë tjetër, industria e librit, fillimisht më ngadalë e pastaj më me
vrull, u hap ndaj idesë së një kërkimi e studimi sistematik në këtë fushë.
Nga viti 1962 deri në 1982 veprimi i UNESCO-s në kuadër të programit të
6

zhvillimit të librit, i ka ndihmuar vendet e Botës së Tretë të zvogëlojnë


prapambetjen e tyre kulturore, falë një politike kulturore të librit mençurisht të
planifikuar.
Kemi mbërritur kështu në atë që është aktualisht e do të jetë edhe në të
ardhmen motori më efikas i kërkimit të sociologjisë së letërsisë: nevoja për një
politikë të librit.

1.3 Për një politikë të librit


Të njohësh vetvetn, kjo ishte dikur kërkesë e një dijeje personale. Sot është
një kërkesë e dijes kolektive. Por në letërsi, mungesa e një vetëdijeje për veten
duket se është rregull i shoqërisë sonë. Promovimi i masave, i shpallur prej më
shumë se një shekull, por i kthyer në një realitet të mohuar vetëm nga një brez në
anët tona, ka [uar në konceptimin e qytetit vetëm në përbërësit e tij materialë.
Përbërësit kulturorë janë lënë shumë pas dore. Ashtu sikurse një dinosaur
mikroqefal, një qytet prej një milion banorësh zotëron një letërsi në raportin një
për mijë.
Në një shkrim të Gilbert Mury, me titull "Një sociologji e librit - a është
ajo e mundur?" justifikohet sociologjia e letërsisë përmes shembullit të
sociologjisë së religjionit.
Soc e Letërsisë duhet të respektojë karakterin specifik të faktit letrar. Një
afer i mirë për një tregtar, ajo duhet të jetë më së pari një afer i mirë për vetë
lexuesin, duke e ndihmuar shkencën letrare tradicionale - historike a kritike - në
plotësimin e detyrave të tyre. Këto detyra mbeten indirekt të saj, roli i saj është
vetëm ai i konceptimit të tyre në një kontekst social.
7

II - Si t'i qasemi faktit letrar


II-1 - Libri, leximi, letërsia
Fakti letrar paraqitet përmes tri modaliteteve kryesore: librit, leximit,
letërsisë. Në ligjërimin e sotëm, këto tri fjalë shpesh përdoren njëra për tjetrën. Në
të vërtetë, ato nuk mund të mbivendosen , veçse pjesërisht, dhe shtrirja e tyre është
fort e papërcaktuar.
Përcaktimi i fjalës libër, është edhe kjo një detyrë e vështirë. I vetmi
përcaktim pothuaj tërësor i dhënë deri më sot, është aq i mjegullt saqë pothuaj nuk
mund t'i referohemi:
“Një tërësi materiale me një lëndë e me nje përmasë të caktuar, me një lidhje të
caktuar, mbi të cilën janë sjellë shenja përfaqësuese të të dhënave të caktuara
aktuale”.
Litré mëdyshet mes një përkufizimi material – “bashkim i një numri faqesh te
shypshkruara a të dorëshkruara” – dhe një përcaktimi gjysmëintelektual “vepër e
shpirtit, qoftë në prozë a qoftë në vargje, me një shtrirje të madhe, të mjaftueshme
për të paktën një vëllim”.
Ligji shqiptar për librin, ka një përkufizim ligjor për librin
1. “Libër” është një tërësi unitare, e ilustruar ose jo, e shtypshkruar në një titull, në
çfarëdo lloj forme, që ka objekt materializimin e një produkti mendor, të një ose më
shumë autorëve dhe që botohet një herë ose më shumë në një vëllim ose në vëllime
të ndryshme.
2. “Produkte të përafërta me të (librin)” janë almanakët, vjetarët, katalogët, albumet
e filatelisë, albumet për ngjyrosje, albumet me figura, për fëmijë, dëftuesit e
hekurudhave ose të rrugëve detare, repertorët, që përmbajnë vetëm të dhëna
8

numerike, repertorët alfabetikë, broshurat, që shpjegojnë funksionimin e aparateve,


me të cilat ato janë të lidhura, partiturat e thjeshta, për tekstin dhe muzikën e një
kënge, fletoret e muzikës për detyra, si dhe botimet e tjera të ngjashme me to.
3. “Libër në formë elektronike, disku, shiriti magnetik, kasete, filmi ose diapozitivi”
është libri, sipas përcaktimit në pikën 1 të këtij neni.
Në të vërtetë nuk ekziston një përkufizim për librin. Cdo vend, cdo administratë ka
një përkufizim të vetin për librin. Asamblea e Përgjithshme e UNESCO-s, në 1964,
ka rekomanduar një koncept statistikor universal: “Libër mund të quhet çdo botim
joperiodik që ka 49 faqe e më tepër”
Defekti i të tëra këtyre përkufizimeve qëndron në faktin se ato e trajtojnë librin si
një objekt material dhe jo si një mjet komunikimi kulturor. Nëse disa syresh
mbajnë parasysh përmbajtjen e librit, asnjëra prej tyre nuk përfill përdorimin që i
bëhet atij. Por një libër është një makinë leximi dhe është të lexuarit që e përcakton
atë. “Eshtë përpjekja e përbashkët e autorit dhe e lexuesit që do të bëjë të dalë në
sipërfaqe ky objekt konkret dhe imagjinar që është vepër e shpirtit” (Jean P.
Sartre).
I kopjuar, i shtypur a i fotografuar, libri ka si qëllim të mundësojë shumëfishimin e
fjalës dhe njëkohësisht edhe “konservimin” e saj: një libër për një person të
vetëm nuk do të kishte kuptim.
Njësia statistikore në fakt është titulli i librit dhe jo numri i kopjeve të tij (tirazhi).
Vetëm pas vitit 1965 statistikat e UNESCO-s përmendnin tirazhet, vetëm për disa
vende.
Për të analizuar fenomenin e të lexuarit, do të ishte e dobishme të mbaheshin
parasysh tirazhet, jo vetëm ato të botimit, por edhe ato të shtypit. Prodhimi botëror
i librit në vitin 1980 kapi shifrën e 9 miliard kopjeve.
9

Mund të mbërrihet një ide për cka ndodh duke shqyrtuar konsumin e letrës,
sidomos të letrës së përdorur për gazeta, për shtyp e për shkrim. Kështu në Francë,
në 1980, për cdo 38 kg letër të shtypur e të shkruar për cdo banor në vit, kemi 2,3
kg letër të konsumuar nga industria e librit, kurse konsumi i letrës për gazetë arinte
në 12 kg.
Jo të gjitha leximet e mundshme janë lexime efektive. Libri, mesa duket, nuk
përfaqëson veçse një pjesë të vogël të leximeve të mundshme dhe akoma më i
vogël numri i leximeve efektive. Por situata përmbyset kur “hyn në lojë” nocioni i
letërsisë.
Kuptohet që ne nuk e përcaktojmë letërsinë mbi bazë të ndonjë kriteri cilësor.
Kriteri ynë i klasifikimit të letërsisë mbetet ai që e kemi përmendur edhe më lart,
pra kënaqësia e të lexuarit. Pra është letërsi çdo vepër e shkruar që nuk është
nevojë, pra është qëllim në vetvete. Eshtë letërsi çdo lexim jofunksional,
domethënë që kënaq një nevojë kulturore joutilitare.
Mes leximeve efektive, pjesa më e madhe janë lexime funksionale, sidomos lexime
të shtypit të përditshëm në të cilin kërkohen informacione, dokumentime etj.
Nuk mund ti zihet besë klasifikimeve formale a materiale për të pasur një ide të
qartë të raporteve lexim – letërsi. Eshtë më shumë natyra e komunikimit
autor-publik që na lejon të themi se cfarë është letrare e cfarë nuk është.

II.2 Rrugët e qasjes


Metoda më e përhapur për të kuptuar një dukuri që është njëherazi edhe
psikologjike edhe kolektive, është ajo e të pyeturit të një numri të mjaftueshëm
njerëzish, të zgjedhur mbi një kriter të përcaktuar. Është kjo metodë hetimi që
doktor Kinsey ka përdorur kur ka dashur të përcaktojë sjelljen seksuale të
10

bashkëpatriotëve të tij. Ai do të kishte hasur vështirësi shumë më të mëdha nëse do


të kishte provuar të përcaktonte sjelljen kulturore të tyre përmes të njëjtës
metodikë. Mundësitë e një përgjigjeje të sinqertë e të qartë do të minimizoheshin
edhe më shumë nëse të intervistuarit do të pyeteshin për leximet e tyre. Sepse pjesa
më e madhe e të intervistuarve e ka shumë të vështirë të rrëfehet për shijet e veta.
Detyra bëhet më pak e vështirë kur bëhet fjalë për historik. Bëhet fjalë për
verifikime të kujtimeve, korrespondencave, katalogëve të bibliotekave private,
shënimeve personale të bëra gjatë leximeve etj nga një person i caktuar, me kusht
që ai ti përkasë një mjedisi shoqëror të “ngritur”.
Nëse refuzojmë dëshminë e lexuesit, mund të pyesim shkrimtarin, por me
rrezikun që të mbetemi edhe më shumë të zhgënjyer. Në të njëjtën kohë që
shkrimtari është një entitet i lirë, si njeri dhe si artist, është me rrezik që ai ta
humbasë këtë liri, duke u identifikuar me vetë lexuesit e tij. Akti i krijimit letrar
është krahasuar me veprimin e një të mbijetuari nga mbytja e anijes, i cili dërgon
një mesazh të mbyllur në shishe; ai e imagjinon shptimtarin e mundshëm të tij, por
ai kurrë nuk mund ta dijë se në cilat brigje do ta nxjerrë rryma detare shishen e
mesazhit. Po ashtu edhe shkrimtari nuk mundta ketë në dorë fatin e veprës së tij
letrare.
Dëshmia e ndërmjetësuesve të librit mund të ketë edhe më shumë vlerë për
sa kohë që botuesit, librashitësit, bibliotekarët kontrollojnë ingranazhet kryesore të
mekanizmit të qarkullimit të librit. Fatkeqësisht, dy kategoritë e para, për shkak të
sekretit tregtar, nuk mund të japin të dhëna të kontrollueshme.
Rasti i bibliotekarit është pak më i ndryshëm, meqë ai është në gjendje të na
japë dëshmi të drejtpërdrejta mbi sjelljen e lexuesve të tij. Ajo që është jopozitive:
kjo dëshmi ka të bëjë vetëm me atë kategori të reduktuar e të specializuar të
11

publikut që frekuenton bibliotekat.


Pra përmes studimit të të dhënave objektive, të përdorura në mënyrë
sistematike dhe pa paragjykime, do të mundësohet përballja e faktit letrar. Mes të
dhënave objektive, do të përdoren më së pari ato statistikore.
Të dhënat statistikore na lejojnë rindërtimin në vija të përgjithshme të faktit
letrar. Veç kësaj, duhen interpretuar episodet e caktuara edhe mbi bazën e një tipi
tjetër të dhënash objektive, që i nxjerrim nga studimi i strukturave shoqërore që e
kornizojnë faktin letrar, sikuse edhe nga mjetet teknike që e kushtëzojnë: regjimi
politik, institucionet kulturore, klasat, shtresat e kategoritë shoqërore, profesionet,
organizimet e kohës së lirë, shkalla e analfabetizmit, statusi shoqëror dhe ligjor i
shkrimtarit, botuesit, librashitësit, problemet gjuhësore, historia e librit etj.
Së fundi, mundet ti drejtohemi studimit të rasteve konkrete sipas metodave
të letërsisë së përgjithshme apo të letërsisë së karahasuar: suksesi apo jo i veprës
letrare, zhvillimi i një zhanri letrar apo i një stili të caktuar, trajtimi i një teme të
caktuar, historia e një miti etj. Kështu që të dhënat subjektive e marrin të tërë
vlerën e tyre dhe studiuesi, duke u ndihmuar nga anketimet, intervistat, dëshmitë
gojore a të shkruara, duke kombinuar informacionet që do ti ofrohen, do të mundet
tu japë të tërë domethënien dukurive të studiuara objektivisht.
12

PJESA E DYTE –
Prodhimi

III – Shkrimtari në kohë

III.1 -
Prodhimi letrar është veprimi i një populli shkrimtarësh, që përmes shekujsh, i
është nënshtruar ndryshimeve ashtu si dhe çdo grup tjetër demografik: plakja,
mbipopullimi, shfarosja etj.
Për të pasur një përkufizim apo së paku një kampion domethënës të kësaj popullate
letrarësh, mund të merren në shqyrtim dy procedime të ndryshme. I pari është
inventarizimi i të gjithë autorëve të librave të botuar në një vend të caktuar mes dy
datave të caktuara. I dyti do të ishte ai i hartimit të një liste të besueshme, siç mund
të ishte treguesi emëror i një manuali të historisë së letërsisë, me një cilësi të
gjithëpranuar.
Në të vërtetë, as njëri dhe as tjetri nga këto procedime nuk është i kënaqshëm. I
pari mbështetet mbi një konceptim mekanik të shkrimtarit si njeriu që ka shkruar
një libër. Por shkrimtar nuk bëhesh vetëm se kë shkruar një libër, por se publiku të
pranon si të tillë.
Shqyrtimi kritik i treguesit (indeksit) emëror të manualit historik, duket si rruga më
e përshtatshme. Por edhe kjo mënyrë e ka një të metë: mjafton të shfletohet
treguesi i një manuali të letërsisë për t'u bindur se, duke mbajtur parasysh rritjen e
popullatës letrare, përpjestimi i autorëve të cituar rritet dora-dorës që i afrohet
datës së botimit të vetë manualit. Rritja është fillimisht mjaft e lehtë, aq sa mund të
13

mos merrej fare në konsideratë, deri sa vijmë në kohën në të cilën shfaqen


shkrimtarët që jetojnë në të njëjtën kohë me autorin e manualit. Duke nisur nga ky
cak kohor, kriteri i përzgjedhjes vjen e bëhet më tolerant. Një thyerje e dytë
vërtetohet nëse autori ka pakujdesinë ta sjellë studimin e manualit të tij deri në
bashkëkohësi, pra deri në përfshirjen e shkrimtarëve të gjallë dhe sidomos ende
produktivë në kohën e shkrimit të studimit. Në këtë rast faqet e fundit të manualit
do t'i ngjanin pikërisht një manuali mekanike që ne do të donim ta evitonim, apo
më mirë zgjedhja e bërë, krejtësisht arbitrare dhe subjektive, nuk i ngjan aspak asaj
që do të bënte një historian i një apo dy breznive më pas.
Cka do të thotë që imazhi i një populli shkrimtarësh letrarisht domethënës
nuk mund të realizohet veçse pas një farë distance kohore. Euripidi thoshte se “një
njeri nuk mund të quhej i lumtur veçse pas vdekjes së tij”. Në mënyrë të njëjtë
mund të themi se vetëm pas vdekjes së tij një shkrimtar mund të përcaktohet në
vendin e tij në bashkësinë letrare.
Modifikimi që i bën perspektiva historike popullatës së shkrimtarëve, është
njëherazi edhe sasiore edhe cilësore.
Klasifikimi i një popullate letrare duhet të mbajë parasysh faktorë të
ndryshëm. Është një punë e gjatë dhe delikate. Për një pjesë të punëve të veta
statistikore, Harvey C. Lehman ka përdorur listat e "librave më të mirë", e
përpunuar nga Asa Don Dickinson, ish-bibliotekar i Univ. të Kalifornisë.
Procedimi përzgjedhës i Dikinsonit konsiston në hartimin e listave të tipeve të
ndryshëm, duke i klasifikuar në vepra të shkallës së parë, të dytë etj , sipas numrit
të bibliografive në të cilat këto vepra shfaqeshin. Lehmani pranoi vetëm vepra të
shkallës së tetë.
Shumë më tepër modest dhe më pak sistematik është një procedim i
14

ngjashëm që është përdorur për të hartuar një listë të 937 shkrimtarëve francezë
të lindur midis viteve 1490 dhe 1990, klasifikime mbi të cilat janë bazuar shumica
e vrojtimeve që do të vijojnë.
Cdo mënyrë e kampionimit të shkrimtarëve është e diskutueshme në detajet,
por përvoja na tregon që nëse merren masat e nevojshme, përmes kësaj metode
arrihet përfundime normale, në të cilat ecuria e përgjithshme nuk ndryshon edhe
pse mund të ndryshohen elementet e përzgjedhur apo rreptësia e kriterit.

2. Breznitë e grupet
Dukuria e parë që mund të studiohet duke u nisur nga një kampionim i tillë,
është ajo e gjeneratës a breznisë. Breznia është një dukuri e dallueshme qartazi: në
çdo letërsi datat e lindjes së shkrimatrëve mund të grupohen në zona të caktuara
kronologjike.
Nocioni i breznisë (gjeneratës) nuk mund të zbatohet pa një sërë kujdesjesh:
Së pari, duhet shmangur një konceptim ciklik i ardhjes dhe ikjes së këtyre
brezave të shkrimtarëve, sikur ata të vinin në jetë e në letërsi në formën e grupeve
që zëvendësojnë njeri-tjetrin.
Së dyti, breznitë letrare dallohen nga brezat biologjikë sepse ato përbëjnë
grupime numerikisht të dallueshme.
Së treti, kur flitet për brezni shkrimtarësh, data mëm me kuptim nuk mund të
jetë data e tyre e lindjes, as data kur ata mbushin 20 vjeç. Në të vërtetë, njeriu nuk
lind shkrimtar. Hyrja përfundimatre në botën e lëtërsisë është një proces shumë i
gjatë e i ndërlikuar, në të cilin periudha vendimtare është aty rreth të dyzetave,
gjithsesi mjaft e ndryshueshme, rast pas rasti. Më shumë se për një moshë të
caktuar, mund të flasim për një zonë moshore.
15

Siç shihet, nocioni i breznisë, edhe pse shumë i dobishëm, nuk është
mjaftueshëm i qartë, ndaj është më mirë të zëvendësohet me atë të grupit. Grupi
është tërësia e shkrimtarëve të të gjitha moshave (edhe pse mund të mbizotërojnë
shkrimtarët e një moshe të caktuar) që, me rastin e zhvillimeve të caktuara, zë
vendin kryesor në “tryezën e letërsisë”, zotëron skenën letrare dhe, me vetëdije apo
jo, “bllokon” hyrjen e të tjerëve për një kohë të caktuar. Cilat janë ato zhvillime që
provokojnë krijimin e grupeve te tilla shkrimtarësh. Bëhet fjalë kryesisht për
zhvillime të tipit politik: zëvendësime mbretërish, revolucione, luftra etj.

IV. Shkrimtari në shoqëri


1. Origjinat
Për ta pozicionuar një shkrimtar në një shoqëri, kujdesi i parë duhet treguar për tu
informuar për origjinat e tij. Në rastet individuale, pjesa më em madhe e biografëve
merren pikërisht me këtë. Por ama, jemi pak të informuar për aspektet kolektive të
këtyre origjinave. Këto të fundit mund të grupohen në dy linja kryesore: origjinat
gjeografike të shkrimtarëve dhe origjinat socio-profesionale. Edhe këtu duhet
patur kujdes: nga gjeografia e këtyre të dhënave mund të rrëshqasësh lehtë në
krahinorizëm e nga krahinorizmi në racizëm. Ndaj duhen vlerësuar me kujdes e me
objektivitet të dhënat statistikore të nxjerra.
SHIH PUNIMI E STEFAN CAPALIKUT!!!

2. Problemi i financimit
Përtë kuptuar natyrën e profesionit të shkrimtarit, duhet të kujtojmë se shkrimtari,
edhe ai më idealisti, ha edhe fle çdo ditë, si gjithë të vdekshmit e tjerë. Cdo
shqyrtim i një fakti letrar nxjerr para nesh nevojën për të parë se si është financuar
16

shkrimtari si njeri, veçmas nga financimi i veprës së tij, që është një tjetër
problematikë, që do të merremi më poshtë.
Ky problem është i vjetër sa vetë bota: është proverbiale thënia se letërsia nuk ia
shuan dot urinë atij që e krijon. Më anë tjetër, do të ishte e pakuptimtë të mohohej
ndikimi që ana materiale ka pasur mbi prodhimin letrar.
Në analizë të fundit nuk ka veçse dy mënyra që një shkrimtar të mund të rrojë
normalisht:
Financimi i brendshëm, përmes të drejtës së autorit, për të cilën do të flitet me
tutje dhe financimit të jashtëm. Ky i fundit mund të jetë dy llojesh: mecenatizëm
dhe vetëfinancim.
Mecenatizmi është mbajtja e shkrimtarit nga një person a nga një institucion që e
mbron, i siguron jetesën, por në këmbim kërkon kënaqjen dhe plotësimin e
kërkesave të tyre kulturore. Marrëdhëniet mes mecenatit dhe shkrimtarit ishin të
ngjashme me ato mes vasalit e sovranit, si një organizim tipik feudal që ishte.
Shkrimtari egjiptian Taha Hussein i ka dhën problemit të mecenatizmit një kuptim
të vërtetë ekonomik: “Bëhet fjalë për një marrëveshje të pandershme; mecenati i
ofron shkrimtarit para që ai i shpenzon dita ditës për nevoja jetike, kurse në
këmbim ky i jep artin e tij, mendimin e tij, të cilat kurrsesi nuk mund të
shpenzohen”.
Thënë ndryshe, kjo formë financimi e shkrimtarit nuk i përgjigjet më strukturave
shoqërore të kohëve të sotme dhe nuk mund të konsiderohet si një institucion i
shëndetshëm. Për ta zëvendësuar atë do të mund të shërbente një mënyrë më pak e
egër, ajo e “dypunësimit”. Në fakt, kjo është një formë vetëfinancimi, apo edhe
automecenatizmi në rastet kur shkrimtari është zotërues i ndonjë pasurie të
trashëguar, me të cilën siguron jetesën (rasti i Bajronit apo i Volterit).
17

Rasti i dypunësimit është gjithashtu i aplikueshëm vetëm për disa kategori


profesionale, sepse puna e parë (e dyta është vetë shkrimtaria) duhet të plotësojë të
paktën dy kushte: ti sigurojë shkrimtarit të ardhura të mjaftueshme për jetesë dhe ti
lërë atij pak kohë të lirë për krijimtarinë.
Duhet pranuar pra sistemi i punës së dytë si një zgjidhje e pranueshme, por me
efekte të kufizuara. Shoqëria moderne mundet ta pranojë si një zëvendësim të
mecenatizmit, por kjo nuk do ta zgjidhte problemin e integrimit tëshkrimtarit në
një sistem të qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror.

3. Profesioni i shkrimtarit
Duke nisur nga 1952, UNESCO mori iniciativën për krijimin e një Konvente
Universale të së Drejtës së Autorit. Kjo konventë hyri në fuqi më 1955 dhe u
nënshkrua nga 40 shtete fillimisht. Megjithatë, edhe pse ligjet e rregullonin
veprimin dhe afatet e së drejtës së autorit, në praktikë jo gjithmonë ato zbatohen.
Ekzistojnë dy mënyra të rregullimit të së drejtës së autorit: ajo me aforfe dhe ajo
me përqindje nga shitjet. Në të parën, shkrimtari merr nga botuesi një herë të
vetme, zakonisht paradhënie, një shumë të caktuar, duke ia kaluar kështu të drejtat
botuesit, pavarësisht se cila do të jetë ecuria e veprës. Në pagesën më përqindje,
autori merr një pjesë të cmimit të shitjes për çdo kopje të shitur të librit të tij. Kjo
pjesë mund të jetë nga 5% për ibrat shkencorë deri në 12- 15% për veprat e
suksesshme. Disa kontratamund të parashikojnë edhe përqindje progresive, sipas
suksesit të librit.
Megjithatë, edhe sot ka mjaft raste abuzimesh me të drejtën e autorit, me kontratat,
prandaj do të ishte tepër e nxiuar të thoshe se karriera e një njeriu të letrave është
një mënyrë e kollajtë për tu pasuruar.
18

Ka shoqata të të gjitha llojev për të mbrojtur të drejtën e autorit. Në Shqipëri këtë


mision e kryen një shoqatë e quajtur “ALBAUTOR”.
19

PJESA E TRETË
Shpërndarja

V. AKTI I PUBLIKIMIT

V.1. Publikimi dhe krijimi


Nuk duhet ngatërruar historia e librit me historinë e botimit. Shtypja e librit është
veçse një mjet i vonët dhe jo i vetmi për botimin e tij. Teatri p.sh. na dëshmon se
mund ta konceptojmë aktin e publikimit edhe në një shoqëri që nuk e njeh
shkrimin. Në ditët tona kinemaja, radidifuzioni, televizioni, i japin publikimit
audioviziv një efikasitet më të madh sesa publikimi i shtypur.
Fjala publikoj (shqip botoj) ka origjina të lashta, që nga latinishtja, por sigurisht jo
me atë kuptim që ka sot. Në shek XIII psh përdorej me kuptimin nxjerr, shes në
ankand.
Por botoj ka edhe kuptimin e të përfunduarit, për shkaka se gjatë këtij procesi
vepra iu dorëzohet të tjerëve, botës, publikut. Sepse që vepra të ekzistojë vërtetë si
një fenomen autonom dhe i lirë, si një krijesë që është, duhet që të shkëputet nga
krijuesi i saj dhe të ndjekë ajo vetë fatin e saj mes njerëzve.
Në vija të trasha krahasimi, roli i botuesit është i ngjashëm me atë të mjekut
obstetër: Nuk është ai vetë burimi i jetës, nuk është ai që e ngjiz, nuk është ai që
jep një pjesë të mishit të tij, por pa atë vepra, e konceptuar dhe e shpënë deri në
kufijtë e krijimit, nuk mund të dalë në dritë.
Ky nuk është veçse aspekti themelor i funksionit botues. Ka edhe shumë të tjerë
dhe do të duhej që për ta plotësuar metaforën, do të duhej që obstetri ynë të jetë
20

edhe këshillues para lindjes, gjykatës i dënimit kapital për të sapolindurit,


higjienist, pedagog, formator dhe ...tregtar skllevërish.

V.2 Zhvillimi historik


Botuesi është një personazh i vonët në historinë e institucioneve letrare. Por qysh
nga një kohë e lashtë kanë ekzistuar mjete për shumëfishimin e fjalës së shkruar
dhe për përhapjen e veprave.
Shpesh ishte vetë shkrimtari që e bënte këtë. leximi publik ishte një nga mënyrat e
botimit në antikitet dhe ka mbetur edhe pas shpikjes së shtypshkrimit një mjet i
parapëlqyer për shijimin e veprës letrare prej një publiku të vogël.
Megjithatë, që nga antikiteti ekzistonin profesionistët e përhapjes së veprës. Ishin
më së pari këngëtarët shëtitës që i kushtoheshin, madje edhe sot në disa vende,
"shitjes" shëtitëse të veprave shpesh tradicionale, por edhe origjinale.
Kjo ishte mënyra më serioze përpara shpikjes së librit, madje të librit dorëshkrim.
Që nga shek. V në Athinë e në Romë ekzistonin punishte të skrivanëve (skriptoria)
që përdoreshin për shumëfishimin e veprave në dorëshkrim. Kopjet hidheshin në
qarkullim, në shitje, në librari të vërteta. Pra ekzistonte qysh atëherë një industri
dhe një tregti e librit. Tirazhet më të larta ( shumë të rralla) nuk i kalonin kurrë disa
qindra kopje, por ama mori formë idea thelbësore e botimit.
Siç ndodh rëndom, idea i parapriu mjeteve teknike. Këto të fundit u desh tëvinin
pas rreth 14 shekujve. Botimi i Biblës ishte një nga faktorët vendimtarë të
Reformës protestante. Mund të shtojmë se ky aspekt teknik i botimit u pasurua me
aspektin gjuhësor, me përdorimin e lingua vulgaris, gjuhës popullore. Por botuesit
e parë shtypshkrues qenë botues-obstetër. Zgjedhjet që ata bënë kishin edhe
karakter krijues.
21

Botuesit e parë ishin edhe biznesmenë, siç dëshmojnë edhe librat e karakterit
utilitar që ata shtypën me shumë sukses. Më anë tjetër, librat kalorsiakë ishin
shumë të kërkuar dhe me një shitje të sigurtë e të lehtë në radhët e aristokracisë.
Gjithësesi tipografët e fuqishëm, të përpirë nga kompleksiteti në rritje i industrisë
së tyre, u detyruan shpejt që të hiqnin dorë dhe t'ia besonin specialistëve shitjen e
tyre, duke ia kaluar atyre tërësisht apo pjesërisht funksionet e tyre tregtare. Kështu
del në skenë librari . Në gjysmën e dytë të shek XVI në Francë, fjalal librar pushon
së treguari kopjistin apo bibliotekarin (forma angleze e ka ruajtur këtë kuptim të
fundit), për të treguar përfundimisht shitësin e librave apo librashitësin.
Dallimi mes dy profesioneve është qysh atëhere e pasaktë dhe letrata e licences në
1618 në Francë i grupojnë në të njëjtën kategori librashtypësit dhe librashitësit.
Deri në fund të shek XVIII nuk mund të thoshe me siguri se cili nga të dy
profesionet ishte përgjegjës moral dhe financiar për botimin, kush i merr përsipër
risqet e investimit dhe kush do të përgjigjej për ndonjë rast gjyqësor kundër veprës
etj. Tradicionalisht, ky rol i papëlqyeshëm i caktohej libërshtypësit, por edhe
librashitësi i afrohet dora dorës. Në fillim të shek XIX legjislacioni napoleonin e
zgjidhi debatin në favor të një "hajduti" të tretë, duke caktuar për të gjitha
botimet një botues përgjegjës .
Por në atë kohë kishtë një gjysmë shekulli që ekzistonte figura e botuesit: ai është
sipërmarrësi që duke i njohur librashtypësit funksion teksnik dhe librashitësit
funksion tregtar, merr ai vetë iniciativën e botimit, bashkërendon fabrikimin me
nevojat e shitjes, kontrakton autorin me ndërmjetësit e tjerë dhe në vija të
përgjitëshme, i bashkërendon aktet e veçuara të publikimit në një politikë të
përgjithëshme të ndërmarrjes. Në terma të tjerë, shfrytëzimi kapitalistik zëvendësoi
atë artizanal. Ky zëvendësim shpjegohet me promovimin ekonomik, politik e
22

kulturor të borgjezisë. Pikërisht në këtë pikë letërsia pushon së qeni një veprimtari
e të privilegjuarve. Borgjezia në rritje kërkonte një letërsi në përmasën e saj:
publiku lexues po rritej në numër dhe njëkohësisht një revolucion po ndodhte në
shijet e tij; romanet realiste apo sentimentalë, poemat pararomantike a romantike
do të jenë tash e mbrapa vepra me tirazhe të larta dhe me shpërndarje të madhe,
financimi i të cilave kërkon vënien në punë të një sistemi të fuqishëm
ekonomiko-financiar.
Përgjatë gjysmës së parë të shek. XX funksioni editorial ka pësuar, sidomos në
Francë, një tjetër transformim që korrespondon me dobësimin e kapitalizmit dhe
promovimin . Shumë botues, duke u tërhequr përpara rritjes së shpenzimeve, ia
besuan ndërmmarrjet e tyre atyre më të specializuara, si shtëpitë botuese Hachette
apo Chaix.

V.3 Funksioni editorial


I tkurrur në operacione materiale, funksioni editorial mund të përmblidhet në tri
folje: të zgjedhë, të prodhojë, të shpërndajë. Këto tre operacione janë solidarë
dhe nga momenti që secila syresh e kushtëzon tjetrën e varet prej saj, ato
formojnë një cikël që përbën aktin e editimit. Këtyre tre operacioneve i
korrespondojnë edhe tre shërbime themelore të një shtëpie botuese: këshilli artistik,
zyra e prodhimit dhe divizioni tregtar.
Problemi themelor i editorisë është ai i transportimit të një fakti individual në jetën
kolektive dhe secili nga funksionet teknike që përmendëm i korrespondon një tip i
marrëdhënieve mes individit e kolektivitetit.
Përzgjedhja parakupton që botuesi (apo i ngarkuari prej tij) të imagjinojë një
publik të mundshëm dhe të zgjedhë nga masa e shkrimeve që atij i propozohen, atë
23

që i përshtatet më mirë këtij publiku. Pra çdo përzgjedhje letrare nënkupton nga
njëra anë një publik teorik, në emër të cilit dhe në dobi të të cilit bëhet kjo zgjedhje
dhe nga anan tjetër një grup shkrimtarësh që është i prirur të plotësojë nevojat e
shijet e këtij publiku. E gjithë “loja” letrare që botuesi udhëheq zhvillohet në këtë
qark të mbyllur midis këtyre dy grupeve të përcaktuara paraprakisht.
Prodhimi bën pjesë gjithashtu në këtë “lojë”. Në fakt, prodhimi është vetëm një
vazhdim i përzgjedhjes. Kjo sepse botuesi është i detyruar të përkthejë teknikisht,
në zgjedhje materiale, atë ekuilibër që qysh nga fillimi ka synuar të vendosë mes
veprave që ofron dhe publikut që ai dëshiron të ketë. Kjo përcakton, fjala vjen,
llojin e letrës që do të përdorë, mënyrën e ilustrimit, tirazhin, llojine shkrimit,
çmimin e shitjes e një sërë zgjidhjesh të tjera teknike.
Mbetet shpërndarja si hallkë e fundit e procesit të editimit të librit. Në teram të
tjerë do të thotë shitja e librit, edhe se mund të ketë libra që falen. Poeti Bajron
thoshte se “të detyrosh një njeri tërësisht të panjohur të nxjerrë para nga xhepi
(veprim ky që kurrë nuk mund të jetë i pavullnetshëm) për të blerë një libër, ky
është kurorëzimi real i shkrimtarit dhe simboli i fuqisë së tij. Në vendet me
ekonomi të tregut të lirë, pikërisht shpërndarja është momenti më delikat i
publikimit të një libri, ai moment që vërteton suksesin a dështimin e tij. Jo më kot,
në kostot e botimit të librit, shpenzimet për shpërndarjen zënë më tepër se gjysmën
e çmimit të shitjes.
Botuesi ndodhet përpara një problemi vërtet të vështirë: ai duhet të identifikojë e të
kapë realisht atë publik teorik që kishte imajinuar qysh nga fillimi i procesit. Për ta
realizuar këtë, ai përdor disa teknika publicitare. Por ato duhen përdorur me një
kujdes të madh dhe specifikisht, sepse ndryshe nga artikuj të tjerë të konsumit, ky
publicitet duhet t'i drejtohet jo publikut në përgjithësi, por atij publiku që është
24

destinacioni i vërtetë i veprës përkatëse.


Në vendet totalitare (ish-socialiste p.sh.), për shkak të rolit të tepruar të shtetit,
botuesit nuk e kishin problem të përputhnin/përshtasnin kërkesën për librin me
ofertën. Prandaj botuesit (entet botuese) nuk rrezikonin që t'u ngeleshin librat stok.
Në vendet kapitaliste (të ekonomisë së tregut) pozita e botuesit është pafundësisht
më e pasigurtë. Duke filluar nga çasti që libri i paraqitet publikut (del nga botimi),
fati i tij del nga duart e botuesit. Është fakt që shumica e librave të botuara (në
Francë 60-70% e prodhimit) nuk e arrijnë kufirin e shitjes që do të shlyente kostot
e botimit të tyre. Përndryshe, hera-herës ndodh që një vepër kapërcen kufijtë e
paramenduar të shitjes dhe kthehet në një best-seller.

VI. Qarqet e shpërndarjes


1. Kufijtë e qarkut
Nuk ka një lidhje të drejtëpërdrejtë mes vlerës së një libri dhe madhësisë së
publikut të tij. Por ka një lidhje shumë të ngushtë mes ekzistencës së një libri dhe
ekzistencës së publikut të tij.
Ka dy kufij fillestarë, kushte të domosdoshme, brenda të cilave një libër qarkullon:
Ta zotërosh gjuhën e një libri (gjuha) dhe të jesh në gjendje ta lexosh e ta kuptosh
atë (alfabetizimi). Kufijtë shtetërorë, që jo gjithmonë përputhen me kufijtë
gjuhësorë (rasti i Shqipërisë me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi) janë
gjithashtu kufizime për qarkullimin e librit. Është fakt se ligji/ligjet nuk e shohin
librin vecse si produkt material, që ka kosto prodhimi e qarkullimi, dhe që taksohet
e tatohet si cdo produkt tjetër.
Duhet, pra, studiuar mekanizmi i shpërndarjes së letërsisë në funksin të njësive më
të përgjithshme dhe njëherazi më të thjeshtëzuara sesakombësia apo gjuha, që janë
25

në vetvete struktura të ndërlikuara. Në të vërtetë, çdo grup shoqëror ka nevoja të


vetat kulturore, rrjedhimisht edhe letërsinë e vet. Ky grup mund të jetë një gjini,
një grupmoshë e caktuar, një klasë shoqërore dhe do të flisnim kështu për letërsi
femërore (feministe), për të rinj e adoleshentë, për punëtorë, për homoseksualë etj.
Grupi shoqëror që zotëron një identitet kulturor më të qartë, është grupimi kulturor.
Një i tillë grup, qartësisht i dallueshëm në kohë, është ai i atyre që mund të quhen
"të letrarizuarit" (letteratët). Ky grupim ka qenë në vetë origjinën e vetë nocionit
letërsi. Sot, "letrarët"nuk mund të identifikohen më një klasë a grupim shoqëror
apo socio-profesional. "Letrarët" mund të përkufizohen si persona që kanë marrë
një formim intelektual dhe një edukim estetik aq të fuqishëm sa për të zotëruar
mundësië për të ushtruar një gjykim letrar personal dhe që kanë kohë të
mjaftueshme të lirë për të lexuar libra dhe mjete financiare të mjaftueshme për të
blerë libra. Ky është një përkufizim potencial dhe jo real, sepse një numër shumë i
madh "letrarësh" nuk blejnë libra, nuk lexojnë libra, por ata gjithmonë munden ta
bëjnë këtë.
Dikur ky grup i takonte aristokracisë. Më pas u identifikua me borgjezinë e
arsimuar. Në ditët tona, me punëtorinë e arsimuar e kështu me radhë. Këtu bëjnë
pjesë, aktualisht, shtresa e intelektualëve ( e përbërë në më të shumtën nga klasa e
mësuesve), ata që punojnë në mjedise artistike dhe nga një pjesë (e vogël) e
punëtorëve të krahut që ka marrë një lloj formimi e edukimi parësor. Ky grup i
korrespondon atij që ne e kemi quajtur "mjedis letrar", nga i cili dalin pjesa më e
madhe e shkrimtarëve. Po këtu "rekrutohen" edhe pjesëmarrësit e tjerë të cdo
ngjarje letrare, nga shkrimtari deri te historiani i letërsisë në uniersitet, nga botuesi,
deri tek kritiku letrar. Ngjarja/loja letrare zhvillohet tërësisht në një qark të mbyllur
brenda këtij grupi, ashtu si kemi parë duke studiuar mekanizmin e aktit të
26

publikimit.
Në të kundërt me qarkun letrar, në mungesë të një termi më të përshtatshëm, do ta
quajmë "qark popullor" sistemin e shpërndarjes që i drejtohen një publiku
lexuesish, formimi arsimor i të cilëve lejon një shije letrare intuitive, por jo edhe
një gjykim të arsyetuar dhe eksplicit. Ata përgjithësisht nuk munden të kenë kohë
të mjaftueshme të lexojnë dhe as mjete financiare të bollshme për të blerë libra.
Këta lexues i përkasin borgjezisë së vogël, por sidomos të punësuarve në
administratë, punëtorëve të krahut ose fermerëve. Nevojat e tyre letrare (të të
njëjtës masë, tip e cilësi si ato të lexuesve të qarkut letrar) plotësohen gjithmonë
nga jashtë qarkut. Ata nuk kanë asnjë mundësi të marrin pjesë në lojën letrare,
asnjë mënyrë për të bërë të ditur reagimet e tyre kundrejt përgjegjësve për çdo
prodhim letrar: shkrimtarë apo botues.

2. Qarku letrar
Le të marrim shembullin e një librarie mesatare, si ato që mund të ndodhen në çdo
cep të botës (mijëra syresh). Magazina e saj mban rreth 5 a 6 mijë tituj, në pjesën
më të madhe të tyre, nga dy copë për titull. Nga kjo sasi, rreth 400 zenë vend në
vitrinë, ndërsa nja 1200 mbi raftet e brendshëm.
Prodhimi i librave në Shqipëri është në rendin e ..... titujve në vit. Edhe sikur
tregtia të shkojë mbarë e magazina të rinovohet më shpesh, as që mund të pritet që
të gjesh në këtë librari përveçse një pjesë të kësaj sasie. Dhe vetëm një pjesë e
kësaj pjese ofrohet në raftet e brendshëm të saj për klientët e interesuar që hyjnë
brenda saj, pra për ata që janë të përfshirë në qarkun tregtar të librarisë. Akoma më
pak, një pjesëzë e kësaj pjese të pjesës të së tërës, i ofrohet publikut nëpërmjet
ekspozimit në vitrina.
27

Kjo do të thotë që libraria, ashtu si edhe botuesi, përzgjedh nga moria e librave që i
janë ofruar, ata që i duken të përshtshëm për t'ia ofruar një publiku të kufizuar.
Diferenca është se nëse publiku i botuesit është teorik, ky i librarit është konkret,
real, është klientelë. Një tjetër diferencë është që një dorëshkrim i refuzuar nga
botuesi nuk mund të kthehet në një ekzistencë letrare, kurse një libër që nuk shitet
nga asnjë librar, ekziston megjithatë dhe do të vazhdojë të ekzistojë. me fjalë të
tjera, përzgjedhja e botuesit bën letërsinë, kurse përzgjedhjet e librarit krijojnë
hierarki (të tipit sasior).
Menxhimi ekonomik i një librarie është gjithmonë e më i vështirë. Pesha
kërcënonjëse e librave stok mundet që në pak muaj ta rrënojë krejt. Për këtë arsye,
sot, libraritë e mëdha janë të prirura të krijjnë e të ruajnë me klientët e tyre një
marrëdhënie duke iu dërguar klientëve fiks periodikisht katalogët e botimeve të
reja, përmes specializmit të reparteve të caktuara, ashtu si edhe përmes krijimit të
"salloneve" të vogla të leximit shoqëruar me një çaj, kafe apo shërbime ndihmëse
etj.
Edhe vendndodhja e librarive ka të bëjë shumë: pranë qendrave studentore duhet të
ketë më shumë librari, p.sh. Duke parë librat e vitrinës së një librarie, ne mund të
hamendësojmë se jemi në afërsi të ndonjë fakulteti të caktuar, të ndonjë kishe,
xhamie, teatri, liceu etj.
Librari është një personazh me shumë rëndësi në lojën letrare. I nisur nga interesat
e tij tregtare e të biznesit, ai shndërrohet në një këshillues leximi për klientët e tij.
Nga ana tjetër, ata janë këshilltarë të mirë edhe për botuesin, duke i ofruar atij të
dhëna për natyrën e librave që mund të kenë më shumë sukses, për tiparet e
publikut të vetë lexues etj.
Për ta plotësuar kuadrin e qarkut letrar duhet edhe një tjetër hallkë të fundit të këtij
28

zinxhiri marrëdhëniesh: kritiku letrar. Autorët flasin zakonisht keq për të dhe
botuesit i tremben disi. Por ai, në fakt, nuk e meriton as njërën, as tjetrën. Roli i
vërtetë i kritikës letrare është të jetë një kampionim i publikut. Kritiku i takon të
njëjtit mjedis shoqëror të lexuesit të qarkut letrar, të njëjtit formim me të. Pranë tij
gëlojnë lloj-lloj opinionesh politike, fetare, estetike

Vous aimerez peut-être aussi